Në moshën 90-vjeçare është ndarë nga jeta të dielën piktori i madh shqiptar Omer Kaleshi, njofton “INA” të dielën.
Kaleshi u lind në vitin 1932 në fshatin Kastriot të Kërçovës. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa në vitin 1956 migroi në Turqi me gjithë familjen. Në vitin 1959 ai regjistroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, në degën e pikturës.
Në vitin 1963 hapi ekspozitën personale në galerinë “Robert College” në Stamboll, kurse në vitin 1965 përfundoi studimet dhe njëkohësisht hapi disa ekspozita në Ankara, Beograd, Shkup. Po atë vit Kaleshi u vendos në Paris të Francës.
Në vitet 1966-1967 ekspozoi punimet e tij, ndër tjera edhe në: Hagë – “Salloni i piktorëve të pavarur”, “Salloni internacional i pikturës”, në Paris – “Salloni i realiteteve të reja”, “Qendra kulturore 17”, në Lecce të Italisë – “Salloni i majit”.,
Ai hapi ekspozitë në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe Galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë.