Kulturë

“Palma e Artë” për “Triangle of Sadness”, “Tori and Lokita” me Alban Ukajn merr Çmim Special të Cannes së 75-të

Ashtu si nisi, edhe përfundoi: me glamur e me festë për fuqinë e kinemasë. Satira e zhurmshme për kapitalizmin modern mori çmimin kryesor, e ajo ai që pati peshë edhe për Kosovën, “Tori and Lokita” me Alban Ukajn mori Çmimin Special të 75-vjetorit të Festivalit të Filmit në Cannes. Për rreth 90 minuta në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u rikonfirmua edhe një herë se theksi në Cannes mbetet te vetë filmat, jo te cirku shoqërues. Edicioni i 75-të, sipas kritikëve, edhe këtë vit ka ruajtur ashpër ndjenjën e vazhdimësisë historike dhe qendrës së tij në botën globale të filmit. Filmat vijnë dhe shkojnë, por Cannes mbetet e përjetshme – ose kjo është ideja

“Triangle of Sadness” i Ruben Ostlund, një satirë e gjerë dhe e zhurmshme mbi kapitalizmin modern, ka marrë “Palmën e Artë” për filmin më të mirë në Festivalin e Filmit të Cannes. Kjo është “Palma...” e dytë për Ostlund, pas asaj që mori me filmin “The Square” në vitin 2017. “Trekëndëshi i trishtimit” qe në garë me 20 filma, në mesin e të cilëve edhe “Tori and Lokita” i vëllezërve Dardenne, e në të cilin luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj. Por megjithëkëtë drama për emigrantët nuk mbeti pa trofe: mori Çmimin Special të 75-vjetorit të Festivalit të Filmit në Cannes.

“Grand Prix”, çmimi me peshë pas “Palmës i Artë”, u nda midis Claire Denis për “Stars at noon”, një dramë erotike me ngjyrime politike të vendosura në Nikaraguan moderne, me Margaret Qualley dhe Joe Alwyn në role kryesore dhe për “Close”, një histori e moshës madhore nga regjisori belg, Lukas Dhont, i frymëzuar nga jeta e vetë regjisorit për dy djem 13-vjeçarë, miqësia intime e të cilëve vihet në provë nga fillimi i pubertetit.

Denis e përdori kohën e saj në skenë për t’i bërë thirrje audiencës që të “kthehej në kinema”. Por krejt edicioni i sivjetmë e atij që njihet si “Festival i festivaleve” qe një lloj feste për kinemanë. Festivali i Cannes u rikthyer sivjet me glamuri të plotë për të cilin shquhet.

Dhont pranoi çmimin e tij së bashku me yllin e ri të “Close”, Eden Dambrine. Ai falënderoi nënën e tij.

“Jam këtu falë jush, sepse ju më ndihmuat të gjej rrugën për t’u lidhur me të tjerët, përmes filmave dhe tregimeve”, ka thonë Dhont. Çmimin ua kushtoi atyre “që zgjedhin butësinë mbi frikën”.

Park Chan-wook ka fituar Çmimin për regjisorit më të mirë për trilerin mister romantik “Decision to Leave”. Filmi i zhanrit “noir” sjell në rol Tang Wei, që luan një punonjëse misterioze të kujdesit, e cila mund të jetë gjithashtu edhe një vrasëse.

Çmimi i jurisë në Cannes iu nda filmit “EO” nga Jerzy Skolimowski, një udhëtim epik i aventurave të turbullta të një gomari nëpër Poloni dhe Itali; dhe filmit “The Eight Mountains” nga Charlotte Vandermeersch dhe Felix Van Groeningen, i cili pasqyron miqësinë e vështirë mes dy burrave të drejtë, të cilët nuk mund të flasin për ndjenjat e tyre.

“Dua të falënderoj gomarët e mi. Të 6-t”, ka Skolimowski, duke pranuar çmimin e tij, përpara se të vazhdonte t'i thërriste të gjithë me emër. “Faleminderit gomarë!” përfundoi ai, para se të bërtiste "EO!!!"

“Kjo ishte një gjë e çmendur, sepse ne jemi belgë, por e bëmë këtë film në Itali, me aktorë italianë dhe mësuam italisht për të”, ka thënë Van Groeningen, përpara se të shtonte: “Dhe kishim edhe dy gomarë!”

Jo pak baste për “Palmën e Artë” janë vënë edhe për dyshen belge Jean-Pierre dhe Luc Dardenne për dramën e tyre socio-realiste “Tori dhe Lokita”, historia e dy emigrantëve adoleshentë nga Benini që përballen me situata të vështira si refugjatë në Evropë. Dardenne, që kanë fituar dy herë “Palmën e Artë”, për filmat “The Child” (2005) dhe “Rosetta” (1999) u ka takuar Çmimi Special i edicionit jubilar.

“I falënderoj dy aktorët që kanë interpretuar mrekullisht rolet e Torit dhe Lokitës, faleminderit nga unë dhe vëllai im, si dhe shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata që qe na shoqëruan në këtë aventurë”, ka thënë Jean-Pierre, derisa kanë pranuar çmimin.

Image
Vëllezërit Dardenne me “Tori and Lokita” kanë marrë Çmimin Special të 75-vjetorit të Festivalit të Cannes

“Madhështorët! Faleminderit Luc dhe Jean-Pierre!”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, aktori nga Kosova, Alban Ukaj, i cili në “Tori and Lokita” luan rolin e Betimit. Ukaj me këtë film është rikthyer në Cannes. Sikurse sivjet, Ukaj qe në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”, që mori Çmimin për skenarin më të mirë. Në premierën botërore të “Tori…”, të martën e kësaj jave Ukaj parakaloi bashkë me ekipin e filmit në tapetin e kuq. Madhështore qe pritje që iu bë ekipit e filmit. “Të punosh me dyshen Dardenne është një shkollë e re e aktrimit si te ‘Heshtja e Lornës’, po ashtu edhe tash me ‘Tori and Lokita’”, kishte thënë Ukaj. Në tapetin e kuq do të veçonte rolin e artistëve në shoqëri.

“Mendoj se përgjegjësia jonë si artistë është të kemi mundësinë që të flasim për çështjet sociale dhe për çështjet politike që po ndodhin viteve të fundit në gjithë globin. Isha me fat që kam punuar me njerëz kaq të fuqishëm që ngritin zërin për të folur për minoritete e njerëzit që në njëfarë mënyrë janë të margjinalizuar”, kishte thënë ai.

Rolin e artistit e të kinemasë e ka çmuar të shtunën mbrëma fituesi i çmimit.

Sivjet, ylli korean, Song Kang-ho, triumfoi në këtë kategori për interpretimin në “Broker” nga Kore-Eda Hirokazu, vetëm dy vjet pasi “Parasite”, në të cilin Song luan gjithashtu, mori “Palmën e Artë”. Song falënderoi të gjithë ata “që e duan kinemanë koreane”.

Zar Amir-Ebrahimi mori Çmimin për aktoren më të mirë për interpretimin e saj në “Holy spider” të Ali Abbasit, ku portretizon një gazetare iraniane, e cila vihet në ndjekje të një vrasësi serik që vriste prostitutat në një përpjekje të çmendur për të “pastruar” qytetin e tij nga “gratë e liga”.

“Kam bërë një rrugë të gjatë për të qenë me ju sonte”, ka thënë aktorja iraniane, duke u ngjitur në skenë. “Nuk ishte një histori e lehtë. Kishte poshtërim, por kishte kinema. Kishte vetmi, por kishte kinema. Kishte errësirë, por kishte kinema…Ky film ka të bëjë me gratë, ka të bëjë me trupat e tyre [për] gjithçka që është e pamundur të shfaqet në Iran” Ajo falënderoi regjisorin Abbasi për “guximin” e tij për të treguar një histori të tillë.

Tarik Saleh mori Çmimin për skenarin më të mirë për “Boy from Heaven”, një triller egjiptian i vendosur në xhaminë Al-Azhar të Kajros, i cili fokusohet në lidhjet e shtrembëruara midis fesë dhe politikës.

Pasi bëri një video të shkurtër të audiencës për nënën e tij, Saleh ia kushtoi çmimin e tij kineastëve të rinj të Egjiptit. “Për të ngritur zërin tuaj dhe për të treguar historitë tuaja” qe porosia e tij.

Çmimi i parë i mbrëmjes, për Filmin më të mirë të shkurtër, shkoi për “The Murmurs Water” të regjisorit kinez Chen Jianying. Filmi paraqet një grua e cila i thotë lamtumirë shoqes së saj të fëmijërisë, para se qyteti, ku ato u rritën, të jetë gati për t’u shkatërruar.

Çmimin për Kamerën e Artë e mori “War Pony” i regjisorëve Gina Gammell dhe Riley Keough. Filmi paraqet jetën e ndërthurur të dy djemve të rinj Lakota që jetojnë në Rezervuarin Indian Pine Ridge. “War Pony” ka qenë një nga të preferuarat e audiencës në Cannes të këtij viti.

“Special mention” shkoi për dokumentarin fantastiko-shkencor të regjisorit japonez Chie Hayakawa, “Plan 75”, i vendosur në një Japoni të ardhshme ku Qeveria ka dekretuar eutanazinë për të gjithë qytetarët mbi moshën 75 vjeç.

Festivali më i madh i filmit në botë, përgatitjet për sivjet i kishte nisur me idenë se do të festohej jubileu i 75-vjetorit. Por festa me glamur qysh prej hapjes së festivalit në rivierën franceze, të martën e 17 majit, kishte nisur edhe me thirrje kundër luftërave e me mesazhe të drejtpërdrejta për ndaljen e invazionit rus në Ukrainë. Bile, para se të ndizej projektori për filmin që ka hapur edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes, ai është ndezur për të dëgjuar fjalimin e udhëheqësit të popullit ukrainas, njëherësh prijësit të luftës kundër pushtimit rus, presidentit Volodymyr Zelenskyy. Ishte paraqitur nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë para se të niste shfaqja e filmit “Final cut” i francezit Michel Hazanavicius, projekt ky me të cilin është hapur edicioni i sivjetmë. “Është e domosdoshme që kinemaja të mos qëndrojë e qetë”, kishte thënë ai derisa ka folur për botën e filmit teksa kishte ka marrë disa shembuj. Midis tyre, filmin e Charlie Chaplin “The great Dictator”, që ishte një satirë kundër diktatorit gjerman, Adolf Hitler, më 1940.

“Diktatorët më brutalë të shekullit XX e kanë dashur kinemanë” do të thoshte Zelenskyy.

Cannes përherë vë në pah fuqinë e kinemasë. E një gjë e tillë u pa edhe në përmbylljen e maratonës 12-ditore, me ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grand Lumiere” u shpallën verdiktet e jurisë nëntë anëtarëshe, të udhëhequr nga aktori, regjisori e skenaristi francez, Vincent Lindon.

Për rreth 90 minuta u rikonfirmua edhe një herë se theksi në Cannes mbetet te vetë filmat, jo te cirku shoqërues. “Edicioni i 75-të i festivalit edhe këtë vit ka ruajtur ashpër ndjenjën e vazhdimësisë historike dhe qendrës së tij në botën globale të filmit. Filmat vijnë dhe shkojnë, por Cannes mbetet e përjetshme – ose kjo është ideja. Për këtë qëllim, pavarësisht nga disa pengesa logjistike, ngjarja dukej dhe funksionoi njësoj si në të kaluarën”, ka shkruar “The New York Times”. Për 75 vjet ka arritur të mbajë ritmin dhe të ruajë gjërat thelbësore: pasionin për kinemanë, zbulimin e talenteve të reja, entuziazmin e pjesëmarrësve të festivalit dhe profesionistëve nga e gjithë bota. Sivjet refuzoi shtypin për gazetarët rusë si media që nuk janë kundër luftës ruso-ukrainase. Sepse arti është thirrje për paqe.

Përgatitën: Mirjetë Sadiku e Besartë Elshani