“Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor” e cila ka kohë që e dëshmon fuqinë e muzikës në kapërcim kufijsh, është rikthyer në Prishtinë në kuadër të turneut botëror. Koncerti ka qenë një triptik veprash teksa është hapur me “Simfoninë e fatit” të Beethovenin edhe si shënim i 255-vjetorit të lindjes së gjeniut të muzikës. “Muzika është instrumenti më i mirë i mundshëm për të lidhur kulturat e ndryshme”, ka thënë dirigjenti e drejtori artistik i “Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor”
Përtej përshkrimeve të ngjarjeve dhe përvojave të vetë “Orkestrës Rinore e Ballkanit Perëndimor”, qëndron një vizion i gjerë dhe i thellë për fuqinë e artit muzikor si mjet universal për të ndërtuar ura mes kulturave dhe kombësive. Muzika, në vetvete, si gjuhë pa kufij është e aftë të tejkalojë barrierat e gjuhës dhe të politikës, duke krijuar hapësira të përbashkëta, ku njerëz nga tradita dhe përvoja të ndryshme mund të ndihen pjesë e një uniteti më të madh artistik.
E në këtë frymë ka qenë edhe koncerti që e ka sjellë “Orkestrën...” edhe në Prishtinë, të mërkurën mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Ka qenë i katërti në kuadër të turneut të këtij formacioni për sezonin dimëror të cilin e ka përmbyllur me koncertin e njëjtë, të enjten mbrëma në Shkup.
Koncerti – i përfshirë në atë që është quajtur “Post-ReMusica”, festivali që në nëntor shënoi edicionin e 23-të – është hapur me “Simfoninë nr. 5” të Beethovenit dhe kjo ka pasur edhe një arsye shtesë: shënon 255-vjetorin e lindjes së gjeniut të muzikës. E mbiquajtur “Simfonia e fatit”, edhe në kryeqytet ka ardhur me peshën e njërës prej veprave më të shquara të muzikës klasike. Është ideale për shpërfaqjen e harmonisë të cilën e ka në thelb edhe “Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor”, e themeluar në vitin 2019 si një platformë për bashkëpunimin e muzikantëve të rinj profesionistë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së. Ka më shumë se 60 muzikantë.
Kapërcimi në modernizëm është bërë me “Koncert për klarinetë” të kompozitorit amerikan Aaron Copland, e në qendër në interpretimin e saj ka qenë klarinetisti shqiptar Mario Ruska. Përmbyllja është bërë me Felix Mendelssohn-Bartholdy me veprën “Overture Athalia” që kthehet te klasikja e kohës së Beethovenit me ritme marshi e me hapësira për instrumente solo.
Me “Koncertin për klarinetë” të Copland – një vepër e kompozuar në vitet 1947-1948 – e cila u porosit nga klarinetisti i famshëm Benny Goodman, “Orkestra...” ka edhe një histori të veten. U fut në repertorin e këtij sezoni në Serbi, aty ku më 1961 vetë kompozitori e dirigjoi veprën e tij. Përbëhet nga dy pjesë që lidhen në mënyrë të pandërprerë përmes një kadence virtuoze të klarinetës. Pjesa e parë është e qetë, e butë dhe lirike, duke reflektuar ndjeshmërinë dhe melodizmin karakteristik të Coplandit. Ka ngjyrat e dallueshme të muzikës jazz.
Në tërësi, koncerti ka qenë një lloj triptiku që shfaq fuqinë e muzikës dhe feston harmoninë jo vetëm në kuptimin muzikor.
Desar Sulejmani, dirigjent dhe drejtori artistik i “Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë se repertori është ai që e bën më të lehtë komunikimin, ndërlidhjen, bashkëpunimin, komunikimin mes veprës, por edhe midis kombësive të tjera. Sipas tij, muzika është instrumenti më i mirë i mundshëm për të lidhur kulturat e ndryshme.
“Jemi në fund të turneut të këtij dimri, kemi filluar në Serbi me koncertet në Beograd, Novi Sad, në Sarajevë dhe Mostar, ishim në Prishtinë sonte dhe nesër do të kemi koncertin e fundit në Shkup. Me këtë koncert e përmbyllim fazën e dimrit ndërkohë që jemi duke punuar për fazën e projektit të verës, ku do të jemi një orkestër më e madhe, me rreth 65 muzikantë të rinj nga të paktën 17 vende evropiane”, ka thënë Sulejmani.
“Orkestra...” depërton edhe përtej kufijve të Gadishullit. Gjermania, Franca e Turqia pritet të jenë stacionet e radhës. E për veprat në repertorin e koncerteve të tanishme, Sulejmani është ndalur edhe te simbolikat.
“Ne kishim një repertor i cili bënte lidhjen natyrale me dy përvjetorë, duke pasur parasysh se në vitin 2024 Felix Mendelssohn ka festuar përvjetorin e 215-të të lindjes, ndërkohë në vitin 2025 do të jetë përvjetori i 255-të i lindjes së Ludwig van Beethovenit”, ka thënë ai.
Klarinetisti Mario Rusko ka thënë se të qenit pjesë e “Orkestrës...” nuk ka të bëjë vetëm me muzikën.
“Është shumë e rëndësishme të jesh pjesë e kësaj orkestre e cila ka kaq shumë njerëz të kulturave dhe nacionaliteteve të ndryshme dhe të shkëmbejmë kulturat mes nesh duke komunikuar njëri me tjetrin. Ishte kënaqësi për mua të jem këtu dhe të luaj krah këtyre njerëzve”, ka thënë Rusko.
Koncerti i “Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor”, ka qenë i pari për sivjet në skenën vendore të muzikës klasike. Si një nisje të mbarë e ka cilësuar atë Vlora Baruti, drejtoreshë artistike e garës ndërkombëtare “Pianisti i Ri”.
“Vitin 2025 e fillojmë me një koncert në kuadër të festivalit të mirënjohur ‘ReMusica’, ku deri tash kemi pasur shume artistë të huaj dhe të rinj, të të gjitha seksioneve me këtë orkestër të cilën e drejton, drejtori i cili është pianist dhe dirigjent, Desar Sulejmani”, ka thënë ajo. Ka shtuar se muzika nuk dallon gjuhë e politikë. “Përfaqëson atë më të bukurën, artin muzikor, e sidomos një orkestër si kjo me një repertor fantastik”, ka thënë Baruti.
Koncerti i “Orkestrës...” ka qenë pikërisht ky përfaqësim i së bukurës dhe fuqisë së muzikës në shembje kufijsh.