Dy mbrojtësit e Kosovës, Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni, janë shprehur optimistë para ndeshjes kundër Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Kosova e luan të shtunën “finalen” në Lubjanë ndaj Sllovenisë. Për të dyja përfaqësueset është ndeshja e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
“Dardanëve” u duhet një pikë për të siguruar plejofin kualifikues.
Por Vojvoda thotë se Kosova është e motivuar për t’u kthyer me fitore nga udhëtimi i vështirë.
“Është një ndeshje si finale dhe secili prej nesh dëshiron të fitojë. Ia dimë aftësinë Sllovenisë, prandaj edhe po përgatitemi shumë mirë. Do të luajmë si në një finale dhe do të shkojmë për tri pikë. Një pikë është e mirë, por kur hyn në fushë luan për fitore dhe ne po shkojmë për fitore”, ka thënë Vojvoda për Federatën e Futbollit të Kosovës.
Vovjvoda luan në krahun e djathtë te Kosova. Në krahun e majtë paraqitet Dion Gallapeni, i cili po ashtu është shprehur optimist para ndeshjes vendimtare ndaj Sllovenisë.
“Sllovenia është një ekip shumë kompakt në mbrojtje, por edhe atyre u duhen tri pikët dhe po ashtu edhe ne shkojmë për tri pikë, kështu që shpresoj se do të jetë një lojë e hapur”, ka theksuar Gallapeni.
Ai ka thënë se ndeshja kundër Sllovenisë dhe Zvicrës për Kosovën janë jetike.
Kosova kundër Zvicrës luan të martën e ardhshme në Prishtinë.
Kosova është e dyta me shtatë pikë në Grupin B. Lidere është Zvicra me dhjetë pikë, kurse në vendin e tretë ndodhet Sllovenia me tri pikë. Në vendin e fundit është Suedia me një pikë.