Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Udhëtim rreth Kosovës për tetëdhjetë ditë

Agim Vincën, struganin autentik e nostalgjik dhe profesorin e sotëm të pavlerësuar në përmasat e duhura të dukshme, e kam dëgjuar e lexuar diçka vite e vite më parë, kur i ndjeri, Koçi Petriti, krejt pasion më jepte verdiktin e vet: Pas Rexhep Qoses, në Kosovë, për letërsinë vjen Agim Vinca!

Vitet rrodhën dhe hera e desh që të më binte në dorë libri i tij më i fundit, “Ditari i pandemisë. Rrëfime nga karantina”. 80 ditë përditshmëri kronikale në formë e jo në përmbajtje, se si një personalitet i heshtur e modest si ai e përjeton këtë gjëmë globale, gjithnjë në ndërlidhje me qenien e vet si qytetar i angazhuar, si njeri familjar, si prind e si gjysh, si shkrimtar e analist e euridit, si qytetar i botës, si... e çfarë të duash ti, lexues! (Tirada e epiteteve do të ishte e gjatë), shkruan KOHA. Gjithçka e tejdukshme nën mantelin e ankthshëm të Koronës!

Si i përjeton, çfarë bën e me çfarë merret një intelektual i kalibrit të tij, këto ditë të stërzgjatura pandemie?... Vinca nuk shkruan ç’t’i vijë në mendje a ç’t’i dalë përpara, po, brenda përditshmërisë ai qëmton ato detaje e ngjarje që ia pranon optika e vet konceptuale: Jemi në kapërcyell të dy epokave, para e pas Koronës... si në atë para e pas erës sonë!

Ai vetë është boshti e strumbullari, protagonisti i gjithçkaje, që merr e jep e interferon e absorbon gjithçka, që nga lagjja e vet në Prishtinë e rrethinat e njerëzit e zakonshëm; te Flutura, (e shoqja) e fëmijët e nipër e mbesa të shpërndarë gjithandej; ndërlidhje telefonike me emra të njohur e publikë bëhen pjesë e një tabloje më madhe të flamës Kovid-19; rikujtime të jetës së tij, që nga fëmijëria e deri te burgjet e Serbisë; kronika televizive e info nga gjithë bota për bëmat e pandemisë, duke filluar nga Prishtina e Kosova, Maqedonia, Shqipëria e në krejt hapësirën shqiptare; asociacione me vepra të shkrimtarëve botërorë e pandemi të hershme të globit; përshkallëzime vëmendjeje të ndërthurura kronologjikisht... gjithçka që mund të hamendësoni ju, të gjitha i gjeni aty!

Ҫka thamë, është Pandemia e parë-kornizë, që krijon gjendjen e ankthit e makthit te libri. Po ka dhe një “pandemi” tjetër të nënkuptuar kudo, më tragjike se e para: Pandemia e sherreve e gërrmërreve politike të pafundta që ta hanë mëlçinë, madje, virusin e shfrytëzojnë si trampolinë në emër të patriotizmit e lirisë, po që në thelb kanë etjen për pushtet e që s’ndalen edhe në kushte pandemie.

Artikuj të ngjashëm