“Triangle of Sadness”, i regjisorit suedez Ruben Östlund, është fituesi absolut në “European Film Awards”. Edicioni i 35-të i ndarjes së çmimeve më të mëdha filmit evropian, të njohura ndryshe edhe si çmimet “Oscar” të Evropës, është mbajtur të shtunën mbrëma në Reykjavik të Islandës. Pos çmimit kryesor si filmi më i mirë evropian, ka marrë edhe atë për regjisorin, skenaristin dhe aktorin më të mirë.
Filmi nën regji dhe skenar të Östlund është një satirë e gjerë dhe e zhurmshme mbi kapitalizmin modern. Këtë vit, në edicionin e 75-të të “Cannes”, filmi ishte shpërblyer me “Palmën e Artë”.
“Faleminderit shumë për çmimin”, është shprehur shkurt regjisori e skenaristi i filmit.
Në garë për Çmimin për filmin më të mirë kanë qenë “Alcarras”, nën regji të spanjolles Carla Simon, “Close” i belgut Lukas Dhont, “Corsage” i austriakes Marie Kreutzer dhe “Holy Spider”, nën regji të iranianit Ali Abbasi.
Dokumentari Evropian për vitin 2022 është zgjedhur “Mariupolis 2”, nën regji të lituanezit Manatas Kvedaravicius.
“Regjisori i filmit, babai im, nuk mund të jetë i pranishëm këtu sonte, kështu që dua të shprehem sa krenare jam. Ai e humbi jetën në një lloj mënyre me arritjen e shpërndarjes së shërimit te njerëzit. Ndihem me fat që kam pasur në jetë dikë si ai”, është shprehur e bija e regjisorit.
Në kategorinë e animacionit ka triumfuar “No Dogs or Italians Allowed”, nën regji nga francezi Alain Ughetto, duke lënë pas “My Love Affair with Marriage” të letonezit Signe Baumane, “My Neighbors’ Neighbors” të francezëve Anne-Laure Daffis e Léo Marchand, “OINK” të holandezes Mascha Halberstad dhe “Little Nicholas – Happy as Can Be” të francezëve Amandine Fredon dhe Benjamin Massoubre.
Për regjisorin më të mirë Östlund ka pasur konkurrentë, Lukas Thontin për filmin “Close”, Marie Kreutzer për “Corsage”, Jerzy Skolimowski për “EO”, Ali Abbasin për “Holy Spider” dhe Alice Dio për “Saint Omer”. Ndërsa për skenarin më të mirë, në garë kanë qenë edhe Carla Simon dhe Arnau Vilaro për skenarin e filmit “Alcarras”, Kenneth Branagh për “Belfast”, Lukas Dhont dhe Angelo Tijssens për “Close”, Ali Abbasin dhe Afshin Kamran Bahrami për skenarin e filmit “Holy Spider”.
“Kam shpenzuar orë të tëra për të improvizuar kur po punoja në skenar. Kam bashkëpunuar me ekipin dhe gjithashtu me bashkëshorten time, kështu që faleminderit të gjithëve”, është shprehur Öustland, pasi ka pranuar Çmimin për skenarin më të mirë.
Me “Trekëndëshin…”, aktori kroat Zllatko Buriq ka marrë Çmimin për aktorin më të mirë evropian.
“Jam munduar të jap më të mirën nga vetja për shumë vjet dhe është ndjesi e mirë ta kem këtë çmim. Gjithë ekipi i ‘Trangle of Sadness’ më ka bërë më të fuqishëm”, është shprehur Buriq. Në garë për këtë çmim kanë qenë Paul Mescal për filmin “Aftersun”, Eden Dambrine për rolin në filmin “Close”, Eliot Crosset Hove në “Godland”dhe Pierfrancesco Favino për “Nostalgia”.
Vicky Krieps nga Luksemburgu është zgjedhur si aktorja evropiane për vitin 2022 për rolin e saj në filmin “Corsage”. Ajo ka dalë e para në garën me Zar Amir Ebrahimi që luan në “Holy Spider”, Penelope Cruz në filmin “Parallel Mothers” dhe Meltem Kaplan në “Rabiye Kurnaz vs. George W. Bush”.
“Çmimin ua dedikoj të gjitha grave kudo në botë që duhet të shihen dhe të dëgjohet, që duhet ta çlirojnë veten. Duhet të shërohemi në mënyrë që sa më shumë gra të bashkohen”, është shprehur aktorja, e cila është paraqitur tejet e emocionuar nëpërmjet një video-lidhjeje.
Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër e ka marrë “Granny’s Sexual Life”, i regjisores sllovene Urska Gjukiq dhe asaj franceze Maria Bohr. Filmi i metrazhit të shkurtër paraqet udhëtimin në rininë e së moshuarës Vera dhe kujtimet e jetës së saj intime, që ilustrojnë statusin e grave sllovene në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Atë për arritje kinematografike e ka marrë regjisori palestinez Elia Suleiman. Ndërsa Çmimi për arritje jetësore iu nda regjisores, skenaristes e aktores gjermane Margarethe von Trotta nga presidentja e Akademisë Evropiane të Filmit, Agnieszka Holland.
Çmimi “European Discovery – Rix Fipresci” është ndarë për filmin “Small Body” me regjisore dhe skenariste italianen Laura Samani, ndërsa në kategorinë për komedinë më të mirë në Evropë ka triumfuar “The Good Boss”, nën regji dhe skenar të spanjollit Fernando Leon De Aranoa. Italiani Marco Bellochio ka marrë çmimin për “European Innovative Storytelling 2022” për serinë e tij “Exterior Night”.
Në ceremoninë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, është paraqitur përmes një video-lidhjeje.
“Na duhet që të ndryshojë çdo person, çdo komunitet dhe çdo industri. Jam shumë e lumtur që industria e filmit evropian po e zbaton këtë në mënyrën më serioze, sepse ju keni fuqinë të ndryshoni zemrat dhe mendjet dhe t’i bëni njerëzit të shohin se të gjithë mund të ndryshojnë planetin”, ka thënë ajo.
Siç zakonisht ndodh në organizime të ngjashme evropiane, edhe mbrëmja e së shtunës – e transmetuar online – i është kushtuar vëmendje situatës në Ukrainë, në këtë rast, producentëve ukrainas. Prodhimi kinematografik nga ta është parë si mbrojtje e historisë së vendit të tyre.
Këtë vit, nga radhët e festivaleve për të nominuar një film në Akademi, të drejtën e ka pasur edhe festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” që ka nominuar filmin “Memoir of a Veering Storm” të regjisores greke Sofia Georgovassili.
Themelimi i Akademisë Evropiane të Filmit ishte iniciativa e një grupi kineastësh të Evropës, të mbledhur së bashku me rastin e ceremonisë së parë të Çmimit të Filmit Evropian të mbajtur në nëntor 1988. Akademia Evropiane e Filmit u themelua përfundimisht në vitin 1989 si Shoqëria Evropiane e Kinemasë nga presidenti i parë, regjisori suedez Ingmar Bergman. Akademia ka për qëllim t’i bashkojë të gjithë ata që e duan kinemanë evropiane, duke kulmuar çdo vit në Muajin e Filmit Evropian dhe Çmimet e Filmit Evropian, si dhe me hapjen e Klubit të Filmit Evropian në vjeshtën e 2023-tës.