Futboll

Ëndrra e madhe e Vojvodës – kualifikimi në Botëror

Mergim Vojvoda

Paraqitja në Kupën e Botës për çdo futbollist është ëndërr.

Edhe për mbrojtësin e krahut, Mërgim Vojvoda, paraqitja në ngjarjen më të madhe të futbollit do të ishte arritja më e madhe në karrierë.

Kualifikimin në Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, e shpreson ende Kosova. Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Më 26 mars “Dardanët” luajnë me Sllovakinë në Bratislavë. Nëse fitojnë, më 31 mars e presin Turqinë apo Rumaninë. Dhe me fitore edhe në atë ndeshje do të kualifikoheshin në Botëror.

“Për mua do të ishte ëndrra më e madhe sa i përket futbollit. Kam ëndërruar të luaj në një Kupë të Botës. Të paraqitesha me Kosovën, nuk ka arritje më të madhe. Për mua është gjithçka. Qëllimi është të kualifikohemi, por janë shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë Vojvoda në “FFK Podcast”. Vojvoda në intervistën e publikuar të mërkurën nga Federata e Futbollit e Kosovës ka folur për ciklin e rregullt kualifikues për Botërorin 2026. Kosova përfundoi e dyta në grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.

“Ka qenë një kampanjë shumë e mirë. Shumë pak prej nesh që e kemi përjetuar, e kemi pritur që të kualifikohemi në plejof, sepse kemi pasur një grup të fortë me kundërshtarë shumë të fortë. Nuk ishte e lehtë. Edhe pse shumë njerëz që ndoshta e njohin më pak futbollin, si për shembull prindërit e mi, thoshin se do të kualifikohemi lehtë, por ne që jemi aty e dimë që ka qenë e vështirë. Edhe për këtë unë dhe çdo lojtar jemi të lumtur që kemi arritur këtë synim për të qenë në plejof”, është shprehur Vojvoda.

Ai pranon se humbja e thellë, 4:0, nga Zvicra në Basel, ka qenë e rëndë për Kosovën.

“Kanë qenë të vështira këta tre muaj, intensivë, sidomos pas ndeshjes së parë kur kemi humbur fëlliqtë, ndonëse nuk e kemi merituar atë rezultat. Por pas asaj ndeshjeje shumë njerëz i kemi dëshpëruar. Besoj se ka qenë rrugëtim i vështirë, por me fund shumë të mirë”.

Futbollisti i Comos italiane e ka veçuar fitoren ndaj Suedinë në Goteborg.

“Loja në Suedi në udhëtim ka qenë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Më kujtohet një ditë para ndeshjes, gjatë diskutimit, kemi thënë se po të marrim një pikë do të kishim gjasa të bëjmë diçka. Por kur fituam ndeshjen, për mua stadiumi në Suedi ka qenë si të ishim në shtëpi. Atmosfera në Suedi ka qenë e jashtëzakonshme. Kudo që kthenim kokën shikonim flamujt tanë. Kur e kemi fituar atë ndeshje e kam ditur se edhe ndaj Sllovenisë do të fitojmë”, ka deklaruar 30-vjeçari.

Ai uron të mos përsëritet historia e 8 tetorit të vitit 2020. Kosova kishte humbur në gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve, që shërbente edhe për kualifikim në Evropianin e mbajtur në vitin 2021. Kosova kishte humbur nga Maqedonia e Veriut me rezultat 2:1 në Shkup.

“Shpresoj që përvoja që kemi kaluar me Maqedoninë të mos kthehet. Nuk do të thotë që do të kualifikohemi lehtë. Është si finale. Duhet të shpresojmë që të jemi të gjithë lojtarët, sepse ka shumë gjëra që ndryshojnë lojën. Uroj të jemi të gjithë mirë, sepse është finale”.

Vojvoda ka vlerësuar sakrificën që bëjnë lojtarët, në veçanti Ilir Krasniqi e Muharrem Jashari, që vijnë rregullisht në grumbullimet e Kosovës nga Ukraina.

Vojvoda ka folur edhe për gjasat që Kosova i ka kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit.

“Gjasat ndaj Sllovakisë janë 50 me 50. Do të ishte e vështirë jashtë përballja me Turqinë. Pastaj bie Sllovakia dhe ke ndeshjen në shtëpi, të jep kurajë të madhe. Shpresoj të jemi mirë dhe të kemi edhe tifozë pas nesh atje. Është finale”.

Vojvoda është lojtari me më së shumti paraqitje te Kosova. Ai nga viti 2017 ka luajtur 71 ndeshje me fanellën e “Dardanëve”.

Në “FFK Podcast” ka folur edhe për karrierën dhe për paraqitjet e mira me Comon në Serie A. Ai është ndër më të mirët te Como e drejtuar nga legjenda spanjolle, Cesc Fabregas.