Kulturë

Ura kryesore e “Winnie the Pooh” pret blerësin në ankand

Aventurat e ariut që çmendet pas mjaltit me “Winnie the Pooh” kanë mahnitur fëmijët – dhe prindërit e tyre – për afro 100 vjet. Ndjekësit tani kanë një mundësi për t’u bërë pronarë të një objekti që ka rëndësi të madhe në historinë e Poohs, kur një urë fshati në jug të Anglisë do të dalë në ankand javën e ardhshme.

Autori i serisë së librave jashtëzakonisht të njohur të ariut Pooh, A. A. Milne, shpesh luante me djalin e tij, Christopher Robin, në urë në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Kështu u bë një vend kryesor për aventurat e Poohs dhe miqve të tij në serinë që filloi në vitin 1926.

“Dalja e urës në ankand është ndoshta mundësia më e madhe në nivel global për njerëzit që të arrijnë dhe të jenë në gjendje ta blejnë atë dhe ta vendosin në një muze”, ka thënë James Rylands nga “Summer Place Auctions”, i cili ka vendosur në ankand objekte të ngjashme edhe më herët, përfshirë një pjesë të Murit të Berlinit me peshë 20 tonë.

Rylands e përshkroi urën si “një nga objektet letrare më të rëndësishme ikonike që ekzistojnë” dhe shtoi se shpreson që ura të shitet për 250 mijë funte, shumë që tejkalon vlerësimin prej 40 mijë deri në 60 mijë funte, të vendosur në ankandin e së martës.

“Kur ju në të vërtetë flisni për historinë dhe shtoni emocionet dhe lumturinë që ‘Winnie the Pooh’ u ka sjellë brezave të fëmijë ndër viteve, është shumë e vështirë ta çmoni atë”, ka thënë Rylands. “Nëse kushton një çerek milioni, atëherë nuk do të habitem”.

Ura e quajtur fillimisht “Posingford Bridge” u ndërtua rreth vitit 1907 dhe më 1997 u quajt zyrtarisht “Poohsticks Bridge” nga djali i autorit të ndjerë, lodrat e të cilit ishin baza për realizimin e serisë “Pooh”.

Më pas u hoq në vitin 1999, pasi ishte kaluar së tepërmi nga vizitorët dhe u zëvendësua me një strukturë më të re, të financuar kryesisht nga korporata “Disney”.

Ura origjinale u çmontua dhe u ruajt në “Ashdown Forest Center” në qarkun jugor të Sussexit Lindor, derisa Këshilli i Famullisë lokale kohët e fundit dha lejen që ajo të restaurohej. Ura, e cila është 8.87 metra e gjatë dhe 4.5 metra e gjerë, tani është restauruar plotësisht duke përdorur lisin lokal për çdo element që mungonte.

Ankandi përkon me njëqindvjetorin e ardhjes së Poohut në botë, kur Christopher Robin mori një arush pelushi me gëzof nga dyqani luksoz “Harrods” në ditëlindjen e tij të parë.

Rylands ka thënë se ka pasur interes nga e gjithë bota, por shpreson që ura të mbetet brenda komunitet vendës.

“Shpresoj që të qëndrojë në Sussex, sepse pa dyshim që ka një rëndësi të madhe për komunitetin”, ka thënë ai. “Por nëse përfundon në Shtetet e Bashkuara ose në Japoni, kudo që të shkojë mendoj se do të ketë të njëjtin kujdes e dashuri”.