Me “synimin që t’i sfidojë audiencat për nevojën e domosdoshme të një procesi kolektiv mbi dokumentimin e së kaluarës në Kosovë”, filmi i shkurtër artistik “Makthi prej argjile” është tentativë për ballafaqimin me pasojat e luftës. Disa shkarje ia humbin ritmin, megjithatë arrin të dokumentojë rrëfimet individuale të atyre që e përjetuan luftën
“Makthi prej argjile” sjell në formë të filmit artistik tregimet e një të mbijetuare të luftës. Rrëfimi aty merr shkas nga një trajnim që synonte ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë. Në këtë film të shkurtër luajnë pjesëmarrësit në këtë trajnim dhe jo aktorë profesionistë. Me gjithë përpjekjet për sensibilizim ndaj traumës së shkaktuar nga lufta dhe për kontribut në përballje me të kaluarën, ka plot shkarje në film që e bëjnë atë joserioz.
“Makthi prej argjile” i organizatës “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimit të paqes”, i shfaqur të enjten pasdite në kinemanë “ABC” në Prishtinë, sipas përshkrimit, “synon t’i sfidojë audiencat për nevojën e domosdoshme të një procesi kolektiv mbi dokumentimin e së kaluarës në Kosovë”.
Më tej shkruhet se “ilustron në mënyrë emocionale se deri në çfarë mase e kaluara jonë mund të jetë e kushtëzuar me procesin e ndërtimit të një shoqërie paqësore dhe të liruar nga hijet e së kaluarës”.
Ashtu edhe ngjan në film, ndonëse projekti, për nga realizimi, është goxha modest.
Makthi i protagonistes kryesore, Manushes, është introja e filmit. Është veç një sekuencë e shkurtër që bëhet e gjatë në rrëfimin e saj jetësor. Një përjetim i pafundmë si shkas i momenteve të luftës që i kanë lënë plagë. Këtë rol e luan Lavdije Berisha - Raci.
Në rolet e tjera vijnë: Hysni Shala, Aurora Ismajli, Ferid Teliqi, Metush Isma, Kreshnik Osmanaj, Laureta Çollaku, Salem Haliti, Visar Shehu, Vranina Osmani, Gëzim Kadriaj, Asllan Ahmeti, Sinan Prushi, Halit Gjoshi, Mersiha Resulbegoviq-Mavriq, Fahret Mavriq, Mustafa, Valbona, Sara e Mejrem Canka, Kemal Truma e Linda Resulani.
Skenat kapërcejnë nga njëra në tjetrën. Rrëfimi i një nxënëseje në shkollë hap edhe më kujtesën e plagën e Manushes. Në një detyrë shkollore që ajo si mësuese u jep nxënësve të saj për përshkrimin e një fotografie, nga Yllëza merr narrativën për rrëfimin e vrasjes së shokut të saj, Isës, më 30 prill të 1999-s. Por koherenca e personazheve nuk përshtatet.
Vajza që luan karakterin e Yllëzës është shumë e re në moshë për të pasur një shok para periudhës së luftës e të cilin, në film, e kujton nëpërmjet fotografisë. E, filmi flet për kohë konkrete në shumë raste.
Sido që të jetë, midis mësueses Manushe dhe prindit të Yllëzës nisin konflikte nëse fëmijët duhet të dinë për luftën. Traumat nga të dyja palët nisin të shpalosen sapo hapet kjo temë.
Sekuenca e fjalisë “është vetëm një ëndërr e keqe” e përcjell sa herë që mbyll sytë, sheh imazhet e luftës dhe nisin britmat. Janë ato kur Manushe kupton dhimbjet e lindjes së vajzës midis malit, ku argjila ia përpin këmbët e krismat e luftës janë gjithandej.
Trajnimi “Ballafaqimi me të kaluarën”, në kuadër të të cilit edhe është punuar filmi, jepet si ide për të hapur plagën me qëllim të shërimit të saj. Në trajnimet në Ulqin, aty ka qenë edhe babai i Yllëzës. Ka treguar rrëfimin e tij për luftën. Biseda midis tij dhe Manushes ka shëruar raportin e përçarë te drejtori i shkollës. Ai punon në fusha të minave, e Manusha rrëfen se është e çuditshme se si edhe pas kaq shumë vjetësh ende ka fusha minash në Kosovë.
Në pjesën e fundit të tregimit të filmit, papritmas vjen një krismë e madhe. Manushe është e vetmja që e dëgjon. Një granatë shpërthen pranë tyre në një natë të ftoftë pranë traktorit plot njerëz, por askush nuk e dëgjon, pos saj. Vetëm ajo ka shpëtuar. Ishte shtatzënë. Familja i ishte vrarë. Në Mejë takoi babanë e saj për të fundit herë dhe rrëfen se aty e pa për herë të parë të frikësuar. E kishte dëgjuar krismën, të cilën ende e mban në mend.
E ky makth i saj i vjen si argjilë, nëpër të cilën ecën çdo natë dhe e përpin.
Lavdije Berisha-Raci, e cila e luan Manushen, ka thënë se përtej një filmi, projekti është një pjesë nga e vërteta e përbashkët.
“Përveç temës së veçantë të këtij filmi, është edhe një e veçantë tjetër: se në të nuk kanë luajtur aktorë profesionistë. Kemi luajtur ne si persona që kemi përjetuar luftën dhe këto histori të cilat i trajton filmi. Për të interpretuar aty nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse realisht thjesht jemi rikthyer në të kaluarën tonë, e kemi ripërjetuar. Gjatë xhirimeve, ndoshta është dashur të ndërpriten për shkak të emocioneve që ka shkaktuar tema e këtij filmi. Ka pasur raste kur jemi pushtuar shumë nga emocionet, por mendoj se pikërisht kjo e vërtetë dhe ky emocion i kanë dhënë jetë këtij projekti”, është shprehur ajo.
Ka thënë se për 16 ditë në kuadër të trajnimit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” kanë ndarë histori personale nga ngjarjet e luftës.
“Mësuam ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe ta ndiejmë dhimbjen e secilit pa paragjykim. Mund të them se trajnimi ‘Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë’ ishte si proces i shërimit të traumave”, ka thënë ajo më tej.
Skenarin e ka shkruar Arben Veselaj. Ai ka thënë se filmi sjell rrezikimin e protagonistes qendrore për t’u vetëshkatërruar dhe se vë në theks rëndësinë e shpalosjes së përvojave të secilit si pasojë e traumave nga lufta dhe kërkimin e drejtësisë si mënyrë e vetme për të ecur përpara.
“‘Makthi prej argjile’ synon të sfidojë audiencën kosovare për nevojën e domosdoshme të një procesi kolektiv mbi ballafaqimin dhe dokumentimin e së kaluarës. Ngjarja e filmit ilustron në mënyrë emocionale se deri në çfarë mase e kaluara jonë mund të kushtëzojë procesin e veprimit të një shoqërie të lirë dhe të liruar nga hijet e së kaluarës”, ka thënë Veselaj, duke shpjeguar edhe procesin e përgatitjeve për këtë projekt.
“Më shumë se një vit ka zgjatur procesi i shkrimit të skenarit të këtij filmi. Ka qenë një proces i gjatë analize i përzgjedhjes së tematikës, moderimit dhe tipizimit të karaktereve, si dhe vetë shkrimit të skenarit. Në fund kemi ardhur te kjo përmbajtje tematike, e cila besoj se do të arrijë të sensibilizojë opinionin tonë rreth problematikës së ballafaqimit dhe dokumentimit të së kaluarës”, ka thënë ai.
Për regjisorin e filmit “Makthi prej argjile”, Burim Baftiu, trajtimi i kësaj teme ka peshë të shumëfishtë.
“Është diçka shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë dhe ANP si ndër organizatat e rralla është duke u punuar në këtë drejtim. I falënderoj për besimin që kanë pasur në mua për të ma besuar këtë projekt kaq ambicioz, që unë ta drejtoj këtë skenar, në cilësinë e regjisorit”, ka thënë Baftiu.
Projekti “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” është zbatuar nga organizata joqeveritare “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimit të paqes” (ANP) në partneritet me “KURVE Wustrow” nga Gjermania si pjesë e Shërbimit Civil të Paqes, mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).
Drejtori i organizatës “Aksioni...”, Nexhat Osmani, ka thënë se tema e ballafaqimit me të kaluarën është shumë e dhimbshme, por shumë relevante në ditët e sotme.
“Ballafaqimin me të kaluarën e konsiderojmë si marrëdhënie e së kaluarës me të tashmen dhe me të ardhmen tonë”, ka thënë ai.