Ylli televiziv, Priscilla Presley, e cila ishte e martuar me këngëtarin e mirënjohur Elvis Presley, ka kujtuar kohën kur njëherë ishte në shtrat me avokatin Robert Kardashian, babanë e yllit Kim Kardashian, ndërkohë që Elvisi e kishte telefonuar.
Në librin e saj me kujtime, Priscilla, ka treguar se sa shumë ishte frikësuar se Elvisi do ta vriste dashnorin e saj avokat.

“Elvisi do të shndërrohej në vrasës, po ta dinte se Roberti ishte në dhomën time të gjumit”, thuhet në një pjesë të librit të saj, të cilin e ka cituar Page Six.
Priscilla kishte filluar të dilte me Kardashianin në vitin 1975, dy vjet pas divorcit nga Elvisi.
Kardashian më vonë, në vitin 1978, u martua me Kris Jennerin, me të cilën kishte katër fëmijë, para se ata të divorcoheshin në vitin 1991. Ai vdiq nga kanceri në vitin 2003 në moshën 59-vjeçare.
“Roberti ishte njeri i ëmbël dhe më pëlqente”, ka shkruar Priscilla në libër dhe ka shtuar se karriera e tij si avokat i fytyrave të njohura të Hollywoodit ka krijuar vështirësi në marrëdhënien e tyre.
Autori Jerry Oppenheimer, më parë pati shkruar për marrëdhënien e tyre, në librin e tij të vitit 2017, “The Kardashians: An American Drama”.
Sipas mikut të Priscillas, Joni Migdal, Robert ka shpresuar të martohet e të ketë fëmijë me të.
“Priscilla e ka bërë Robertin shumë të lumtur. Donte të martohej e të bënte fëmijë me të. Kështu shpresonte e planifikonte”, ka thënë ai.
Në librin e kujtimeve Priscilla gjithashtu ka shkruar rreth prezencës së Elvisit në jetën e saj edhe pas divorcit.

Shokët kanë kujtuar se si Kardashian ju kishte thënë se Elvisi e thërriste në telefon natën, ndonjëherë duke folur përçart.
Është raportuar se Kardashian ka thënë se Elvisi nuk donte që Priscilla të lidhej me dikë tjetër për shkak të vajzës së tyre, Lisa Marie Presley, e lindur me 1 shkurt të vitit 1968.
Elvisi vdiq në vitin 1977 në moshën 42-vjeçare, ndërkohë që Lisa Marie vdiq në muajin janar të vitit 2023, nga sulmi në zemër në moshën 54 vjeçe.
Në librin e saj, Priscilla ka shkruar se ajo ishte e afërt me Robertin derisa ai vdiq.
“Robert e unë kemi biseduar për herë të fundit para se të vdiste. Ai ishte njeri shumë i sjellshëm dhe e kujtoj me simpati të thellë”, citohet të thuhet në libër.
“Softly, As I Leave You: Life After Elvis” do të publikohet më 23 shtator.