Ashtu siç ishte pritur ende pa nisur procesi, Naser Shatrolli është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ministrisë së Kulturës s’i ka bërë përshtypje se po favorizohej punonjësi i saj, e tash kur edhe është zyrtarizuar kanë shpërthyer akuzat për politizim. Aktori Kushtrim Sheremeti, kandidat për këtë pozitë, ka shkuar edhe më tutje. U ka bërë thirrje organeve që ta hetojnë këtë rast me pretendimet se nuk ka vetëm politizim e favorizim, por edhe konflikt interesi. Ka paralajmëruar edhe ankesë. E Shatrolli s’i ka komentuar akuzat
Nuk është dashur shumë kohë që reagimet për ndikim politik, konflikt interesi e parregullsi të shpërthejnë vrullshëm pas zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Pasditen e së enjtes Këshilli Drejtues i Teatrit ka dalë nga mbledhja me emrin e Naser Shatrollit si kandidati i suksesshëm për këtë pozitë. E fill pas kësaj, kundërkandidati Kushtrim Sheremeti ka paralajmëruar ankesë dhe publikisht i ka bërë thirrje prokurorisë për hetim të procesit.
“Drama” e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm edhe kësaj radhe ka qenë reprizë e disa proceseve të tjera nëpërmjet të cilave institucioni më i lartë teatror në vend është bërë me udhëheqës. Pas intervistimit të tre kandidatëve të mërkurën Këshilli Drejtues kishte vendosur që të enjten të mblidhen për të bërë vlerësimin. Arsyetim ishte koha për analizim platformash.
E të enjten shtatë anëtarët e Këshillit kanë qëndruar për afro dy orë në sallën “A” të TKK-së. Është thënë se çdo gjë e kanë analizuar në detaje.
“Kemi analizuar të gjitha platformat në mënyrë të detajuar. Secili ka vendosur sipas pikëpamjes. Gjithçka ka shkuar në rregull. Janë dhënë votat. Janë mbledhur e pjesëtuar dhe në fund ka dalë që Naser Shatrolli ka më së shumti pikë”, ka thënë Agron Shala, kryetar i Këshillit Drejtues. Sipas mbledhjes së poentimit final, del që Naser Shatrolli të ketë marrë 82,3 poenë, Kushtrim Sheremeti, 77,3 dhe Blerim Krasniqi 61,84. Paraprakisht, javën e kaluar ishin bërë testet me shkrim.
Për dallim prej aktorit Blerim Krasniqi, i cili nuk ka dashur të flasë për procesin, Kushtrim Sheremti ka bërë akuza të shumta.
Ai ka thënë se fillimisht testi me shkrim, i mbajtur javën e kaluar, nuk ka qenë i përpiluar si duhet. Sipas tij, ka pasur pyetje ku përgjigjet opsionale nuk kanë qenë asnjë të sakta. Sipas Sheremetit, një prej pyetjeve ishte “se si duhet të luftohen klanet brenda TKK-së”. Më pas e ka përshkruar si të dyshimtë faktin që për dallim prej herëve të tjera, pas intervistave nuk është vendosur menjëherë për drejtorin, por kjo është bërë një ditë më vonë.
“Sot pasi janë mbledhur, monitoruesit e pavarur i kanë nxjerrë jashtë. Kanë kryer konsultat dhe pastaj kanë thënë: ‘hajdeni se tash po poentojmë’. Nuk bën të largohen monitoruesit”, ka thënë ai. Në këtë rast, nëpërmjet emisionit “Express” në KTV ka ftuar organet shtetërore ta hetojnë procesin.
“Ftoj Prokurorinë që ta hetojë këtë që ka ndodhur. Vendimi i sotëm besoj që ka shumë shkelje të ligjit. Është konflikti i interesit i disa anëtarëve të Këshillit. Për anën politike, Këshilli është politik, të afërm e anëtarë të LDK-së. Kjo dihet publikisht”, ka thënë ai. Sipas tij, konflikti i interesit është i pranishëm të paktën në dy raste. Ka thënë se Shatrolli si zyrtar për biblioteka në Ministrinë e Kulturës për shkak të pozitës ka konflikt interesi me anëtarin e Këshillit, Munish Hyseni, i cili drejton bibliotekën e qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani”. Më pas ka thënë se konflikti tjetër i interesit është edhe fakti që një anëtar tjetër i Këshillit Drejtues është punonjës i MKRS-së pasi me Shatrollin punojnë në të njëjtin institucion. Ka aluduar në Feim Maliqajn, i cili është përfaqësues i MKRS-së në Këshill Drejtues.
Pas dorëheqjes së kostumografes Samka Ferri nga Këshilli Drejtues, ajo është zëvendësuar me drejtorin e teatrit të Podujevës, “Avdush Hasani”, Agron Gërguri. Sheremeti këtë e ka përshkruar si mik të Shatrollit.
“Normalisht do të shtroj ankesë. Nëse MKRS-ja nuk e pranon ankesën do të shtroj padi në gjykatë, pasi kam bindje për ato që them. Kultura është shumë e politizuar në Kosovë. Dhe ky rast është vetëm një prej fakteve. Fuqia politike e klanore dhe interesat e ngushta kanë qenë më të rëndësishme se platforma ime”, ka thënë ai. Ka shkuar deri te lëvdatat që ia ka bërë shpesh Shatrolli në rrjete sociale ministres së Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi.
“Ministrja ka qenë në disponim të mirë pasi Naseri e ka lavdëru. E ka quajtur mbretëreshë të kulturës”, ka thënë ai. Dramaturgu Shatrolli lëvdatat për ministren në detyrë, Vlora Dumoshi, i ka pasur jo të pakta.
KOHA ka provuar që të kontaktojë me Shatrollin gjatë të enjtes. Ka qenë i ftuar edhe në emisionin “Express” bashkë me Sheremetin e Krasniqin, i cili nuk ka pranuar të vijë. Shatrolli nuk u është përgjigjur thirrjeve e porosive elektronike. Paraprakisht të mërkurën, pas intervistave, Shatrolli kishte thënë se nuk i komenton diskutimet se mund të jetë i privilegjuar pasi është punonjës i MKRS-së qysh prej vitit 2016.
“Nuk kam koment, sepse ligjërisht qëndroj mirë karshi këtij konkursi dhe pozicionit ku kam konkurruar”, kishte thënë ai.
Shatrolli, i cili ka pesë muaj si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm, kishte thënë se intervista ishte goxha e ngjeshur. Kishte thënë se i falënderon anëtarët e Këshillit pasi interesimi ishte shumë i madh sa i përket planit katërvjeçar.
“Prezantova një platformë se si planifikoj të punoj në katër vjet. Viti i parë do të jetë pandemik dhe është i vështirë. Në aspektin e kalendarit kulturor kam një ide që do të ishte me interes për TKK-në dhe institucionet e tjera publike. E kam të planifikuar se si do të ishin institucionet kulturore me një kalendar të përbashkët të premierave për Baletin, Fiharmoninë, ‘Shotën’ e të tjerët”, kishte thënë ai. Sipas tij, nëse zgjidhet drejtor do të rezervojë regjisorë të huaj për tre vjetët e ardhshëm pasi teatri duhet të dalë përtej hapësirave shqiptare.
“Duhet të investohet në teknologji dhe në infrastrukturë”, kishte thënë ai.
Në mbrëmjen e së enjtes koment për akuzat që janë bërë nuk pasur as ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi. E sipas Agron Shalës, i cili kryeson Këshillin Drejtues, “fjalët nuk ndalen asnjëherë”.
“Gjithmonë ka interpretime të ndryshme, ka preferenca që shpeshherë janë emocionale. Ministria ka vendosur që sipas konkursit këta kandidatë të jenë të përzgjedhur dhe ne e kemi vazhduar procesin”, ka thënë ai.
Javën e kaluar kandidatët i ishin nënshtruar testit me shkrim. Naser Shatrolli ka marrë 75,81 poenë, Kushtrim Sheremeti 67,77 dhe Blerim Krasniqi 55,96 poenë.
Teatri Kombëtar i Kosovës është pa drejtor të përgjithshëm qysh prej janarit të vitit të kaluar, kur i kishte përfunduar mandati Agim Sopit.
Javën e kaluar zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së si proces ishte kundërshtuar nga Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës.
Regjisori Kushtrim Koliqi, njëherësh anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës, kishte thënë se ky proces nuk është dashur të vazhdonte.
“Fatkeqësisht është bërë praktikë që qeveritë në ikje mundohen të rehatojnë militantë të vet. Kjo bëhet më e dhimbshme kur militantët nuk janë as kompetentë për ato pozita”, kishte thënë ai. Sipas Koliqit, si praktikë ishte dashur të ndalohej, në mënyrë që të mos lejoheshin gjëra të tilla. Të enjten ai nuk ka folur për procesin.
“Pa koment...”, është përgjigjur Koliqi.
Në fund të janarit ishte pezulluar konkursi për këtë pozitë dhe atë për udhëheqës artistik. MKRS-ja kishte dalë me një njoftim konfuz sa u përket konkurseve për pozitat në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Titullohej “Njoftim për anulimin e procedurave të rekrutimit”, kurse në përmbajtje kishte pezullimin.
Aty shkruhet se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në pajtim të plotë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, njofton opinionin publik se ka vendosur pezullimin e procedurave të rekrutimit për pozitat drejtor i përgjithshëm i TKK-së dhe udhëheqës artistik i TKK-së. E javën e kaluar është rihapur konkursi për udhëheqës artistik shkaku i një gabimi të MKRS-së, e cila në vend të udhëheqësit artistik kërkonte “drejtor artistik”.