Që prej fillimit të sesionit pranveror, në 7 seanca të mbajtura të Kuvendit janë miratuar në lexim të parë e të dytë gjithsej 14 projektligje. Ndërkaq vetëm në dy seancat e fundit të mbajtura këtë javë, prej 23 pikave, 17 nuk kanë arritur të shqyrtohen dhe janë bartur për në seancat e ardhshme. Për këtë realitet deputetët opozitarë fajësojnë Vetëvendosjen që ka shumicën e votave në Kuvend. E partia në pushtet thotë se faji duhet ndarë mes gjithë spektrit politik
Janë të rralla seancat e Kuvendit brenda të cilave përfundohet i gjithë rendi i përcaktuar i ditës. Kjo ndodh kryesisht për shkak të mungesës së kuorumit në seanca që në shumicën e herëve përfundojnë para kohe.
Që nga fillimi i këtij sesioni pranveror, në 7 seanca të mbajtura janë miratuar në lexim të parë e të dytë gjithsej 14 projektligje. Ndërkaq vetëm në dy seancat e fundit të mbajtura këtë javë, prej 23 pikave 17 nuk kanë arritur të shqyrtohen dhe janë bartur për në seancat e ardhshme.
Për këtë realitet deputetët opozitarë fajësojnë Vetëvendosjen që ka shumicën e votave në Kuvend.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thekson se përgjegjësia për ta bërë kuorumin vendimmarrës i takon pushtetit ndërsa për pjesëmarrjen në seanca thotë se është përgjegjësi individuale e secilit deputet. Mirëpo ai thotë se deputetët e partisë që i takon janë të rregullt në seanca.
“Është një menaxhim jo i mirë i mazhorancës. Mazhoranca i ka numrat. Duhet të jenë të disiplinuar të marrin pjesë në seanca deputetët që të marrin pjesë në votim për, kundër ose abstenim. Opozita i ka qëndrimet e veta. Ne realisht jemi prezentë në seanca”, ka thënë Beqa.
E deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, derisa thotë se Lëvizja Vetëvendosje si shumicë parlamentare është përgjegjëse të kalojë ligjet e Qeverisë, ai thekson se edhe si opozitë janë munduar t’u ndihmojnë në fusha të caktuara por që s’e kanë gjetur bashkëpunimin e pushtetit. Ai thekson se pushteti nuk i ka marrë parasysh nismat ligjore të opozitës.
“Është paaftësia qeverisëse, koordinimi i kësaj shumice, polarizimi brenda grupit parlamentar për tema të caktuara dhe trajtimi i tyre në mënyrë selektive”, është shprehur Zemaj.
Por, në Vetëvendosje thonë se faji duhet ndarë mes gjithë spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend.
Deputetja Arbreshë Kryeziu deklaron se dështimi i seancave e i miratimit të ligjeve është papërgjegjësi edhe individuale e deputetëve, përfshirë këtu edhe pushtetin por edhe opozitën. Si pengesë në progresin e punës së Kuvendit ajo i ka përmendur edhe debatet e gjata e me polemika mes deputetëve.
“Zakonisht debatet e gjata në mes të deputetëve për pika të caktuara e bëjnë të pamundur që një numër i pikave të përmbyllet brenda një seance ditore. Prandaj është edhe njëra prej arsyeve që janë grumbulluar dhe kanë mbetur pa u trajtuar një sërë çështjesh që janë në rend dite. Dhe tjetra, që sigurisht është papërgjegjësi e deputetëve që nuk vijnë në seanca dhe mosprezenca e tyre e bën të pamundur kuorumin”, është shprehur Kryeziu.
Ajo shton se deputetët opozitarë të cilët shumë shpesh nuk marrin pjesë në votim, para interesit politik duhet ta vendosin interesin qytetar për të miratuar ligje që janë në të mirë të vendit. Mirëpo, në këtë linjë deputeti i PDK-së thotë se partia e tij, por edhe opozita janë treguar konstruktive.
“Mund të them lirisht që asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk ka kaluar pa votat e opozitës”, është shprehur Beqa.
Mungesa e kuorumit vendimmarrës ka bërë që shumë raporte vjetore të institucioneve të shtyhen nga seanca në seancë duke mbetur pa u shqyrtuar ende ato të vitit 2021. Madje, si pasojë e kuorumit dhe mosunitetit politik brenda Kuvendit, deputetët kanë mbetur pa i shqyrtuar 8 projektligje të vitit 2021.
Aktualisht Kuvendi në procedurë i ka 55 projektligje, prej tyre 25 të miratuara në parim.