Gara e Kompozitorëve të Ballkanit. e cila po zhvillon edicionin e tretë, misionin e vet e ka konkretizuar edhe në një tjetër aspekt, duke sjellë në një botim të përbashkët gjashtë vepra të edicionit të dytë, sikurse edhe incizimin e pesë veprave të të parit. Me këtë, nuk ndalet vetëm te futja në garë e kompozitorëve të rinj, por pasuron literaturën muzikore me vepra të reja, ua hap shtigjet interpretimit të tyre më të gjerë. Njëkohësisht është edhe në dobi të instrumentistëve.
Përurimi i përmbledhjes dhe i regjistrimit të veprave, të mërkurën pasdite në ambientet e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës është shoqëruar edhe me rishfaqjen e dokumentarit nga edicioni i parë i garës, përderisa Zanë Abazi në flaut ka sjellë veprën “TAH (they are here) të Bardh Dubovcit e Sussane Peters ka sjellë veprën “Mixordia 4 ‘transmitting’” të Tomislav Oliver-it. E para ka qenë fituese e Çmimit të Publikut në edicionin e kaluar të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit. Ajo e kroatit kishte fituar Çmimin kryesor.
“Rëndësia e krejt kësaj gare është se ju jep mundësi kompozitorëve të rinj nga Ballkani të kalojnë kohë së bashku e të ndajnë përvoja me njëri-tjetrin. Po ashtu të kenë mundësi të performojnë edhe si pjesë e festivalit. Jam shumë e lumtur për faktin se që nga edicioni i dytë janë bërë publikime të tilla sepse. Për mua është shumë kënaqësi të punoj me kompozitorë të rinj. Kjo po ashtu do të thotë se i kemi 6 vepra më shumë në repertorin për flaute. Edhe flautistët e rinj mund t’i luajnë sepse janë vepra të shkurtra bashkëkohore dhe të lehta për t’u luajtur”, deklaroi Peters.
Për veprat e botuara Peters ka thënë se është një mundësi shumë e mirë për instrumentistët që ta eksplorojnë muzikën bashkëkohore pa pasur frikën e prishjes së melodisë.
“Të them të drejtën është mjaft proces i lehtë. Tash që kam ardhur për edicionin e tretë dhe po i shoh të gjithë që ende janë shumë të lumtur për këtë ngjare dhe sa kureshtarë janë. Nëse e përjeton për herë të parë njerëzit kanë pak frikë të luajnë muzikë bashkëkohore duke menduar se e prishë melodinë por në fakt është e kundërta dhe mundësia për të eksperimentuar me tinguj të ndryshëm”.
Gjatë krejt përvojës së saj, mungesa e dokumentimit të ngjarjeve kulturore është diçka që e ka shqetësuar muzikologen Rreze Kryeziu.
“Gjatë kësaj eksperience ajo që gjithmonë më ka shqetësuar ka qenë mungesa e dokumentimit të aktiviteteve, rrethanave e ngjarjeve kulturore që nuk kanë qenë të pakta në vendin tonë me gjithë problematikat të cilat edhe si shtet vazhdojmë t’i kemi me vete. Ajo çfarë nuk do t’i lejoja vetes asnjëherë është që në aktivitetet ku do të isha e përfshirë unë të mos leja së paku një dokument”, tha Kryeziu.
Kjo garë tash e tri edicione, sipas Kryeziut, vjen me qëllimin e promovimit të kompozitorëve të Ballanit jo veç në Evropë, por në tërë globin, me shpresën se edicionet e ardhshme të shtrihen edhe në qytetet e tjera, pos Prishtinës.
“Në fakt vet qëllimi kryesor i garës është të krijojë mundësi komunikimi në mes kompozitorëve të Ballkanit sepse fatkeqësisht diçka e tillë mungon edhe me vendet me te cilat e kemi këtë lirinë e lëvizjes. Me anë të garës po synojmë të promovojmë punën e kompozitorëve të Ballkanit, jo vetëm në Ballkan por në mbarë globin qoftë përmes publikimit, qoftë përmes performancave”.
Gara tashmë ka katër finalistë dhe të premten do të ndahet çmimi “Rrëqebulli i argjendtë” për kompozitorin fitues të edicionit të sivjetmë.