Gara e Kompozitorëve të Ballkanit e cila po zhvillon edicionin e tretë, misionin e vet e ka konkretizuar edhe në një tjetër aspekt, duke sjellë në një botim të përbashkët gjashtë vepra të edicionit të dytë, sikurse edhe incizimin e pesë veprave të të parit. Me këtë nuk ndalet vetëm te futja në garë e kompozitorëve të rinj, por pasuron literaturën muzikore me vepra të reja, ua hap shtigjet interpretimit të tyre më të gjerë. Njëkohësisht është edhe në dobi të instrumentistëve.
Përurimi i përmbledhjes dhe i regjistrimit të veprave, të mërkurën pasdite në ambientet e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, është shoqëruar edhe me rishfaqjen e dokumentarit nga edicioni i parë i garës, përderisa Zanë Abazi në flaut ka sjellë veprën “TAH (they are here) të Bardh Dubovcit e Sussane Peters ka sjellë veprën “Mixordia 4 ‘transmitting’” të Tomislav Oliver. E para ka qenë fituese e Çmimit të Publikut në edicionin e kaluar të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit. Ajo e kroatit kishte fituar Çmimin kryesor.
“Nga pikëpamja ime ka shumë potencial në të gjithë këta muzikantë të rinj. E kam parë Zanën para 4 vjetësh për herë të parë dhe çdoherë ka qenë shumë e përkushtuar dhe tash e vërejmë progresin që ka arritur. Të gjithë janë duke u munduar ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Secilën herë që takohemi me ta ndahemi shumë të inspiruar”, ka thënë Peters.
Për veprat e botuara Peters ka thënë se është një mundësi shumë e mirë për instrumentistët që ta eksplorojnë muzikën bashkëkohore pa pasur frikën e prishjes së melodisë.
“Për mua është shumë kënaqësi të punoj me kompozitorë të rinj. Kjo, po ashtu, do të thotë se i kemi 6 vepra më shumë në repertorin për flaut. Edhe flautistët e rinj mund t’i luajnë, sepse janë vepra të shkurtra bashkëkohore dhe të lehta për t’u luajtur. Njerëzit kanë pak frikë të luajnë muzikë bashkëkohore duke menduar se e prish melodinë, por në fakt është e kundërta, dhe mundësi për të eksperimentuar me tinguj të ndryshëm”, ka thënë Peters.
Gjatë krejt përvojës së saj, mungesa e dokumentimit të ngjarjeve kulturore është diçka që e ka shqetësuar muzikologen Rreze Kryeziu.
“Ajo që gjithmonë më ka shqetësuar ka qenë mungesa e dokumentimit të aktiviteteve, rrethanave e ngjarjeve kulturore që nuk kanë qenë të pakta në vendin tonë, me gjithë problematikat të cilat edhe si shtet vazhdojmë t’i kemi me veten. Ajo çfarë nuk do t’i lejoja vetes asnjëherë është që në aktivitetet ku do të isha e përfshirë unë të mos lija së paku një dokument”, ka thënë Kryeziu.
Kjo garë tash e tri edicione, sipas Kryeziut, vjen me qëllimin e promovimit të kompozitorëve të Ballanit jo veç në Evropë, por në tërë globin, me shpresën se edicionet e ardhshme të shtrihen edhe në qytetet e tjera, pos Prishtinës.
“Vetë qëllimi kryesor i garës është të krijojë mundësi komunikimi në mes kompozitorëve të Ballkanit, sepse fatkeqësisht diçka e tillë mungon edhe me vendet me të cilat e kemi këtë lirinë e lëvizjes. Me anë të garës po synojmë të promovojmë punën e kompozitorëve të Ballkanit, jo vetëm në Ballkan por në mbarë globin, qoftë përmes publikimit, qoftë përmes performancave”, ka bërë të ditur Kryeziu.
Edicioni i sivjetmë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit ka nisur me koncertin e së shtunës së kaluar në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ku Natyra Elezi në piano dhe Danile la Luz në elektronikë sollën veprën “Second Structure” të Frederic Rzewskit. Gara tashmë ka katër finalistë dhe të premten do të ndahet çmimi “Rrëqebulli i argjendtë” për kompozitorin fitues të edicionit të sivjetmë.