Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Udhëtimi në botën e Elvis Presleyt me 400 eksponate

Qindra gjësende që dikur i takonin mbretit të rock ‘n’ rollit, Elvis Presley, përfshirë veshjet ikonike, automjetet, bizhuteritë, madje edhe portofoli dhe syzet e tij, janë bërë pjesë e ekspozitës retrospektive e hapur në Londër. Me titullin “Direct from Graceland: Elvis”, ekspozita e cila u hap të premten përfshin më shumë se 400 eksponate nga arkivi i shtëpisë së superyllit të ndjerë në Memphis. Ato shfaqin ngritjen e tij drejt famës, momentet ikonike të karrierës, jetën në shtëpi dhe ndikimin e tij kulturor.

“Popullariteti i Elvisit është po aq i lartë tani, sa ka qenë në vitet ’50 kur ai u zbulua si talent. Britania e Madhe gjithmonë e ka pasur një bazë të madhe adhuruesish të Elvisit. Ani pse ai kurrë nuk pati mundësi të vijë këtu për të performuar, të paktën ne mund ta përmbushim atë ëndërr të tij për të interpretuar në Mbretërinë e Bashkuar duke e sjellë këtë ekspozitë në Londër”, ka thënë Angie Marchese, zëvendëspresidente e arkivave dhe ekspozitave në Graceland.

Eksponatet përfshijnë edhe kostumin ngjyrë ari të Presleyt të viteve 1950, “Ferrarin” e tij ikonik dhe një rrip të veshur me ari.

“Jemi vërtet të lumtur që t’u ofrojmë njerëzve mundësinë që ta gjejnë lidhjen e tyre me Elvisin, qoftë nëpërmjet një kënge, një artefakti apo një videoje. Ka kaq shumë përmbajtje këtu dhe kaq shumë artikuj unikë që njerëzit t’i shijojnë. I kemi përmbi 450 eksponate këtu, nga 1.5 milion sosh të koleksionit tonë. Gjithçka që kemi të ekspozuar në Graceland, në këtë ekspozitë dhe disa muze më të vegjël me të cilët punojmë në Shtetet e Bashkuara, e përbëjnë vetëm 10 për qindëshin e koleksionit tonë”.

Image
Eksponatet përfshijnë edhe kostumin ngjyrë ari të viteve 1950 të Elvis Presleyt

Sipas Angie Marchese, fotografia e Elvisit dhe Niksonit vazhdon të jetë fotografia më e kërkuar nga Arkivi Kombëtar.

“Ai kishte shumë vetëbesim, jo vetëm në mënyrën se si prezantohej, por edhe në stilin e muzikës. Gjithçka i vinte natyrshëm. Kështu që, unë mendoj se autenticiteti është ajo i bënte njerëzit për vete atëkohë, por edhe në ditët e sotme. Gjëja më unike rreth tij është fakti se, Elvisi ishte person me ndikim shumë kohë para se diçka e tillë të bëhej trend anembanë globit”, ka thënë Marchese. Elvis Presley e kishte shprehi t’i ngrehë lart jakat e xhaketës kur ishte ende në shkollë të mesme, para se të bëhej i famshëm për publikun. “Dhe kur u shndërrua në yll muzike, krejt papritur njerëzit filluan t’i ngrehin jakat lart dhe i mbanin flokët në stilin e tij. Prandaj ekziston ajo shprehja e vjetër që, secili burrë dëshironte të bëhej si Elvisi dhe secila grua dëshironte të jetë e dashura e tij. Kjo gjë është e dukshme edhe sot, sepse muzika e tij është e përjetshme. Ajo i dha formë një brezi të tërë dhe është aq ikonike, sa artistët sot po e përdorin stilin e tij në muzikën e tyre”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Direct from Graceland: Elvis” vazhdon të qëndrojë e hapur në galerinë “Arches London Bridge”.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Edona Binaku

Artikuj të ngjashëm