LAJMET E MBRËMJES

24 vjet nga Masakra e Reçakut, familjarët kërkojnë drejtësi

Janë bërë 24 vjet nga Masakra e Reçakut, por deri tashti askush nuk është dënuar lidhur me krimet e kryera që janë cilësuar si krime kundër njerëzimit. Deri më tani sipas institucioneve 18 persona kanë fletarrestime ndërkombëtare. E familjarët e viktimave po vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Të freskëta i kanë kujtimet e para 24 vjetëve familjarët e viktimave të Masakrës së Reçakut.

Mes dhimbjes dhe zhgënjimit ata vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për 45 të vrarët e këtij krimi mizor, që e nxiti ndërhyrjen e NATO-s.

Një pjesë e tyre edhe dëshmitarë të gjallë të masakrës, kujtojnë dhimbjen e madhe të humbjes së më të dashurve të tyre teksa kërkojnë drejtësi për familjarët e tyre.

“Ka pasur plot përmbi 10-15 vetë, e kam pasë nënë e babë aty. Ma kanë marrë baben e ma kanë vra. Nënës m’i kanë thënë, për ty s'e kemi urdhrin për të të vrarë veç burrin po ta vrasim e një djalë 10 vjeç nëna e ka shpëtuar... Ata sa kanë mundur kanë gjuajtur e djali i ka thënë: bacin Ahmet e mytën. E nëna ime: ndasht, veç ty të të shpëtoj se ti je fëmijë. E trauma kanë edhe fëmijët e të gjithë”, ka thënë Velime Rashiti, familjare.

“E kam edhe një vëlla këtu dëshmor dhe e kam mbytur këtu në masakër….Institucionet tona duhet bërë pak më shumë, por ju është pështjellur lëmshi dhe nuk po munden të gjejnë fillin, dhe pa ia nis prej këtyre nuk mund ta zhvillojnë, sepse prej këtu niset e mbara për t'i dalë në krye”, ka thënë Ismet Emini, familjar.

“Jam në ngjarje të këtij vendi e asaj shtëpie ku ka ndodhur masakra. Aty kam qëlluar të jem, kanë ardhur e na i kanë marrë me burra e me krejt dhe që kemi mbetur të mbyllur në atë bodrumin që kemi qenë. Unë jam dëshmitare e asaj ngjarjeje. Tash për institucione: ata e dinë vetë se sa janë duke bërë e sa po na përkrahin neve e gjakun tonë që e kanë derdhur! Ata e dinë vetë se sa janë duke na përkrahur! Por faleminderit që janë çuar të gjithë këta njerëz që ta ndajnë dhimbjen me ne”, ka thënë Sadije Ramadani, familjare.

Deri tashti askush nuk është dënuar për krime lufte në Reçak nga institucionet vendore e as ato ndërkombëtare.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se duke u thirrur në dëshmitë e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale ka lëshuar fletarrestime ndërkombëtare për 18 serbë që dyshohen për krimet që lidhen me Masakrën Reçakut.

Institucionet vendore të drejtësisë e kanë fajësuar vazhdimisht mos-bashkëpunimin e Serbisë në zbardhjen e krimeve të luftës për këto raste.

Më 1999, pasi ndodhi masakra, prokurores ndërkombëtare për krime lufte, Louise Arbour, nuk iu lejua hyrja në Kosovë nga Maqedonia.

Në shkurt të 2009-s Haga dënoni Nikola Shainoviqin, Nebojsha Pavkoviqin, Sreten Lukiqin për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë dhe Vladimir Lazareviqin e Dragolub Ojdanoviqin për dëbimet me dhunë, por jo lidhur me Masakrën e Reçakut.

Provat e Reçakut ishin prezantuar edhe në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit të Slobodan Milosheviqit, porse ai vdiq para se të përfundonte gjykimi ndaj tij.