Grupi aktivist “Letzter Generation” (Gjenerata e Fundit) të dielën publikoi një video që shpërfaq se dy prej aktivisteve hedhin pure patatesh mbi një pikturë të Monet-it në një galeri në Potsdam afër Berlinit.
Dy të rejat hodhën atë që ato e përshkruan si pure patatesh mbi pikturën “Meules” të Claude Monet.
Ato aluduan për vëmendjen që kanë sjellë protesta të tilla të mëparshme në javët e fundit.
“Njerëzit po vdesin nga uria, njerëzit po ngrijnë, njerëzit po vdesin. Jemi në një katastrofë klimatike. Dhe e vetmja gjë nga e cila keni frikë është supa me domate ose pure patatesh në një pikturë”, ka thënë njëra prej tyre.
“A e dini se nga çfarë kam frikë? Shkenca thotë se ne nuk do të jemi në gjendje të ushqejmë familjet tona në vitin 2050. A duhen pure patatesh në një pikturë për t'ju bërë të dëgjoni? Kjo pikturë nuk do të vlejë asgjë kur të luftojmë për ushqimin. Këtu është qëllimi që më në fund do të dëgjoni dhe nuk do të vazhdoni si më parë”, vazhdoi ajo.
Dy protestuese të tjera u ngjitën në dysheme si pjesë e demonstratës.
Një zëdhënës i policisë ka thënë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA se dy nga protestueset u arrestuan dhe po hetohen për shkelje të mundshme dhe dëmtim të pronës.
Një zëdhënëse e muzeut “Barberini” në Potsdam ka thënë se nuk ishte ende e qartë nëse piktura kishte pësuar dëmtime të përhershme. Sipas Carolin Stranz, çështja do të hetohet.
Në të kaluarën, protesta të tilla, duke përfshirë atë që kishte në shënjestër një nga veprat e Van Goghit në Londër, kishin synuar pikturat e shfaqura pas një forme mbulese mbrojtëse. Në atë rast, piktura pësoi vetëm dëmtime të lehta.
Stranz ka treguar se vepra e Monetit mbrohej nga një kornizë xhami.
Piktura, pjesë e serisë së impresionistit Claude Monet, është e varur në ekspozitën e përhershme të muzeut “Barberini”. Është pjesë e një koleksioni në Muze të themeluar nga multimiliarderi Hasso Plattner, një bashkëthemelues i gjigantit të softuerit të biznesit SAP.
Siç aluduan protestueset e së dielës, demonstratat e kësaj natyre kanë nxitur vëmendjen e pazakontë të medias sipas standardeve të shumë protestave klimatike, duke sjellë mbështetje dhe kritika.
“Gjenerata e fundit” gjithashtu ka organizuar protesta që synojnë rrugët dhe autostradat në Gjermani, duke u ulur ose duke u ngjitur në asfalt. Kohët e fundit disa nga aktivistët e saj janë bashkuar edhe me vepra të ndryshme artistike.
Anëtarët kryesorë të grupit gjithashtu shkuan në grevë urie duke kërkuar një takim me kancelarin Olaf Scholz gjatë fushatës zgjedhore gjermane.
VIDEO: