Kulturë

Varësja në formë kryqi, thesar i ri në kulturën saksone

Varësja në formë kryqi, thesar i ri në kulturën saksone

Ekspertët besojnë se varësja daton nga shekulli i tetë të erës sonë dhe mendohet se i ka përkitur një personi me status të lartë, ndoshta një zyrtari kishtar, dhe mund të ketë shërbyer si një shenjë dalluese për një udhëheqës të rëndësishëm kishtar. Ky zbulim ofron një pasqyrë të rrallë mbi jetën fetare dhe kulturën elitare të Northumbrias më shumë se 1200 vjet më parë

(The Jerusalem Post) – Një varëse e rrallë dhe e zbukuruar në mënyrë të ndërlikuar nga periudha saksone, në formë kryqi, u zbulua në një arë pranë Leedsit, në veri të Anglisë, nga një përdorues detektori. Ekspertët besojnë se varësja daton nga shekulli i tetë të erës sonë dhe mendohet se i ka përkitur një personi me status të lartë, ndoshta një zyrtari kishtar, dhe mund të ketë shërbyer si një shenjë dalluese për një udhëheqës të rëndësishëm kishtar. Ky zbulim ofron një pasqyrë të rrallë mbi jetën fetare dhe kulturën elitare të Northumbrias më shumë se 1200 vjet më parë.

Varësja e vogël në formë kryqi është e bërë nga argjendi i pastër, e mbuluar me një shtresë të hollë të fletës së arit, dhe është gdhendur me motive ndërlidhëse saksone në të dy anët. Megjithëse njëri krah është e dëmtuar dhe guri qendror mungon, varësja konsiderohet një shembull i mjeshtërisë së hershme mesjetare.

“Është krijuar në një kohë kur Leeds ishte pjesë e mbretërisë saksone të Northumbrias dhe, së bashku me një sërë zbulimesh të tjera në zonë, na ndihmon të krijojmë një pasqyrë për llojin e njerëzve që jetonin këtu në atë kohë”, ka thënë Kat Baxter, kuratore e arkeologjisë në Muzetë dhe në Galeritë e Leedsit.

“Këto zbulime janë pjesë e një puzzle që së bashku tregojnë se Leeds ishte vendbanim i individëve me status të lartë gjatë periudhës saksone.”

Blerja e varëses u mbështet nga fondi për blerje i Këshillit të Arteve të Anglisë, Shoqëria Filozofike dhe Letrare e Leedsit, si dhe Miqtë e Muzeve të Qytetit Leeds.

“Është gjithmonë e mrekullueshme kur arrijmë të shtojmë objekte të rëndësishme si ky në koleksionet tona, dhe jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të donatorëve dhe vizitorëve për ndihmën në ruajtjen e trashëgimisë sonë lokale”, ka thënë këshilltarja Salma Arif, anëtare ekzekutive për shëndetin publik dhe stilin aktiv të jetesës në Këshillin Bashkiak të Leedsit.

Varësja do të ekspozohet për publikun më vonë këtë vit në Muzeun e Qytetit në Leeds.

“Ky zbulim është një shembull i bukur i historisë që na rrethon dhe ofron një pasqyrë tërheqëse në rrëfimin e Leedsit”, shtoi Arif.

Zbulimi është pjesë e një sërë zbulimesh arkeologjike që kanë ofruar njohuri më të thella për jetën në Yorkshirein e hershëm mesjetar. Rajoni përmendet për herë të parë me shkrim si “Loidis” nga Shën Beda i Nderuar në shekullin e tetë.

Zbulimi i kryqit është më i fundit në një seri zbulimesh saksone dhe romake në zonën e Leedsit, përfshirë një varrezë romake të vonë dhe saksone të hershme të zbuluar dy vite më parë. Vendvarrimi përmbante eshtrat e mbi 60 individëve nga periudha romake e vonë deri te ajo saksone e hershme. Ndër zbulimet më të rëndësishme ishte një arkë plumbi, e varrosur për më shumë se 1600 vjet, e zbuluar pranë Garforthit, që përmbante eshtrat e një gruaje të moshës 25 deri në 35 vjeç.

Gruaja në arkën prej plumbi ishte varrosur me bizhuteri, përfshirë byzylykë, një gjerdan me rruaza prej xhami dhe një unazë ose vath. Këto artefakte, së bashku me varësen e zbuluar së fundmi, japin informacion për shoqërinë elitare dhe praktikat e varrimit të asaj kohe.

“Për fat të keq, objektet që përfaqësojnë njerëzit më pak të pasur kanë më pak gjasa të mbijetojnë”, ka thënë Baxter. Ruajtja e objekteve si kjo varëse është meritë e madhe e përdoruesve të përgjegjshëm të detektorëve të metaleve dhe të Skemës së Antikiteteve të Lëvizshme.

“Pa ta, kjo copëz e bukur e artizanatit sakson dhe shumë të tjera si ajo nuk do të ishin gjetur kurrë dhe nuk do të ishin bërë të qasshme për gjeneratat e ardhshme”, theksoi ajo.

Në vitin 2012, Muzetë dhe Galeritë e Leedsit blenë Thesarin e Yorkshireit Perëndimor, një koleksion artefaktesh nga shekulli i shtatë deri në të 11-tin, që përfshin pesë bizhuteri prej ari me cilësi të lidhur me shoqërinë elitare saksone.