“War, games and video recordings”, një film i metrazhit të gjatë është duke u xhiruar në Prishtinë dhe vjen si një dramë familjare. Nën regjinë e Birol Urcan dhe me producent Petrit Ukëhajdarajn, filmi është në ditën e 10-të të xhirimeve. Personazhi kryesor, të cilin e luan aktorja Qëndresa Jashari, është një nënë vetushqyese e cila pas ndarjes nga burri me çdo kusht mundohet që djalit të saj t’ia sigurojë një të ardhme të qëndrueshme, të paktën në aspektin financiar
Për tash e 10 ditë lagjja “Kodra e Diellit” në kryeqytet është kthyer në shesh xhirimi për filmin “War, games and video recordings”. Nën regjinë e Birol Urcan dhe skenar të Dhurata Hotit, filmi sjell një rrëfim në dy dimensione të ndryshme. Personazhi kryesor të cilin e luan aktorja Qëndresa Jashari, është një nënë vetushqyese e cila pas ndarjes nga burri me çdo kusht mundohet që djalit të saj t’ia sigurojë një të ardhme të qëndrueshme të paktën në aspektin financiar.
Është një ide, e cila ka filluar para gati 4 vjetësh, ka treguar Urcan. Inspirimin ka thënë se e ka gjetur gjatë xhirimeve të një filmi tjetër, ku ai ka marrë pjesë bashkë me drejtorin e fotografisë, Petrit Ukëhajdaraj.
“Projekti ‘War, games and video recordings’, tashmë ky është titulli i punës mbi të cilën jemi duke punuar, ka filluar dikur rreth 4 vjet më parë. Si ide ka filluar nga unë dhe Petrit Ukëhajdaraj, i cili është drejtor i fotografisë por edhe producent në këtë film”, ka thënë Urcan.
“War, games and video recordings” vjen si një film i metrazhit të gjatë për të cilin do të xhirohet në Prishtinë për më shumë se 20 ditë. Urcan ka thënë se koncepti artistik i filmit është i ndërtuar në hapësira të vogla e të ngushta, të cilat e kapin thelbin e realitetit në të cilin personazhi kryesor jeton.
“Sot jemi në ditën e 10-të të xhirimeve. Gjithsej i kemi diku rreth mbi 20 ditë xhirime esenciale dhe disa ditë shtesë rezervë. Në këtë 10-ditëshin e parë i kemi përfunduar goxha skena komplekse. Koncepti artistik i filmit është i ndërtuar mbi hapësira të vogla, të ngushta”, ka treguar ai.
Në esencë filmi prek temën e një forme moderne të vetmisë. Të asaj vetmie ku je i rrethuar me njerëz, por që në realitet nuk të jepet ndonjë mundësi komunikimi më të thellë me ta. Këto marrëdhënie sipërfaqësore midis personazheve të filmit e luajnë një rol të madh në zhvillimin e ngjarjes dhe mënyrën se si përfundon filmi. Përpos si dramë personale e një familjeje filmi trajton edhe tema universale.
“Me fjalë të shkurtra filmi është një dramë familjare e përzier me një dramë universale. Flasim për një familje kosovare, babai në gjermani, djali dhe nëna në Kosovë, këta dy të divorcuar dhe sfidat e tyre”, ka shtuar ai.
Në rolin e producentit dhe drejtorit të fotografisë në “War, games and video recordings” vjen Petrit Ukëhajdaraj. Ai skenën ku janë duke punuar aktualisht e vlerëson si dinamike, pasi që shpërfaq një pjesë tejet të rëndësishme të skenarit. Është një pjesë ku edhe skenografisë i është kushtuar shumë kujdes dhe secili prej kastës dhe ekipit realizues është në detyrën e vet dhe me shumë vëmendje.
“Ka shumë që mundemi të flasim për film, por për momentin jemi duke e xhiruar skenën e sallonit të Lindës, i cili është set i bërë prej zeros. Kjo është pjesa më dinamike e filmit dhe është realiteti i karakterit të saj jashtë jetës”, ka thënë Ukëhajdaraj.
Të gjitha skenat e filmit janë të xhiruara në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë. Ukëhajdaraj ka thënë se kryeqyteti është një lokacion i përsosur për të xhiruar skena të tilla, të cilat kapin thellësinë e emocionit njerëzor.
“Unë për këtë xhiroj dhe fotografoj në Prishtinë kryesisht, sepse mënyra si ka evoluuar qyteti ndërlidhet me ngjarjen dhe realitetin e qytetit dhe kjo është një storie urbane”, ka treguar ai.
Qëndresa Jashari, e cila vjen në rolin kryesor, atë të Lindës, ka thënë se roli që i është besuar po i pëlqen shumë. Para se të fillonin xhirimet ka treguar se i është dashur shumë hulumtimi, pasi që mbi të gjitha vjen në rolin e një nëne, e që në të vërtetë nuk është.
“Roli që unë e luaj është Linda, ky personazh që gjatë filmit shihet në dy dimensione, si nënë vetushqyese dhe si një grua e fortë dhe e cila nuk dorëzohet”, ka thënë Jashari.
Për fazën e shkrimit të skenarit dhe një pjesë të fazës së xhirimit projekti është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Urcan ka thënë se si ekip janë falënderues dhe se u mbetet të fillojnë të kërkojnë mbështetje për fazën e post-produksionit.