Simbolika e ekspozitës me të cilën “Galeria Qahili” ka shënuar 12-vjetorin është e shumëfishtë. Data përkon me ringjalljen e natyrës, por ngjarja është konfirmim i lulëzimit edhe të artit dhe i vazhdimësisë. Qëllimshëm ekspozita “Toka” është hapur me veprat e themeluesit të Galerisë, piktorit e profesorit universitar, Eshref Qahili. Të festosh 12-vjetorin është ndjenjë më e mirë e më e gëzueshme sesa të festosh ditëlindjen tënde”, ka thënë ai
Janë vepra që japin gjallëri. Në to çelin lule. Rrezatojnë jetë ku bimësia e insektet çojnë krye. “Toka” mban titullin e ekspozita e hapur të martën mbrëma në “Galerinë Qahili” në Prishtinë. Në kalendarin pagan 6 maji është kryet e motmotit dhe festohej “Shën Gjergji”. Dikur më shumë e tash më pak i bëhej mirëseardhje verës. Ditëve kur behari kaplon peizazhet dhe çdo gjë bëhet e gjallë. Por te “Qahili” kësaj radhe është edhe festë e një tjetër motmoti. Atij të 12 prej kur është hapur ky ambient alternativ i artit pamor në kryeqytet.
Qëllimshëm ekspozita është hapur me veprat e themeluesit, piktorit e profesorit universitar, Eshref Qahili. Njihet për të kaltrën e tij që haset shpesh te veprat e punuara ndër dekada. Çështjet sociale, historia e vjetër dhe e re e Kosovës kryqëzohen në punimet e Qahilit. Karakterizohen me një dozë optimizmi edhe kur në to paraqiten ditët e vështira që kanë goditur jo rrallë këto anë.
Por në ekspozitën e tanishme, ka zgjedhur që të merret veç me ringjalljen që ndodh në prag të verës. Ngjyrat e lehta formojnë mozaikun e krejt veprave që vizitorët i fusin në një ambient ku galeria është kryefjala. Optimizmi i shkon për shtat stinës e edhe festës së Galerisë. Veprat sikur përmbledhin triptikun e përvjetorit të Galerisë, atë të ditës kur vera ia merr anën dimrit dhe ngjalljes së botës bimore. Vizitorët në këtë rast futen në vallen e ngjyrave të Eshref Qahilit ku subjektet e tij i këndojnë verës. Krejt këtë ai e bën pa i sforcuar tablotë por me një harmoni ku natyrshmëria dominon.
“Titullin e kësaj ekspozite e kam marrë nga 6 maji që kam informacion që është dita e verës ku çdo gjallesë del mbi tokë, lulëzon. Këto vepra që po shihen jam munduar t’i përzgjedh pasi kanë lidhje me jetën, ajrin si lulet, peizazhet, zogjtë e buburrecat”, ka thënë piktori Qahili. Ka treguar se zakonisht mundohet që edhe në një teme që është morbide ose e rëndë, t’i japë frymë ose jetë.
“Pra të marr atë anën pozitive. Mundohem të marr gjënë më të mirë të asaj ngjarjeje. Mendoj se në këto piktura ka diçka që vjen të shihen e të shijohet”, ka thënë ai. Veprat e tij kanë një tjetër perspektivë të vrojtimit artistik. Poshtë Galerisë ka atelienë ku në mozaikun e punimeve të tij shëtitja nëpër stile e teknika është edhe më e gjatë se sa në ekspozitë. Në krijimtarinë e tij thekson mesazhet pozitive. Është marrë edhe me portrete.
Atelieja ishte ëndrra e tij fillestare për të kaluar pastaj edhe te Galeria.
“Ëndërr e imja ka qenë të kem atelie e pastaj edhe një galeri që pos veprave të mia t’u mundësoj edhe të tjerëve që të ekspozojnë. Kam dashur që Prishtina të ketë një galeri shtesë dhe artistët të kenë kontakte. Qëllimi ishte që artistë vendorë e të jashtëm të kenë edhe një pikëtakim”, ka treguar ai.
Ka rrëfyer se ka vështirësi në mbajtjen Galerisë. E ka përshkruar si një “biznes” që nuk ka fitim por duhet investim.
“Besoj edhe shpresoj që unë kam bërë diçka të mirë në këto 12 vjet pasi janë 100 ngjarje që janë mbajtur. Të festosh 12-vjetorin është ndjenjë më e mirë e më e gëzueshme sesa të festosh ditëlindjen tënde”, ka thënë ai.

E bija e tij, Nita Qahili menaxhon me Galerinë. Ajo ka thënë se kur e kanë hapur atë s’i kanë menduar përvjetorët.
“Është një ndjenjë interesante dhe ky proces është vështirë të shpjegohet. Ka qenë një përvojë shumë e mirë me shumë luhatje pozitive e negative por në fund të ditës e kemi bërë tonën. Nuk jemi rrëzuar”, ka thënë ajo. Galeria pos nikoqire e shumë ekspozitave e ngjarjeve të tjera tash synon të zhvillojë edhe aktivitete përtej ekspozitave. Lart në tarracë ekziston mundësia e një atelieje në ambient të hapur dhe shumë shpejt do të jetë vend i punimit të veprave të reja nga artistë të ndryshëm.
Themelimin e Galerisë fotografi Burim Myftiu e ka përshkruar si një dashuri e familjes Qahili dhe vetë Eshref Qahilit për artin. Sipas tij, vetëm një sakrificë e familjes mund ta krijojë një galeri.
“Kjo lindi nga dashuria. Sot kjo galeri është çerdhe e artistëve. Këtu bëhen ekspozita prej artit bashkëkohor e deri te muzika alternative e Kosovës që është në nivel botëror. ‘Qahili’ është një Mekë e artit në Kosovë krahas Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe të tjerave”, ka thënë ai. Sipas Myftiut, kjo galeri ka një perspektivë dhe begati të ngjarjeve të nivelit jo vetëm lokal e regjional por edhe ndërkombëtar.
“Shoh një dritë në perspektiven e së ardhmes së kësaj galerie dhe do të mbetet në historinë e artit të Kosovës dhe kombit shqiptar si një djep ku u ekspozuan vlera arti”, ka thënë Myftiu.
Galeria “Qahili” këto ditë pret vizitorë me punimet e themeluesit. Pas përvjetorit të 12-të, ekspozitat e radhës janë në ardhje. Mbetet hapësirë alternative që pasuron skenën e artit pamor në Prishtinë. E kryqëzon atë me vepra ndërkombëtare dhe i jep ritëm jetës artistike.