Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ulay – pionieri dhe provokatori i artit bashkëkohor

Lubjanë, 3 mars – Artisti performues Ulay ka ndërruar jetë në Lubjanë, Slloveni, në moshën 76-vjeçare. Ai po vuante prej kancerit limfatik. I lindur si Frank Uwe Laysiepen në Gjermani, Ulay dhe partnerja e atëbotshme e tij, artistja performuese serbe Marina Abramoviq, u bënë të njohur për 14 “vepra të lidhjes”.

E sajuar mbi një dekadë, gjatë së cilës çifti jetoi bashkërisht në një minibus “Citrown”, nëse jo gjithçka, veprat përfshinin të bëma rreziku e qëndrueshmërie me qëllimin që të asgjësonin egon e njëri-tjetrit e të bëheshin një entitet i njësuar artistik.

Në “Light/Dark” të vitit 1977, Ulay dhe Abramoviq u gjunjëzuan përballë dhe godisnin njëri-tjetrin me shuplaka me vrazhdësi gjithnjë e më të madhe. Tre vjet më vonë, në veprën “Rest Energy”, Ulay ngreh një hark dhe shigjetë në drejtim të zemrës së Abramoviqit – një lëvizje e beftë e gishtit mund ta vriste atë. Në një varg performancash të quajtura “Nightsea Crossing”, çifti ulet në karrige kundrejt njëri-tjetrit për shtatë orë në ditë. “The Lovers”, e fundit vepër bashkë e Ulayt dhe Abramoviqit, përkujtonte fundin e lidhjes së tyre. Duke filluar nga prilli i vitit 1988, secili prej tyre nisi të ecte nga skajet e kundërta të Murit të Madh të Kinës, Ulay në Shkretëtirën e Gobit dhe Abramoviq nga Deti i Verdhë. Pasi ecën më shumë se 1500 milje secili, ata u takuan nga mesi dhe, pa bëzarë ia dhanë lamtumirën njëri-tjetrit. Performanca shkaktoi befasi. “Çdo herë kur vija në fshat, të gjithë vinin e më shihnin”, kishte thënë Abramoviq për “Art Newspaper”.

Ulay fillimisht bëri famë si artist pasi u vendos në Amsterdam dhe u bë fotograf për “Polaroid”. Duke eksperimentuar me filmin dhe kamerat që ia dha kompania, “Polaroidsët” e tij në fillim të viteve ’70 qëmtojnë identitetin e tij, duke e paraqitur atë të veshur si femër apo të vetëgjymtuar. Pas ndarjes nga Abramoviqi, ai iu rikthye “Polaroidit”, ku në fillim të viteve ’90 eksperimentoi me një kamerë gjigande që prodhoi imazhe “Polagram” më të gjata sesa vetë artisti.

Më 2010, ai e befasoi Abramoviqin duke u ulur karshi saj gjatë performancës që po bënte ajo në “The Artist is Present” në MoMA në New York. Çifti nuk kishte folur me dekada, por zgjatën duart dhe u përlotën. Vitin pasues, Ulay u diagnostikua me kancer limfatik. Dy vjet më vonë dokumentari “Project Cancer: Ulay’s Journal from November to November” (i shfaqur edhe në “DokuFest” në Prizren më 2014 v.j.) ravijëzonte trajtimin e tij, jetën dhe veprën. Pas kimioterapisë, Ulay nisi të shtendosej por vazhdoi të pinte duhan. Ai e paditi Abramoviqin më 2015, duke pretenduar se ajo i mbante paratë që i takonin atij, dhe duke mos zënë në gojë pjesën e tij në veprat artistike të saj, që bëri që artistja serbe të urdhërohej t’ia paguante atij 250 mijë euro, si dhe shpenzimet. Megjithatë, pas kësaj, të dy u miqësuan sërish, duke marrë pjesë në filmin e vitit 2017 “The Story of Marina Abramović and Ulay”, që ravijëzonte rrjedhën e marrëdhënies së tyre. “Gjithçka çapkënllëk, keqkuptime të neveritshme apo gjithçka nga e kaluara, ne u ndamë”, kishte thënë Ulay në film. “Në të vërtetë, është një rrëfim i bukur”.

Galeria e Ulayt, “Richard Saltoun”, ka konfirmuar vdekjen e Ulayt me kumtesën: “Ulay ishte çlirues i shpirtrave – një pionier dhe provokator me një krijimtari rrënjësisht dhe historikisht radikale, duke operuar në kryqëzimin e fotografisë dhe qasjeve konceptualisht të orientuara në performancë dhe art trupor. Vdekja e tij lë një hendek të madh në botë – i tillë që nuk do të zëvendësohet lehtë”/The Guardian.

Artikuj të ngjashëm