Procesi për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe për atë që gabimisht u shkrua “drejtor artistik” u pezullua në emër të pandemisë e të mosndikimit nga politika. Por përderisa situata me pandeminë u rëndua, edhe ndikimi politik nuk u zbeh. Qeveria në detyrë e ka ndërmend ta zgjedhë drejtorin e TKK-së, e garës i prin Naser Shatrolli, zyrtar për biblioteka në MKRS
Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës i është kthyer procesit të cilin e kishte pezulluar: zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të institucionit më të lartë teatror në vend.
Paraditen e së hënës i janë nënshkruar testit me shkrim tre kandidatët për drejtor të përgjithshëm të TKK-së. Dramaturgu e regjisori Naser Shatrolli, njëherësh punonjës i Ministrisë së Kulturës, dhe aktorët Kushtrim Sheremeti dhe Blerim Krasniqi janë kualifikuar për t’u intervistuar për pozitën që synojnë. Shatrolli ka hyrë në sallën “A” me pesë minuta vonesë. Por ka dalë i pari nga testi. I pari rezulton edhe në bazë të pikëve pas vlerësimit që u është bërë përgjigjeve të kandidatëve nga gjashtë anëtarët aktualë të Këshillit Drejtues.
Shatrolli ka marrë 75,81 poenë, Kushtrim Sheremeti 67,77 dhe Blerim Krasniqi 55,96 poenë.
Shatrolli vend të rregullt pune në Ministrinë e Kulturës kishte siguruar në maj të vitit 2016, kur ky institucion udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Shala nga LDK-ja. U bë zyrtar për biblioteka. Shatrolli është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të TKK-së në gusht të vitit të kaluar, derisa ministre ishte ministrja aktuale në detyrë, Vlora Dumoshi, po ashtu nga LDK-ja.
Megjithëse testi me shkrim ka përfunduar të hënën, intervistimi ende nuk dihet se kur do të bëhet.
“Në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër”, ka thënë kryetari i Këshillit Drejtues, Agron Shala. Javën e kaluar, dorëheqje nga Këshilli ka dhënë kostumografja Samka Ferri. E kontaktuar nga KOHA ajo nuk ka dashur të japë ndonjë arsyetim për dorëheqjen.
Kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Agron Shala, sa u përket intervistave duhet të konsultohet me anëtarin e Këshillit, Feim Maliqaj, nëse ato mund të bëhen në mungesë të një anëtari të organit që e zgjedh drejtorin. Maliqaj si përfaqësues i Ministrisë së Kulturës në Këshillin Drejtues ka thënë se duhet të emërohet edhe një anëtar në mënyrë që të bëhen intervistat.
“Ministrja duhet ta emërojë edhe një anëtar të Këshillit në mënyrë që gjatë intervistave të jemi të gjithë, shtatë anëtarët”, ka thënë ai.
Por brenda komunitetit artistik ka kundërshtime që të zgjidhet drejtori i TKK-së në kohën kur Qeveria është në detyrë. Procesi është duke u konsideruar si tentim i Qeverisë aktuale për të rehabilituar militantë.
Regjisori Kushtrim Koliqi, njëherësh anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës, ka thënë se ky proces nuk është dashur të vazhdonte.
“Fatkeqësisht është bërë praktikë që qeveritë në ikje mundohen të rehatojnë militantë të vet. Kjo bëhet më e dhimbshme kur militantët nuk janë as kompetentë për ato pozita”, ka thënë ai. Sipas Koliqit, si praktikë ishte dashur të ndalohej, në mënyrë që të mos lejoheshin gjëra të tilla.
“Sikur ta lëmë në ndërgjegje të politikanëve po shihet se si po shkon. Këto praktika të kryerjes së proceseve në formë thuajse klandestine më së shumi do t’iu bëjnë dëm institucioneve”, ka thënë ai.
E regjisori Florent Mehmeti ka thënë se qeveritë duhet të qëndrojnë larg zgjedhjeve të drejtuesve të institucioneve kulturore.
“Konsideroj që qeveritë nuk duhet të zgjedhin askënd në institucionet kulturore”, ka thënë ai. Por procesi i zgjedhjes së drejtorit të TKK-së do të vazhdojë.
“Që të tre kandidatët kanë kaluar testin dhe intervistat do të bëhen në fund të javës ose në fillim të javës tjetër”, ka thënë Agron Shala, i cili kryeson Këshillin Drejtues të Teatrit. Në fund të janarit ishte pezulluar konkursi për këtë pozitë dhe atë për udhëheqës artistik. MKRS-ja kishte dalë me një njoftim konfuz sa u përket konkurseve për pozitat në Teatrit Kombëtar të Kosovës. Titullohej “Njoftim për anulimin e procedurave të rekrutimit”, kurse në përmbajtje kishte pezullimin.
Aty shkruhet se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në pajtim të plotë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, njofton opinionin publik se ka vendosur pezullimin e procedurave të rekrutimit për pozitat drejtor i përgjithshëm i TKK-së dhe udhëheqës artistik i TKK-së.
“KD i TKK-së është i vendosur në përcaktimet e veta për të punuar me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë, andaj gjendur në situatë ku fillimisht rreziku nga përhapja e mëtutjeshme e pandemisë COVID-19 mbetet i lartë, dhe organizimi i testimeve dhe intervistave do të implikonte një numër jo të vogël të personave në të njëjtën kohë në ambiente të mbyllura...”, shkruhej në njoftim. Ishte përmendur edhe periudha elektorale.
“Tutje, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit të rekrutimit dhe eliminimit të dilemave të mundshme, meqenëse jemi në një periudhë elektorale, Këshilli Drejtues i TKK-së, bazuar në analizën e bërë përkitazi me këtë çështje, si dhe bazuar në dispozitat e Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, mori vendim për pezullimin e procedurave të rekrutimit për pozitat e lartshënuara, së paku deri më datë 15 shkurt 2021”, shkruhej në njoftim. Zgjedhjet janë mbajtur më 14 shkurt.
Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit të kaluar. Konkursi për këtë pozitë ishte hapur bashkë me atë për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Në janar janë anuluar konkurset për këto dy pozita. Për drejtor të BKK-së konkurrentë ishin balerini dhe ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit, Kreshnik Musolli, dhe koreografët Labinot Rexhepi, Driton Saqipi dhe Luljeta Braha. Kërkohej që ata të kenë nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Në këtë rast merret përvoja e punës pas diplomimit në studimet bachelor. Pikërisht ky kriter ka bërë që të mos jenë tre kandidatë që i plotësojnë kushtet për të vazhduar me procedurën e rekrutimit.
Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.
Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.
Për këtë pozitë kërkohej që kandidatët të ishin profesionistë të fushës që mbulon institucioni. Duhej të kishin nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen katër vjet përvojë pune në udhëheqje. Sipas dokumentacionit, Hajrullahu nuk e kishte këtë përvojë pune në udhëheqje. Konkurrentë ishin edhe ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktori Jeton Rexhepi.