Arkeologët nga Autoriteti i Izraelit për Antikitete (IAA) kanë gjetur një grumbull monedhash argjendi nga periudha Hasmoneane në Modiin-Maccabim-Reut të Izraelit.
Studiuesit po gërmonin një pronë bujqësore, kur zbuluan një çarje shkëmbore që përmbante thesarin e fshehur brenda të cilit kishte monedha argjendi.
Monedhat, të cilat janë prerë në Tirinin e lashtë në Libanin e sotëm, portretizojnë mbretin Antiochus VII, i cili sundoi perandorinë helenistike Seleukide – ose figura në to mund të jenë të vëllait të tij Demetrius II.
Avraham Tendler nga Autoriteti i Izraelit për Antikitete ka thënë se thesari është dëshmi bindëse se pronarët e pasurisë kursenin të ardhura për çdo muaj, por u larguan përfundimisht nga shtëpia për ndonjë arsye të panjohur.
“Ata i mblodhën paratë me shpresën se do të ktheheshin dhe do t'i merrnin, por për fat të keq nuk u kthyen më. Është emocionuese të mendosh se thesari i monedhave po priste këtu për më shumë se 2 mijë vjet derisa ne e gjetëm atë”, ka thënë ai.
Ekipi gjithashtu zbuloi shumë monedha bronzi të prera nga sundimtarët Hasmonean që përmendin emrat; Gjoni, Juda, Jonathani dhe Matthias – dhe titullin e tyre si kryeprift dhe kreu i komunitetit hebre.
Zbulimi i monedhave në vend të vulosura me datën "Viti i dytë" i revoltës dhe parulla "Liria e Sionit" sugjeron që banorët ishin mbështetës dhe ndoshta pjesëmarrës në revoltën e parë hebraike kundër romakëve në vitin 66 pas Krishtit.
Edhe
Gjenden në një mur në Izrael monedha ari të fshehura që nga shekulli VII
Avraham Tendler ka thënë se gjatë gërmimit mund të shihnin se pak para kryengritjes banorët e atyshëm mbushën dhomat pranë perimetrit të ndërtesës me gurë të mëdhenj për të krijuar një barrierë të fortifikuar.
“Për më tepër, ne zbuluam fshehjen e shpellave të gdhendura nën dysheme. Këto komplekse ishin të ndërlidhura përmes një serie tunelesh, cisternash uji, gropa magazinimi dhe dhoma të fshehura. Në njërën nga zonat e gërmimit ngjitur doli në pah një hapje brenda që të çonte në një kompleks të fshehur e të gjerë që përmbante objekte të shumta që datojnë nga revolta e Bar Kokhbasit”.
Marrë nga “Heritagedaily”. Përktheu: Alberina Haxhijaj