Dy studiues në Gjermani analizuan më shumë se 3.000 shenja në rreth 260 objekte që datojnë nga periudha 34.000 deri në 45.000 vjet më parë. Theksojnë se këto zbulime nuk do të thonë se evropianët e epokës së gurit “përdornin fjalë ose gramatikë”, por sugjerojnë se ata kishin zhvilluar aftësinë për regjistrimin vizual të të dhënave, dhjetëra mijëra vjet para shpikjes së shkrimit të vërtetë
(The Times) – Shenja në objekte më të vjetra se 40.000 vjet, të konsideruara për një kohë të gjatë si zbukurime të thjeshta, mund të jenë një formë e hershme e regjistrimit të informacionit, madje dhjetëra mijëra vjet para shfaqjes së shkrimit të parë. Kësisoj besojnë gjuhëtari Christian Bentz nga Universiteti Saarlandit dhe arkeologia Ewa Dutkiewicz nga Muzeu i Parahistorisë dhe Historisë së Hershme në Berlin, të cilët kanë analizuar objekte nga paleoliti, ka njoftuar Universiteti i Saarlandit.
Ata analizuan më shumë se 3.000 shenja në rreth 260 objekte që datojnë nga periudha 34.000 deri në 45.000 vjet më parë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShumë artefakte vijnë nga shpellat e vargmaleve Swabian në jugperëndim të Gjermanisë, një rajon i njohur për artin e epokës së akullnajave. Midis tyre janë edhe një figurë e vogël mamuti e gdhendur në fildish dhe figura e “njeriut-luan” nga shpella Hohlenstein-Stadel, të cilat janë të shënuara me rreshta të rregullt kryqesh, pikash dhe vijash. Vargje të ngjashme shfaqen në vegla dhe objekte në të gjithë Evropën.
“Analizat tona tregojnë se këto vargje shenjash nuk kanë asnjë lidhje me sistemet e sotme të shkrimit, të cilat përfaqësojnë gjuhë të folura dhe karakterizohen nga një dendësi e lartë informacioni. Përkundrazi, shenjat në objektet arkeologjike shpesh përsëriten – kryq, kryq, kryq, vijë, vijë, vijë. Kjo lloj përsëritjeje nuk është tipar i gjuhës së folur”, ka thënë Bentz. “Megjithatë, gjetjet tona tregojnë gjithashtu se gjuetarët-mbledhës të paleolitit zhvilluan një sistem simbolesh që ka një dendësi informacioni statistikisht të krahasueshme me pllakat më të hershme proto-kuneiforme nga Mesopotamia e lashtë, të cilat u krijuan 40.000 vjet më vonë. Vargjet e shenjave në shkrimin proto-kuneiform janë gjithashtu repetitivë dhe shenjat individuale përsëriten me një frekuencë të ngjashme. Për nga kompleksiteti, këto vargje shenjash janë të krahasueshme”.
Sipas arkeologes Dutkiewicz, figurinat tregojnë një dendësi më të madhe informacioni sesa veglat. Ajo më parë ka qenë kuratore e parkut arkeologjik Vogelherd.
Përdorimi i metodave kompjuterike nga gjuhësia ka treguar se sekuencat e këtyre shenjave janë jashtëzakonisht të strukturuara dhe kanë ngjashmëri me regjistrimet në shkrimin proto-kuneiform, një sistem shenjash që u shfaq në Mesopotaminë jugore rreth vitit 3.000 para erës sonë. Shkencëtarët shpjegojnë se një varg shumë i parashikueshëm shenjash (si “kryq, kryq, kryq, kryq”) mund të bartë shumë më pak informacion sesa një varg më i larmishëm (për shembull: “kryq, pikë, kryq, vijë”).
Përveç kësaj, studiuesit theksojnë se këto zbulime nuk do të thonë se evropianët e epokës së gurit “përdornin fjalë ose gramatikë”, por sugjerojnë se ata kishin zhvilluar aftësinë për regjistrimin vizual të të dhënave, dhjetëra mijëra vjet para shpikjes së shkrimit të vërtetë.
Arkeologët dhe gjuhëtarët theksojnë se këto janë vetëm hapat e parë në kuptimin e domethënies së këtyre shenjave. Nëse ato regjistronin pronësinë, të dhëna gjuetie, njohuri rituale apo diçka tjetër, ende nuk është përcaktuar.
“Ka shumë teori, por deri tani është bërë shumë pak punë empirike”, ka thënë Christian Bentz.
Marrë nga “The Times”. Përktheu: KOHA