Pas disa vjetëve shqyrtim, Rregullorja e re e punës së Kuvendit do ta ketë mundësinë që të miratohet në lexim të dytë në njërën nga dy seancat që Kryesia i ka caktuar për këtë javë.
Ajo do të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e së enjtes, për miratimin e së cilës nga Kryesia u tha se ka dakordim të grupeve parlamentare.
Kjo draft-rregullore ndër të tjera parashihte që deputetët të kenë mundësinë e ngritjes së mocionit të mosbesimit për ministrat e Qeverisë individualisht, gjë që ishte kontestuar nga aspekti kushtetues.
Por, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, theksoi se Grupi Punues i ka larguar të gjitha dispozitat që mund ta sfidonin Rregulloren në Kushtetuese.
“Janë dakorduar që të gjithë dualizmat apo mundësitë që mund ta çojnë në shqyrtim apo në sfidim të kësaj rregulloreje në Gjykatë Kushtetuese të hiqen. E di se në Grupin punues ka pasur frymë të bashkëpunimit dhe dakordim final”.
Në këtë rregullore nga shoqëria civile ishte kërkuar edhe sanksionimi i deputetëve që mungojnë në komisione e seanca plenare, por një kërkesë e tillë nuk është përfshirë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se sanksionimi i deputetëve do të rregullohet ndryshe.
“Ne e kemi lënë këtë çështje brenda Kryesisë së Kuvendit, që Kryesia e Kuvendit të vendosë për raste të tilla, kur shtrohen dilema të tilla për sanksione të deputetëve. Do të jetë një organ i Kryesisë që do të marrë masa konform përgjegjësive që ky organ i ka”.
Në Kryesi, AAK-ja ka kërkuar dy interpelanca, njërën për vonesën e sjelljes së Ligjit të pagave dhe atë për Ligjin për zyrtarët publikë.
“Për mua është e pakuptimtë plotësisht që në tri momente të shtyhet dhe të mos sillet në Kuvend Ligji i pagave, pra realisht Qeveria ka dështuar dhe duhet të ballafaqohemi me ministrat dhe të shohim pse”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.
Edhe pse Kuvendit i kanë mbetur edhe rreth 3 javë deri në pushimin vjetor, nuk u tha që Projektligji për pagën minimale mund të trajtohet para pushimit.
“Projektligji për pagën minimale është në afatin e tij të rregullt që parashihet 6 javë në shqyrtim në Kuvend, ende është në kuadër të këtij afati. Prandaj nuk ka ndonjë paralajmërim se do të jetë pjesë e seancës së javës tjetër, është në shqyrtimin e tij të rregullt”, tha Kusari-Lila.
Të hënën Kryesia i ka caktuar dy seanca, atë për të enjten ku përveç Rregullores do të shqyrtohen edhe dy marrëveshje ndërkombëtare dhe seancën e së premtes, e cila do të jetë vazhdim i asaj të javës së kaluar, në të cilën do të ketë debat për mosliberalizim të vizave.