Arbëri

42 pika në rend të ditës, kërkohet shtimi i dinamikës së punës së Kuvendit

42 vendime për t’i marrë do të kenë para vetes deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e së enjtes.

Por punën e grumbulluar që nga korriku për shqyrtimin, miratimin e trajtimin e çështjeve që kanë në rend dite, ata pritet ta ndajnë në disa ditë.

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit, vlerëson se ndarja në disa pjesë e seancave të tilla është e domosdoshme.

“Mosmbajtja e mbledhjeve të Kryesisë ka pamundësuar edhe caktimin e seancave të reja plenare duke bërë kështu të pamundur edhe shqyrtimin e çështjeve që janë për më shumë se një muaj në pritje për t’u shqyrtuar nga deputetët. Caktimi i seancës së re që pritet të mbahet nesër do të ketë një agjendë shumë të ngarkuar, por ka pasur një dakordim edhe nga ana e kryetarit të Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare që kjo seancë të zhvillohet brenda disa ditëve. Kjo, në njëfarë forme e mundëson trajtimin më përmbajtjesor të pikave të rendit të ditës, dhe në këtë formë e parandalon trajtimin e përshpejtuar e sipërfaqësor të këtyre pikave. Duke qenë që çështja e kuorumit në mbledhjen e Kryesisë është kthyer në problematikë kryesore kohëve të fundit, do të duhej që PDK-ja të propozonte kandidatin për nënkryetar në një afat sa më të shpejtë kohor, në mënyrë që të plotësohet pozita e zbrazët. Dhe, në të njëjtën kohë, Kuvendi duhet të shtojë dinamikën e punës në mënyrë që të kompensojë kohën e humbur dhe të trajtohen të gjitha çështjet që janë në procedurë”, thotë Haxhiu.

Me gjithë numrin e madh të çështjeve për të shqyrtuar, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, beson se seanca do të përmbyllet brenda dy ditësh.

Sipas saj, me fillim të javës tjetër mund të ketë edhe seanca të reja me pikat e pashqyrtuara, që kanë përfunduar shqyrtimin në komisionet përkatëse.

“Besoj që tashmë prej nesër e tutje do të vazhdojnë seancat në kapacitet të plotë dhe të shpeshtë në mënyrë që të përmbushim agjendën, e shoh të mundshme që këto pika të shteren në masë të madhe edhe nesër e vetmja pikë që mund të zgjasë më tepër është debati”, tha Kusari-Lila.

Lidhur me seancën që do të kenë para vetes, KOHA ka provuar të kontaktojë me shefat e grupeve parlamentare në opozitë, por nuk ka marrë përgjigje të mërkurën.

Derisa të martën, për dështimin e mbledhjeve të Kryesisë e për mosmbajtjen e seancave për rreth një muaj, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ai i AAK-së, Besnik Tahiri, akuzuan partinë në pushtet.