Kulturë

Omer Kaleshi – peneli i thesarit kombëtar dhe i dramës njerëzore

Portretet e tij janë unike. Kokat e dervishëve, të çobanëve e të tjera janë karaktere të ndryshme, por vijnë në format të njëjtë. Nuk kanë veshë e as trup. Për këto kishte shpjegime prej më të ndryshmëve. “Koka mund të jetojë edhe vetë, nuk ka nevojë për trupin”, thoshte Omer Kaleshi. Piktori i thesarit kombëtar dhe i dramës njerëzore vdiq në moshën 90-vjeçare. Vdekja e shqiptarit nga Maqedonia është vlerësuar si humbje e artistit që kontribuoi si rrallëkush në thesarin e artit shqiptar e atij botëror. Fjalëpakë e punëtor i madh, është një prej përshkrimeve që ia bëjnë miqtë e kolegët e tij

Forma e flokëve ia bënte veshët thuajse të padukshëm. Krejt të padukshme këto organe të dëgjimit ishin te shumica e portreteve të punuara nga artisti. Por për Omer Kaleshin është dëgjuar gjithandej botës. Sidomos në Evropë shqiptari flokëthinjur ka ekspozuar nëpër galeri me nam artin e tij unik. Kaleshi vdiq të shtunën në moshën 90-vjeçare, përderisa lajmi u bë i ditur të dielën. Për më shumë se gjysmë shekulli jetoi në Paris, përderisa ka vdekur në shtëpinë e tij në Stamboll. Vdekja e shqiptarit nga Maqedonia është vlerësuar si humbje e penelit që kontribuoi si rrallëkush në thesarin e artit shqiptar e atij botëror. Fjalëpakë e punëtor i madh, është një prej përshkrimeve që ia bëjnë miqtë e kolegët e tij.

Rruga e kthesës jetësore

Kaleshi u lind në vitin 1932 në fshatin Kastriot të Kërçovës. Më pas do të zhvendosej në Shkup për të vazhduar shkollimin e mesëm. Do të zgjidhte Shkollën Teknike në Shkup. Synimet ishin që të bëhej elektricist. Sikurse krejt të rinjtë e kohës së ish-Jugosllavisë ishte detyruar që të përfundonte shërbimin ushtarak. Elektricistit të ri i kishte rënë hise që të bënte dy vjet ushtri, prej 1952-tës deri më 1954 në Kroaci, për t’u kthyer në Maqedoni, ku vazhdonte punën në profesionin e parë. Por siç kishte rrëfyer ai për një intervistë të gjatë për “Kohën Ditore” në shkurt të vitit 2016, një ecje pranë Hamamit të qytetit në Shkup do të bëhej shkak që artisti me nam botëror të ndalonte pak tek objekti simbol i qytetit të vjetër.

“Ishte viti 1955. Pashë se aty te Hamami kishte shumë njerëz. Isha kureshtar ta dija se çfarë po bëhej. Kur hyra brenda ishte ekspozita e Henry Mooreit. Kishte disa gravura që i kishte punuar në Londër”, kujtonte Kaleshi. E këtu do të bëhej ndarja e madhe. Punimet e artistit që ka lënë gjurmë në skulpturë, ia kishin tërhequr shumë vëmendjen. Moore (1898-1986) kishte paraqitur një kohë të zymtë të kryeqytetit britanik kur po përballej me bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shpërfaqeshin njerëz të frustruar në stacione treni. Fati i zhvendosjes do të përjetohej edhe nga vetë Kaleshi, sikurse u ndodhi shumë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Kaleshit i kishte shkuar mendja se duhej ta peshonte dëshirën midis të punuarit si elektricist apo t’i përvilte mëngët për t’u bërë artist. Kjo e dyta i doli më e rëndë.

Image
“Nëpërmjet rrugëtimit të tij jetësor, ai ka dhënë mesazhe të ndryshme sociale, të dhimbshme dhe nganjëherë tepër dramatike. Interesimi dhe preokupimi kryesor i tij kanë qenë gjithnjë portreti, fytyra, brenga e njeriut, trishtimi, dhimbja, gëzimi i tij”, ka thënë artisti e kuratori Zeni Ballazhi

“Prej aty kam thënë se dua të bëhem piktor”, rrëfente Kaleshi. Afro një vit më vonë së bashku me familjen do të emigronin në Turqi. Pak ditë do të punonte si elektricist e më pas do të niste studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll. Rrëfente se asnjëherë nuk ka mundur të punojë në praninë e të tjerëve. Madje as në lëndën e nudos në Akademi. Duke parë talentin e tij, mësimdhënësit e kishin lejuar që të punonte në shtëpi.

Pas studimeve do të zhvendosej në Paris. Si mjeshtër model kishte zgjedhur Francisco Goyan e si ngjyrë me të cilën do të identifikohej, të kuqen. Në Paris jetoi – në bulevardin “Arago” – i vetëm deri pak para vdekjes.

Tablotë dramatike

Portretet e tij janë unike. Kokat e dervishëve, të çobanëve e të tjera janë të ndryshme, por vijnë në format të njëjtë. Nuk kanë veshë e as trup. Për këto kishte shpjegime prej më të ndryshmeve. “Koka mund të jetojë edhe vetë, nuk ka nevojë për trupin”, thoshte Kaleshi.

Artisti, ligjëruesi i artit e kuratori Zeni Ballazhi ka thënë se Kaleshi ishte një piktor i përmasave botërore, i cili me eksperiencën e tij artistike shfaq një profil krijues mjaft të veçantë. Sipas tij, pikturat e Kaleshit bartin në vete një histori personale të autorit.

“Nëpërmjet rrugëtimit të tij jetësor, ai ka dhënë mesazhe të ndryshme sociale, të dhimbshme dhe nganjëherë tepër dramatike. Interesimi dhe preokupimi kryesor i tij kanë qenë gjithnjë portreti, fytyra, brenga e njeriut, trishtimi, dhimbja, gëzimi i tij”, ka thënë Ballazhi. Në perspektiven e tij, tablotë e Kaleshit janë e gjitha një dramë e thellë njerëzore, e cila përcillet nga ato portrete të shumta barinjsh, dervishësh, grash apo fëmijësh nëpër stacione të trenave që nxitonin t’u shisnin me shporta frutash në duar udhëtarëve që shkonin larg.

“Duke shikuar portretet e Omer Kaleshit, vëren gravitetin e rëndë të jetës dhe njeriut, zymtimin dhe vuajtjen sizifiane gati në mënyrë stoike, një dramë e vërtetë ballkanike. ‘Ka vite që punoj mbi këtë dramë’”, ka thënë Ballazhi. Derisa ka folur për artin e Kaleshit, ka thënë se pikturat e tij të para reflektojnë një stil abstrakt-ekspresionist, me theks të veçantë te imazhet e ardhura prej fëmijërisë së tij dhe vitet e para të adoleshencës në ish-Jugosllavi. Por, sipas Ballazhit, periudha që formoi tiparet dhe karakteristikat kryesore të individualitetit të tij artistik si piktor origjinal, përbëhet nga seria e portreteve me origjinë nga mjediset sociale e urbane të Anadollit.

“Artisti ka zgjedhur pamjet e zymta, gati asketike, duke transfiguruar mungesën e shprehjes së rrokshme të stilit realist në një stil ‘ndryshe’, ku tashmë bëhen aktive imazhet amorfe si në mishërimin e shqisave të zakonshme, pamjet si të rëndomta, fytyra të përvuajtura, herë të buhavitura dhe herë nën një trishtim rëndues, ku shprehen vetmia dhe jeta e njeriut nëpërmjet dritëhijes, ngjyrave”, ka thënë Ballazhi.

Image
“Nga pëlhura e tij del një vizion global. Tablotë e tij kërkojnë e të japin fytyrën e një popullsie që mbush një hapësirë të gjerë”, shkruan Ismail Kadare për veprat e Kaleshit në esenë e gjatë “Arti si mëkat”

Kaleshi gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në ekspozita kolektive e po ashtu ka hapur edhe shumë ekspozita personale. Midis tyre, Ballazhi ka përmendur “Salloni i piktorëve të pavarur” në Hagë, “Salloni ndërkombëtar i pikturës”, “Salloni i realiteteve të reja, qendra kulturore 17” në Paris më pas në Leçe të Italisë “Salloni i majit”, si dhe ekspozitat e tij në Galeritë e Shkupit e të Prishtinës. Ka thënë se ai në vitet 1979-1989 mori pjesë edhe në “Sallonin e Ri” në Paris, si dhe në ekspozitën kolektive në Institutin e Audiovizualitetit, më pas në “Sallonin e artistëve francezë” po në Paris. Harta e ekspozimit të veprave të Kaleshit shkon deri në Stamboll, Moskë, Izmir, Egjipt, Spanjë, Zvicër e vende të tjera.

“Ekspozita më e rëndësishme e tij është ajo që u hap në UNESCO në vitin 2003. Ciklet e tij piktoreske ‘Drama ballkanike’ dhe ‘Kokat mbi një fill’ tërhoqën shumë mendimin kritik botëror, historianë, poetë, shkrimtarë dhe njohës të arteve pamore, që të shkruajnë dhe të shprehen gjer në tone entuziaste për krijimtarinë e tij. Ndër ta mund të përmenden: Jacques Lacarriere, Ismail Kadare, Luan Rama, Luan Starova e të tjerë”, ka thënë Ballazhi.

Ngjashmëritë dhe karakteri unik

Njeri modest e portret të thjeshtësisë e ka përshkruar Kaleshin miku i tij e artisti Adem Rusinovci. Ka thënë se asnjëherë nuk e ka dëgjuar duke folur për dikë, por gjithmonë ka gjetur diçka pozitive te secili që i ka rënë hise ta takojë.

“Njeri fantastik që ka folur pak dhe ka dëgjuar shumë. Nganjëherë e lëshonte ndonjë batutë. Ishte shumë bujar”, ka thënë Rusinovci. Sa u përket veprave të Kaleshit ka thënë se “portretet duken të njëjta, por secili e ka karakterin e vet”.

“Është një prej artistëve që ka kryer një shkollë në Stamboll. Vetë e ka thënë se nuk ka punuar në prezencë të askujt. Pos Luan Ramës, askush kurrë nuk e ka parë duke punuar. I takon historisë së artit jo veç të shqiptarëve, por historisë botërore të artit”, ka thënë Rusinovci.

Orhan Kerkezi, bashkë me skulptorin Adem Rusinovci, e kishin bindur Omer Kaleshin të bëhej protagonist në filmin e shkurtër “Homazh për Charlie Chaplinin”, i cili prej se mori çmimin e parë në Festivalin e Filmit të Evropës Juglindore në Paris në maj të 2012-s “u zhduk”, siç ishte dëshira e regjisorit.

“Ai edhe ne jemi kënaqur gjatë xhirimeve për film. Kaherë nuk kam parë njeri më të këndshëm në jetë. Bile mund të them se asnjëherë nuk kam takuar njeri të tillë”, ka thënë Rusinovci. Të dielën regjisori Orhan Kerkezi ka thënë të jetë shumë rëndë emocionalisht shkaku i vdekjes së mikut të tij. Derisa i është kërkuar një prononcim për Kaleshin, kushti i tij ka qenë t’i jepet kohë për nja 15 minuta.

“Ditët e paharruara të jetës sime janë pesë a gjashtë... Nga këto më të vlefshmet janë ditët me Omerin”, është krejt çka ka thënë ai.

Piktorja e ligjëruesja universitare Zake Prelvukaj e ka përshkruar Kaleshin si njeri të butë e të heshtur, i cili gjatë bisedave ishte kurioz për ngjarjet kulturore në Kosovë. Ka thënë se Kaleshi motivin për krijimtari e ka pasur të veçantë, duke punuar portrete dhe në përgjithësi figura të njerëzve të cilat shpesh ju ngjanin dervishëve e të tjerëve. Sipas saj, me disa karaktere që i ka paraqitur, Kaleshi ishte i rrethuar në fëmijëri.

“Do të thotë se ka absorvuar në rini ndërsa i ka plasuar kur është pjekur në moshë të rritur. Puna e tij është e pastër. I ka përdorur ngjyrat e pastra ku në shumicën e tyre dominojnë e kuqja, e bardha dhe e zeza e valorizuar”, ka thënë Prelvukaj. Sipas saj, Kaleshi ka punuar pikturën bashkëkohore.

“Nuk ka ngjashmëri me asnjë krijues. Shkurt, ishte artist i veçantë, siç ishte edhe vepra e tij. Shpresoj se veprat e tij pa dyshim që do ta kenë vendin në Muzeun e Arteve Bashkëkohore të Kosovës”, ka thënë ajo. Sipas Prelvukajt, veprat e Kaleshit janë thesar kombëtar.

Piktori model me vlera të përbotshme

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë një jetëshkrim të Kaleshit, ku, midis të tjerash, ka përmendur faktin se piktori për herë të parë e vizitoi Shqipërinë në vitin 1989, por vetëm në vitin 2004 piktura e tij do të bëhej e njohur për publikun shqiptar. Sipas Akademisë, ekspozitat dhe mendimet e rrëfyera prej tij u pritën me shumë entuziazëm dhe u vlerësuan shumë prej sistemit të artit në Shqipëri. “E veçuan si artist me kontribut të shquar artistik, profesional e me gjuhë krejt specifike, pasi piktura e tij trajtonte subjekte epike me formë ekspresive, abstrakte dhe figurative, ku e kuqja në kafe me dritë konturohet nga një linjë e zezë e fortë, e spikatur mbi sfondin e bardhë”, shkruhet në postimin e Akademisë. Sipas këtij institucioni, përmes cikleve me tituj “Kokat”, “Kokat mbi fill”, “Drama ballkanike”, ku ndërmjet tyre zënë vend edhe emocione figurative të besimit të vet bektashian, emri i Omer Kaleshit vendoset qartësisht në faqet e historisë së artit shqiptar, në trojet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në amzën e akademisë të artit turk dhe në mjedisin e artit evropiano-francez. “Ai do të kujtohet si një prej piktorëve me gjuhë të pastër të ndërkombëtarizuar, ku ekspresioni dhe emocioni i origjinës së tij shqiptare janë regjistruar në thurjen e telajove të tij në të bardhë, të zezë e të kuqe”, shkruhet në postim.

Vdekjen e Kaleshit e kanë vlerësuar si një humbje të madhe edhe figurat politike e prijësit qeveritarë.

Kryeministri Albin Kurti nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjur, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar Omer Kaleshi. Ka përmendur se një ekspozitë në Shkup do të bëhej sebep që Kaleshi të bëhej piktor.

“Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak, meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai”, ka shkruar Kurti. Kokat e Kaleshit në krijimtari i ka përshkruar goxha shumë.

“Në historinë e artit, piktori i kokave Omer Kaleshi, do të regjistrohet edhe si piktori unik që hapësirat e bardha brenda pikturave të tij i linte në vetë të bardhën e pëlhurës. Në mbamendjen e shqiptarëve, Omer Kaleshi mbetet piktori model që frymën e tij shqiptare e përktheu në artin e tij me vlera të përbotshme”, ka shkruar Kurti.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ka cituar Ismail Kadarenë derisa ka shkruar për Kaleshin. Sipas Margaritit, Omer Kaleshi e kreu kapërcimin drejt përjetësisë. Kaleshi pos që jetonte i vetëm, asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja të krijonte familje.

“Nga pëlhura e tij del një vizion global”

Pyetjen se përse jeton i vetëm ia kishte shtruar edhe shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare. Edhe atij Kaleshi i kishte thënë se dëshiron të jetë veç krijues në art pa brenda të tjera. Shkrimtari më i përkthyer shqiptar ua ka kushtuar një ese edhe kokave të Kaleshit. Në veprën “Arti si mëkat”, shkrimtari pyet se nga vijnë këto koka e ç’kërkojnë?

“Të largëta, si të pjella nga një kujtesë tejhistorike, shtillen njëra pas tjetrës, me atë ndriçim që e kanë thithur përbrenda. Duket sikur duan të japin një kumt e nuk e japin dot. Është një kohë e ashpër, gati barbare, që i ka pjellë, për të cilën, ndoshta, kanë nostalgji, ose e kundërta, me të cilën duan të ndahen. Janë aty me atë moskuptim të pafund në sy, me një pritje tragjike, ndoshta pritjen për ta bërë një kapërcim...”, shkruan Kadare. Tutje shkrimtari lë të kuptojë se i ka bërë analizë edhe prirjes për t’u bërë artist. Shkruan se ka dy fate artistësh. Sipas Kadaresë, janë ata që lindin dhe rriten në shtëpi ku arti është i pranishëm, me bibliotekë plot libra e ku pasdite nëna luan në piano e pasdarke bëhet muhabet për letërsinë. Flet edhe për ata që kanë një fat krejt tjetër.

“Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë dhe të vetmit dialogë dramatikë që janë dëgjuar kanë qenë grindjet e prindërve në ditët plot mërzi”, shkruan Kadare. Sipas tij, askush nuk mund ta dijë se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël.

“Ai që e josh me praninë e tij gjithkund, apo tjetri, që ia shton etjen me mungesën e tij”, shkruan Kadare. Si Kaleshi, ashtu edhe Kadare i takojnë kategorisë së dytë. Por që të dy në krijimtari janë të kategorisë së parë. Sipas Kadaresë, askund nuk mund të ketë pasur popull që përbëhet vetëm prej barinjsh e prej dervishësh sikurse në veprat e Kaleshit.

“Nga pëlhura e tij del një vizion global. Tablotë e tij kërkojnë e të japin fytyrën e një popullsie që mbush një hapësirë të gjerë”, shkruan Kadare. Një hapësirë të gjerë të historisë së artit pamor në botë e ka mbushur vetë Kaleshi dhe do të jetë gjithmonë e tij. Do t’iu takojë kokave unike e karaktereve mistike.