Mali përballë vazhdon t’ia rikthejë kujtimet Ramë Shabanit, kur rreth tri dekada më parë i shpëtoi breshërisë së plumbave të forcave serbe, që i shkonin nga të gjitha anët.
Në mendje i vijnë pamjet e mëngjesit të 15 janarit të 1999-s. Atë ditë Reçaku i Shtimes u pati rrethuar nga të gjitha anët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nja 10 vetë janë vrarë kah kam ikur unë. Në tesha kam pasur plumba krejt, kokën të çarë, i rrahur derisa është thyer druri në mua”, tregon ai përjetimin e asaj dite.
Vëllai i tij, 23-vjeçar, është vrarë së bashku me 29 persona të tjerë tek një përrua në mal, derisa po përpiqeshin t’u shpëtonin forcave serbe. Ai tregon momentin kur është ndarë me të.
“Ragipi ka qenë me mua. Unë nuk arrita ta kaloja gardhin se e kisha vajzën e më dhimbsej ta leja se thosha me dalë në mal shpëtojmë. Nafaka nuk e kalova, ai e kaloi, e ai u kap para neve, Ragipi, dhe e kanë masakruar në mënyrën më të rënd edhe… më jam ndalur edhe kam thanë: ‘Zot m’i ruaj mendtë, o allah m’i ruaj mendtë”, kujton Shabani.

Edhe Agron Mehmeti është i mbijetuar i masakrës së Reçakut. Para syve të tij, atëherë 22-vjeçar, i janë vrarë axha dhe vajza e axhës.
Për këtë ngjarje dhe për gjithçka që ka parë në Reçak, ai dëshmoi në Tribunalin e Hagës në vitin 2002, ku u përball drejtpërdrejt me Sllobodan Millosheviqin.
“Sa herë e këqyrsha në sy Sllobodan Millosheviqin, në anën tjetër më dukej që po i shoh njerëzit e vrarë e të masakruar të Reçakut. Unë e kam thënë atë çka kam mundur ta them, kryesorja ajo është pranuar, se kemi pasur shumë fakte dhe argumente”, thekson Mehmeti.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.
Avokati Amer Alija tregon rreziqet nga shtyrja e mëtejme e procesit gjyqësor.
“Sigurisht që krimet e luftës apo veprat penale të krimeve të luftës nuk parashkruhen, pra nuk vjetërsohen, por me kalimin e kohës vdesin personat të cilët kanë kryer krime, vdesin dëshmitarët të cilët kanë informata dhe kanë njohuri mbi identitetin e kryerësve të veprave penale dhe sigurisht që koha është duke punuar në interes të personave të dyshuar dhe është duke punuar në dëm të drejtësisë”, theksoi Alija.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht brigadës “243 të Mekanizuar”, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik.
Pas masakrës së Reçakut, është shtruar presioni ndërkombëtar mbi Serbinë. Si shef i misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, e cilësoi masakrën si krim kundër njerëzimit. Dy muaj më vonë, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve ndaj forcave të ish-Jugosllavisë.
Liderët politikë bëjnë homazhe në Reçak
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Dimal Basha kanë bërë homazhe në Reçak në 27-vjetorin e Masakrës.
Homazhe ka bërë edhe Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker.
Osmani ka theksuar se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmia e gjallë se Serbia synonte që të zhdukte popullin shqiptar nga faqja e dheut.
“Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.
Kurti është zotuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për krimet që Serbia kreu ndaj popullit shqiptar.
“Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga qeveria e parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, deklaroi Kurti.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza para mediave tha se Masakra e Reçakut ka kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
"Sot si zakonisht bashkë me strukturat e PDK-së jemi këtu për të shpreh nderime dhe respektin për këtë ngjarje, e cila është një prej ngjarjeve që ka kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Falënderojmë edhe ambasadorin William Walker që ka dhënë kontributin e tij, e ka bërë publike këtë ngjarje dhe falë sakrificës, jetës dhe gjakut të të gjithë këtyre sot por edhe ngjarjeve gjithandej Kosovës ne gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë do të shprehim respektin deri në përulësi për kontributin dhe veprën e tyre”, tha Hamza.
Masakrën e Reçakut në 27-vjetorin e saj, e ka kujtuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai kujtoi edhe kontributin e ambasadorit William Walker për dokumentimin e kësaj masakre, që bëri ta shoh mbarë bota atë që po ndodhte në Kosovë.
Abdixhiku theksoi se kërkimi i drejtësisë për krimet e luftës, mbetet obligim shtetëror e moral dhe se pa drejtësi për viktimat, nuk mund të ketë as paqe të plotë.
“Sot, pas 27 vitesh, kujtojnë me respekt të thellë viktimat e Reçakut dhe shprehin solidaritet të përhershëm me familjarët e tyre. Kjo ngjarje përbën një nga dëshmitë më të rënda të vuajtjeve që ka përjetuar populli ynë në rrugën drejt lirisë. Ruajtja e kujtesës historike, mbrojtja e së vërtetës dhe kërkimi i drejtësisë për krimet e luftës mbeten obligim shtetëror dhe moral. Pa drejtësi për viktimat, paqja nuk mund të jetë e plotë”, ka thënë mes tjerash në Facebook, Abdixhiku.
Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas homazheve tha se na Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së e jo ata që kanë kryer krimet.
"Sot nderojmë pranë trupave, më të dashurve tonë, që u flijuan për liri, në vendin e masakrës së Reçakut, masakrës që e ktheu vëmendjen e NATO-s, Amerikës, për krimet serbe në Kosovë. U jemi mirënjohës UÇK-së, gjithë brezave që kanë luftuar për liri”, ka thënë ai.
Masakrën e Reçakut e ka përkujtuar edhe misioni i OSBE-së në Kosovë. Përvjetorin e kësaj masakre, OSBE e ka quajtur rikujtim të detyrës kolektive për të mbështetur të drejtat e njeriut, e siguruar drejtësi për të gjithë.
"Kurrë mos harro", thuhet mes tjerash në postimin në Facebook të OSBE-së.
“Sot shënohen 27 vjet nga masakra e Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë 45 jetët e humbura dhe u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të tyre. Një kujtesë për detyrën kolektive për të mbështetur të drejtat e njeriut, duke siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për të gjithë. Kurrë mos harro”, thuhet në postim.