Kulturë

“Vija e gjelbër” shënon guximin e artistëve të rinj

Një litar i gjelbër e disa kapëse po me këtë ngjyrë, janë ato që i lidhin vizatimet e ekspozuara në galerinë “Qahili”. Të përbashkët e kanë edhe kohën kur janë realizuar – që prej marsit e deri në maj kur studentët e Fakultetit të Arteve, përkatësisht të lëndës së vizatimit, kanë mbajtur mësim online me profesorin e tyre Eshref Qahili. Pjesa tjetër është një udhëtim vetjak nëpër punimet e 37 studentëve me ekspozitën e titulluar “Vija e gjelbër”. Të sigurt në vijat që kanë hedhur në letër, studentët, ani pse në hapat e parë të karrierës, krijojnë një art të balancuar. Vizatimet janë shenjë që ata tashmë kanë shtruar konceptet e para që do të jenë identifikuese edhe më tej në artin e tyre.

Ekspozita “Vija e gjelbër” bën bashkë studentët e vitit të parë, të tretë, si dhe të masterit. Emri i ekspozitës vjen nga piktura e famshme “Vija e gjelbër” e njohur po ashtu si “Portreti i Madame Matisse”, realizuar nga artisti i njohur Henri Matisse. Kishte pikturuar gruan e tij, Amélie Noellie Matisse-Parayre, dhe piktura kishte marrë emrin sipas një vije të gjelbër që artisti kishte bërë në fytyrën e gruas së tij duke e ndarë atë në dy pjesë, si përpjekje për të prodhuar një sens të dritës, hijes dhe volumit, duke mos përdorur hijet tradicionale. Tonet e Matissesë ishin shokuese për atë kohë. Ishte viti 1905. Guximi që ka pasur piktori atëherë është ajo që mund të gjendet edhe te artistët e rinj. Kjo veti nuk mungon te studentët. Kështu mendon edhe Eshref Qahili, njëherësh kurator i kësaj ekspozite bashkë me Nita Qahilin, raporton KOHA.

“Mendoj që kjo ekspozitë është shumë e mirë dhe tregon se studentët e Fakultetit të Arteve janë definitivisht të mirë. Ata dinë që të vizatojnë dhe kanë guxim për të hulumtuar. Këtu ka studentë të viteve të ndryshme dhe në shikim të parë nuk mund ta vëresh se cili student në cilin vit është, dhe kjo të lë të kuptosh se ata janë të dijshëm dhe kanë guxim”, ka thënë ai. Si artist e si profesor, Qahili ka thënë se ka shpresë që këto gjenerata do të arrijnë shumë në art. E ndikimi që ka pasur periudha e karantinës te këta studentë, sipas tij, mund të vërehet qartë.