Përveç fushatës, vëzhguesit do të jenë të pranishëm edhe gjatë ditës së zgjedhjeve, por në numër shumë më të madh. Shefja e Misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga Bashkimit Evropian për Kosovën, Nathalie Loiseau, ka thënë se ky hap është i rëndësishëm për të garantuar besueshmërinë dhe legjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit
Me shpresën për një proces zgjedhor të drejtë e transparent, 18 vëzhgues nga 18 shtete anëtare, pjesë të misionit të Bashkimit Evropian, të dielën e nisën punën në terren, duke u angazhuar për të monitoruar fushatën zgjedhore që po zhvillohet nga partitë politike, për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Përveç fushatës, vëzhguesit do të jenë të pranishëm edhe gjatë ditës së zgjedhjeve, por në numër shumë më të madh.
Shefja e Misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për Kosovën, Nathalie Loiseau, ka thënë se ky hap është i rëndësishëm për të garantuar besueshmërinë dhe legjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Sot është dita e dërgimit të vëzhguesve afatgjatë. 18 prej tyre sapo u larguan nga Prishtina dhe do të shkojnë nëpër gjithë Kosovën për të vëzhguar procesin zgjedhor, fushatën, për të qenë në kontakt me autoritetet përgjegjëse për zgjedhjet, me partitë politike, përfaqësuesit, organizatat e shoqërisë civile dhe mediet”, ka thënë ajo të dielën.
Sipas saj, synimi i vëzhgimit është vlerësimi se si procesi zgjedhor do të përputhet me Ligjin për Zgjedhjet e edhe me standardet ndërkombëtare.
Ajo ka thënë se numri i vëzhguesve që do të jenë pjesë e misionit të Bashkimit Evropian për këtë proces do të jetë rreth 100.
“Pra, ata janë sytë, veshi dhe goja jonë në terren, mund të kontaktoni me ta dhe unë do të kthehem në fillim të shkurtit me vëzhguesit afatshkurtër. Të gjithë së bashku do të jemi pak më shumë se 100 vëzhgues për këto zgjedhje”, ka shtuar ajo.
Loiseau ka thënë se ky mision, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri në fund të zgjedhjeve, do të përpilojë më pas raport gjithëpërfshirës, që do të përfshijë edhe rekomandime për zgjedhjet e ardhshme.
Shefja e Misionit vëzhgues të BE-së ka shprehur pritjen se ligji i ri për zgjedhjet do të zbatohet si duhet dhe ka vlerësuar se prezenca e kamerave në vendvotime është vlerë për transparencën.