Mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka thënë se humbja nga Zvicra nuk ua ka shuar ëndrrën për kualifikim në Kampionat Botëror.
Ai thotë se humbja nga Zvicra i takon së kaluarës.
Synimi, sipas Vojvodës, janë pikët e plota në ndeshjen kundër Suedisë. Por për t’i fituar tri pikë, Vojvoda thotë se ai dhe lojtarët e tjerë të Kosovës duhet të tregojnë në fushë se janë më të uritur se lojtarët e Suedisë.
“Ajo që ka ndodhur në Zvicër i takon së kaluarës, kemi humbur tri pikë. Kemi analizuar ndeshjen për të mos bërë gabimet e njëjta. Nesër na pret lojë e re dhe shkojmë për synime të tjera”, ka thënë Vojvoda në konferencë për media të dielën.
Suedia llogaritet favorite ndaj Kosovës. Pjesë e Suedisë janë yje të shumtë të Premier Leagues.
“Kemi plan për të fituar kundër Suedisë, jo kundër dy sulmuesve. E dimë që Suedia ka kualitet të madh si me lojtarë, shtet dhe atë që ka treguar në historinë e saj. Suedia ka paraqitje të shumta në Kampionate Botërore dhe Evropiane. Duhet ta dimë edhe cilësinë e kundërshtarit. Por e rëndësishme është që nesër të tregojmë se jemi më të uritur se Suedia. Ajo do të jetë pika kryesore e ndeshjes kundër Suedisë”, është shprehur Vojvoda.
Ai insiston se Kosova ka ende gjasa për t’u kualifikuar në Botërorin e vitit të ardhshëm.
“Kemi humbur tri pikë, nuk janë gjashtë apo dhjetë. E kemi nisur ashtu dhe derisa ka gjasa duhet të luftojmë për synimet tona. Mungesa e kapitenit është e madhe. Amiri është lojtar cilësor dhe mund të na ndihmojë shumë. Por për shkak të lëndimit është kthyer në Napoli dhe i dëshirojmë shërim të shpejtë”, ka thënë Vojvoda.
Kosova e Suedia janë përballur tri herë. Të tri ndeshjet i ka fituar Suedia.