Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Alban Ukaj: Është e pamundur që ta ndash artin prej politikës

Alban Ukaj

Alban Ukaj: “Do të doja që fare të mos dëgjojnë për luftërat dhe deklaratat bombastike të nacionalistëve me orientime djathtiste që sot janë në faqet e para. Jam i vetëdijshëm se është e pamundur t’i izolojmë prej tyre, por ajo që mundemi, ndonëse e di që kjo tingëllon si një frazë e zakonshme, është t’i mësojmë të duan” (Foto: Jelena Jankoviq)

“Mendoj se arti është më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm sesa politika dhe se nuk mund të ndahet prej saj sepse, ashtu siç ka shkruar Brechti në një poezi, ata artistë që thonë se janë apolitikë janë krejt idiotë, të cilëve nuk u interesojnë çmimet e bukës, qumështit a shpenzimet mujore…”, thotë aktori i njohur, Alban Ukaj, në një intervistë për gazetën “Danas” të Beogradit, në të cilën flet edhe për daljen nga rehatia dhe përballjen me tema si nacionalizmi, për mungesën e bashkëpunimeve midis Kosovës dhe Serbisë, për “takimin” me studentët e Serbisë që mbanin veshur bluza me portretin e Ratko Mlladiqit, e për atë se çfarë shoqërie duhet t’u lihet gjeneratave që vijnë pas

Danas – Kur si student njëzetvjeçar i aktrimit vizitoi për herë të parë Festivalin e Filmit në Sarajevë, Alban Ukajt as që i shkonte ndër mend se kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës do të bëhej shtëpia e tij. Dëshira për t’u provuar në një mjedis tjetër tashmë ishte aty, ndërsa atmosfera dhe energjia e qytetit ku festivalet vinin njëri pas tjetrit, qenë vendimtare që Prishtinën e lindjes ta zëvendësonte me Sarajevën. Ukaj, i cili është emër i njohur i aktrimit në rajon, karrierën në pjesën më të madhe e ndërton pikërisht aty.

Alban Ukaj është anëtar i përhershëm i ansamblit të Teatrit të Luftës të Sarajevës (SARTR), ndërsa shpesh kemi mundësi ta shohim në shfaqje nëpër rajon. Ka realizuar role të shumta edhe në filma dhe seriale, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, ndërsa është provuar edhe si regjisor. Ato që e lidhin veprimtarinë e tij profesionale në mediume të ndryshme janë integriteti dhe përkushtimi ndaj dëshirës për të folur për çështje të rëndësishme shoqërore.

“Danas”: Punoni shumë, kështu që nuk na mungojnë temat për bisedë, por do ta filloja me këtë të fundit, njëkohësisht edhe më aktualen. “Në anën e kujt”, drama e Ronald Harwoodit që është titulli i premierës së këtij viti të Teatrit Ulysses, flet për procesin e denazifikimit të oficerit amerikan, Steve Arnold, dhe dirigjentit të famshëm të Filarmonisë së Berlinit, Wilhelm Furtwängler, i cili pretendonte se arti është i ndarë prej politikës. A është?

Ukaj: Mendoj se arti është më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm sesa politika dhe se nuk mund të ndahet prej saj sepse, ashtu siç ka shkruar Brechti në një poezi, ata artistë që thonë se janë apolitikë janë krejt idiotë të cilëve nuk u interesojnë çmimet e bukës, qumështit a shpenzimet mujore… Pikërisht kjo pamundësi e ndarjes së artit nga politika, te Harwoodi është shkruar në mënyrë fantastike, sepse ai nuk mban anë, ndërsa brenda dialogut dhe personazheve të tij ka aq shumë kundërthënie, gjë që e bën edhe atë tekst të madh. Pa shprehur një qëndrim të qartë, shikuesit/lexuesit ia ka lënë që vetë ta gjykojnë.

“Danas”: Fatkeqësisht, ende një temë shumë aktuale, veçmas sot kur historia përsëritet ose ndoshta më mirë të them kur po shkruajmë faqe edhe më të këqija të historisë. Këtu natyrshëm më imponohet titulli i kësaj drame, prandaj në lidhje me këtë, sa është e rëndësishme që përmes artit ose cilitdo medium tjetër që na është i disponueshëm në një moment të caktuar të flasim për të gjitha ato padrejtësi për të cilat jemi dëshmitarë? Sa është e rëndësishme të mbajmë anë, të mos jemi të paanshëm, nëse paanshmëria është fare e mundur?

Ukaj: Është detyrë jona ta bëjmë këtë, ndërsa është tjetër çështje se sa ka forcë secili që të përballet dhe të dalë nga zona e tij e rehatisë. Sepse të rrallë janë njerëzit e tillë, në Hollywood mund t’i numërojmë në gishtat e njërës dorë. Për shembull, Javier Bardem është njëri nga të rrallët që flet hapur për ngjarjet në Gaza, duke i ditur pasojat që kjo bart me vete. Ai foli për këtë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” dhe vazhdon të flasë për këtë edhe në intervistat e tij. Sinqerisht, dyshoj se kjo do të ndryshojë diçka, por dikush do ta dëgjojë këtë dhe kjo është e rëndësishme, pikërisht ashtu siç për njerëzit në Sarajevë ishte e rëndësishme që erdhën Susan Sontag, Bono Vox dhe të tjerë. Besoj se po ashtu për njerëzit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor është e rëndësishme që ekziston dikush që mendon për ta. Për këtë arsye mendoj se edhe pse nuk do të ndryshojmë gjë, është e rëndësishme të flasim për këtë dhe se nuk duhet të dorëzohemi. Përveç kësaj, vazhdimisht mendoj për atë se si një ditë, kur të zgjohemi dhe kur e gjithë kjo të përfundojë, dhe do të përfundojë, do të pyesim veten nëse kemi qenë në anën e gabuar të historisë. Si do ta përballojmë atëherë këtë dhe çfarë do t’u themi fëmijëve tanë kur ata të na pyesin për këtë. A do t’u themi se nuk jemi marrë me këtë sepse kemi qenë artistë? E nëse si artistë nuk kemi folur për këtë, atëherë nuk kemi qenë artistë, por servilë që janë përpjekur të mos e ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës, duke heshtur për gjërat që në atë moment historik ishin shumë të rëndësishme.

“Danas”: Më duket sikur ajo shfaqje erdhi në momentin e duhur, pikërisht si “Ata nuk janë më” e Hartefaktit, e cila gjithashtu paralajmëron se nuk mund t’i injorojmë krimet dhe represionin. Çfarë ju mësoi puna në këtë shfaqje dhe sa ndihmon arti që t’i kuptojmë pasojat e veprimeve të këqija dhe fatet e të mbijetuarve?

Ukaj: Ajo shfaqje edhe një herë tregoi se artistët janë të parët që flasin për diçka për të cilën diku “nuk do të duhej” të flitej dhe nga kjo anë më duket se është e rëndësishme që ajo shfaqje të luhet në Beograd dhe që publiku të ketë mundësi ta shohë dhe të kuptojë çfarë do të thotë të humbësh dikë, sa e dhimbshme është kur dikush të vdesë nga vdekja natyrore, e lëre më si është kur vdes në mënyrë të dhunshme, vetëm sepse dikush ka vendosur se nuk i pëlqen ndonjë dallim dhe se për këtë arsye ai tjetri vlen më pak. Nuk është gjë e vogël të flitet për gjëra të tilla.
Për mua është ka rëndësi edhe se si reagon publiku dhe emocionet që zgjon tek ai. Pas shfaqjes njerëzit më shkruanin se para se të ktheheshin në shtëpi kishin qëndruar gjysmë ore në makinë dhe kishin qarë me zë të lartë. Aty i kam emocionet të përziera, nga njëra anë më vjen mirë të lexoj një mesazh të tillë, ndërsa në të njëjtën kohë më vjen keq që kemi ardhur deri në këtë pikë.

“Danas”: Ky duket se është, si të thuash, viti i temave dhe roleve të rënda, pasi, përveç teatrit, role të ngjashme ju presin edhe në film. Kohët e fundit keni përfunduar xhirimet e filmit “Trake” (Shiritat) të Dino Mustafiqit, ku luani Esad Sadikoviqin, mjekun dhe kryetarin e Shoqatës së Otorinolaringologëve të Jugosllavisë, një njeri që besonte sinqerisht në Jugosllavi dhe në idenë e jetesës së përbashkët, jeta e të cilit mori fund në një nga kampet më të tmerrshme të luftës së kaluar. Sa kërkuese ishte të luanit këtë rol?

Ukaj: Pa synimin për ta mistifikuar, por ky për mua është me të vërtetë një rol nga i cili, në karrierën time të deritanishme, e kam pasur më së vështiri të ndahem. Tri ditë para përfundimit të xhirimeve, natën vonë i shkrova Dinos një mesazh se nuk e di fare se si do të ndahem prej tij, sepse disi nuk arrita ta varros brenda vetes. Eso Sadikoviqi ishte një nga intelektualët më të mëdhenj të asaj kohe, mjek jugosllav që fliste tri gjuhë dhe kishte pasaportë blu të OKB-së, njeri që deri në fund besonte në idenë e bashkimit dhe jugosllavizmit… Sipas dëshmive të njerëzve që qëndruan me të në kamp, me një gjilpërë të fshehur në mëngën e këmishës u qepte njerëzve plagët me fijet e flokëve, ndërsa krahas bashkëkombësve të rrahur, qepte edhe rojat që në mbrëmje deheshin, e pastaj rriheshin mes vete. Historia për të është sigurisht një nga historitë më tronditëse të luftës së kaluar, sepse nga kampi drejt vdekjes e çoi miku i tij, ndërsa shoku më i mirë, kumbari, u vendos në shtëpinë e tij, u martua me gruan e tij, i pagëzoi sërish fëmijët dhe ua ndryshoi emrat, ndërsa ato në fund nuk morën pjesë në varrimin e tij.

“Danas”: Keni luajtur edhe në filmin “Shame and Money” të Visar Morinës, i cili, pas premierës botërore në Sundance, e pati premierën rajonale në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Çfarë ju tërhoqi te kjo histori për vështirësitë ekonomike në një shoqëri hiperkapitaliste, e cila përfundimisht është e njëjtë në të gjithkah, jo vetëm në shoqërinë kosovare?

Ukaj: Visari është një regjisor i shkëlqyeshëm që e percepton shumë mirë tranzicionin në Kosovë, ndërsa ai kapitalizëm i egër për të cilin flet, nga të gjitha qytetet e rajonit, më së shumti ka ardhur në shprehje në Prishtinë. Fshatrat në Kosovë janë, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë, vende për shtëpi vikendi, janë të zbrazëta, pothuajse askush nuk jeton aty, gjithçka graviton drejt qyteteve më të mëdha dhe kur ndonjë familje nga fshati vjen në qytet vetëm rreth tridhjetë kilometra larg, ka ndjenjën se ka ardhur në një planet tjetër. Ai kapitalizëm gllabëron gjithçka para vetes, ndërsa të pasurit e rinj që janë sistemuar “nuk shohin asgjë para vetes” dhe Visari e paraqet këtë në mënyrë të shkëlqyer. Ai është padyshim një nga njerëzit më të talentuar në rajon, madje edhe më gjerë, në fund të fundit me arsye konsiderohet një nga regjisorët e rinj më të mëdhenj në Gjermani. Është regjisor të cilit gjatë procesit të punës në film mund t’i dorëzohesh plotësisht, sepse e di se do të të udhëheqë në drejtimin e duhur. Nuk kemi shumë mundësi të punojmë me regjisorë të tillë, ai është vërtet një përjashtim, është i rrallë.

“Danas”: Kinematografia kosovare vitet e fundit është përherë në rritje. Në të njëjtën kohë, vazhdimisht flasim për rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkëprodhimit midis vendeve të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, por si është situata konkretisht kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë?

Ukaj: Kosova bashkëpunon shumë me Kroacinë, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Slloveninë, ndërsa nuk ka ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me Bosnjë- Hercegovinën ose Serbinë. Por bashkëpunim ka, unë kam marrë pjesë në disa projekte ku bashkëpunëtorët ishin nga Serbia, ndërsa këtë vit për herë të parë filmat boshnjako-hercegovinas hynë në bashkëprodhim me ata kosovarë.
Ne s’mund të mbijetojmë të vetëm në një hapësirë kaq të vogël, na lidhin të njëjtat histori dhe tema, jemi afër njëri-tjetrit dhe për këtë jam i sigurt se do të vijë koha kur kjo nuk do të jetë më temë diskutimi.

“Isha në Beograd në kohën kur protestat ishin në kulmin e tyre dhe pasi pata mundësi që, ndër të tjera, të shihja edhe djem të rinj me flamuj dhe bluza me figurën e Ratko Mladiqit, e nuk mund të them se më befasoi...” (Foto: Jelena Jankoviq) 

“Danas”: Krahas aktrimit, jeni provuar edhe në regji. Pas shfaqjes “Askund askënd nuk e kam”, dhe filmave “Kali” dhe “Jama”, a po punoni në diçka të ngjashme dhe a po mendoni për një film të metrazhit të gjatë?

Ukaj: Nuk është se nuk mendoj për këtë, por për shkak të xhirimeve dhe obligimeve që kam në teatër, s’mund të gjej kohë të mjaftueshme për t’iu përkushtuar kësaj. Tani po shkruaj një skenar për një film të shkurtër, do të doja ta përfundoja, nuk e di nëse do të gjej mbështetje, por mendoj se do ta gjej mënyrën dhe do ta xhiroj sido që të jetë. Nuk i iki regjisë, vetëm duhet të gjej kohë të merrem me të.

“Danas”: Është e dukshme se puna juaj është fuqishëm e angazhuar në çështje sociale, por nuk e shfrytëzoni vetëm skenën për të folur për padrejtësitë dhe për të kritikuar ngjarjet përreth. Jeni ndër të rrallët që reaguan ndaj Memorandumit për Kosovën që studentët nga Serbia e publikuan në maj. Si u ndjetë kur e lexuat, a ju befasoi kjo apo prisnit që në një moment, e gjithë ajo lëvizje që mbante erë ndryshimesh, do të devijonte në drejtim të gabuar?

Ukaj: Isha në Beograd në kohën kur protestat ishin në kulmin e tyre dhe pasi pata mundësi që, ndër të tjera, të shihja edhe djem të rinj me flamuj dhe bluza me figurën e Ratko Mladiqit, e nuk mund të them se më befasoi. Në anën tjetër, nuk kam të drejtë t’ia shemb dikujt ëndrrat, sepse në Serbi përfundimisht ekziston një frymë e re që ka nevojë për ndryshime, por më vjen keq që ata djem u përhumbën diku rrugës, që nuk mundën të dilnin nga ajo retorikë nacionaliste që na kthen në retrospektivë në vite ’90. Përpjekja për ta mposhtur Vuçiqin me nacionalizëm është e gabuar. Ai, në fund të fundit, është shumë më me përvojë se ata në këtë aspekt. Përveç kësaj, është e dhimbshme që gjeneratat e reja po rriten me atë mitologji.
Një gazetar i huaj ka shkruar se vazhdimisht merremi me të kaluarën dhe mitologjinë, sepse e ardhmja jonë është e pashpresë. Më duket se ky është gabimi që bëjnë studentët, sepse përfundimisht kjo nuk është rruga që do ta ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në Serbi.

“Danas”: Mendoni megjithatë se si shoqëri mund të shërohemi nga të gjitha ato sëmundje nacionaliste që na mundojnë tash e sa kohë?

Ukaj: Kam pasur më shumë shpresa para dhjetë vjetësh sesa sot, kur vampirët me orientime djathtiste po zgjohen në mbarë botën. Por po ashtu, nuk kam të drejtë të mos besoj se gjërat do të ndryshojnë për të mirë. Dua vërtet të besoj se do të vetëdijesohemi dhe se ndonjë çip tek ne do të funksionojë, në mënyrë që më në fund të kuptojmë se sa shkatërrues është nacionalizmi.

“Danas”: Çfarë shoqërie dëshironi për gjeneratat e ardhshme? Çfarë i nevojitet dhe mund t’i ofrojë ky rajon?

Ukaj: Do të doja që fare të mos dëgjojnë për luftërat dhe deklaratat bombastike të nacionalistëve me orientime djathtiste që sot janë në faqet e para. Jam i vetëdijshëm se është e pamundur t’i izolojmë prej tyre, por ajo që mundemi, ndonëse e di që kjo tingëllon si një frazë e zakonshme, është t’i mësojmë të duan. T’i lëmë të udhëtojnë, t’i çojmë të shohin Zagrebin, Beogradin, Sarajevën, t’u organizojmë ekskursione, t’i inkurajojmë të shoqërohen… dhe në fund t’i vetëdijesojmë se lufta është një nga gjërat më të tmerrshme që mund t’i ndodhë një qenieje njerëzore. Vetëm atëherë ndoshta kemi arritur diçka.

Marrë nga "Danas". Përktheu: KOHA