E krijuar pak kohë pas vitit 1066, tapiceria e Bayeuxit rrëfen në 58 skena të pasura me detaje ngjarjet që çuan në betejën e Hastingsit dhe fitoren e normanëve ndaj anglo-saksonëve. Ofron një pasqyrë të rrallë dhe jashtëzakonisht të detajuar të jetës në shekullin XI. Biletat për të parë tapicerinë në Londër dolën në shitje për publikun duke filluar nga 1 korriku. Vepra e çmuar mesjetare vjen prej Francës dhe prej shtatorit do të ekspozohet në Muzeun Britanik
Tapiceria e Bayeuxit është një vepër arti mesjetare me gjatësi rreth 70 metra, e cila paraqet pushtimin norman të Anglisë. Kur William e mposhti Haroldin e Dytë në Betejën e Hastingsit në vitin 1066, ajo u shndërrua në një mjet të rëndësishëm propagande për të mbështetur pretendimin e Williamit ndaj fronit anglez.
E krijuar pak kohë pas 1066-s, tapiceria rrëfen në 58 skena të pasura me detaje ngjarjet që çuan në Betejën e Hastingsit dhe fitoren e normanëve ndaj anglo-saksonëve. Anije, bankete, përgatitje ushtarake dhe beteja të përgjakshme pasojnë njëra-tjetrën, duke ofruar një pasqyrë të rrallë dhe jashtëzakonisht të detajuar të jetës në shekullin XI.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBesohet se vepra u porosit nga peshkopi Odo i Bayeux, por u realizua në Angli. Gjatë shekujve është ekspozuar në vende të ndryshme nëpër Francë, së fundmi muzeun e Bayeux në Normandi.
Prej shtatorit, ajo do të ekspozohet në Muzeun Britanik në Londër.
Elisabeth van Houts, profesoreshë e historisë mesjetare evropiane në Fakultetin e Historisë të Universitetit të Cambridgeit, ia ka kushtuar mbi 40 vjet studimit të kësaj vepre. Është anëtare e komitetit këshillues të Muzeut Britanik për organizimin e ekspozitës së hapur të tapicerisë së Bayeux në Londër.
“Sipas mendimit tim, kjo tapiceri është padyshim një nga dhjetë artefaktet kulturore më të rëndësishme në botë”, ka thënë ajo. “Natyrisht, ajo i përket Francës dhe u krijua si një vepër propagandistike për normanët, për të festuar pushtimin e Anglisë. Por, në të njëjtën kohë, është edhe pjesë e trashëgimisë kulturore angleze, sepse u realizua pikërisht në Angli”, ka thënë ajo.
Rinovimi i ndërtesës ku ruhet zakonisht tapiceria në Bayeux krijoi një mundësi të rrallë për huazimin e saj. Qeveria franceze arriti në përfundimin se vepra e brishtë mund të transportohet në mënyrë të sigurt drejt Muzeut Britanik në shtator, pasi ekspertët vlerësuan se rreziqet për ruajtjen e saj janë tashmë nën kontroll.

Në këmbim, Franca do të presë disa prej artefakteve më të famshme mesjetare të Muzeut Britanik, përfshirë thesaret e Sutton Hoo dhe figurat e shahut të Lewisit.
Ministrja franceze e Kulturës, Catherine Pegard, e cilësoi huazimin e tapicerisë së Bayeux, si një akt “politik, kulturor dhe simbolik”.
“Është një akt politik, kulturor dhe simbolik. Politik, sepse në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, Franca zgjedh të mbetet besnike ndaj vlerave të saj dhe të ushtrojë ndikim nëpërmjet kulturës. Besojmë se demokracitë e mëdha dhe kombet e vjetra të Evropës janë të destinuara ta pasurojnë njëra-tjetrën. Është gjithashtu një akt kulturor, sepse për herë të parë pas shumë shekujsh, publiku britanik do të ketë mundësinë ta shohë në vendin e vet veprën që rrëfen fillesat e historisë së tij, pa ia mohuar Normandisë trashëgiminë e saj”, ka thënë ajo.
Profesoresha Elizabeth van Houts beson se është plotësisht e përshtatshme që tapiceria të rikthehet, qoftë edhe përkohësisht, në vendin ku u krijua.
“Është shumë e rëndësishme që kjo vepër, të cilën zakonisht e lidhim me Normandinë dhe Katedralen e Bayeux, të rikthehet tani në Angli, ku u punua dhe u qëndis me dorë nga artizanë vendorë. Ky fakt ka ende një domethënie të madhe edhe në shekullin XXI. Bëhet fjalë për një vepër që nuk është kthyer në Angli që prej krijimit të saj rreth një mijë vjet më parë”, ka thënë ajo.
Tapiceria vazhdon t’i mahnitë studiuesit dhe vizitorët, jo vetëm për përmasat e saj mbresëlënëse, por edhe sepse konsiderohet një dokument historik unik që dëshmon një nga momentet më vendimtare në historinë britanike.
Mes admiruesve të saj është edhe Mia Hansson, një artiste suedeze që jeton në Cambridgeshire të Anglisë dhe e cila ka ndërmarrë projektin ambicioz për të realizuar me dorë një kopje të plotë të veprës në përmasa origjinale.
Edhe më parë janë bërë përpjekje që kjo vepër të ekspozohej në Britani të Madhe, por të gjitha kanë dështuar.
Sipas profesoreshës Van Houts, nuk është rastësi që Franca pranoi ta huazojë pikërisht në periudhën pas Brexit-it.
“Kjo pasuri kulturore e Francës po i huazohet përkohësisht Britanisë së Madhe. Pavarësisht nëse Brexit-i shihet si humbje apo si fitore, ky është një sukses i jashtëzakonshëm diplomatik i presidentit Emmanuel Macron, i cili arriti të bindë francezët ta huazojnë këtë thesar historik, me shpresën për një afrim edhe më të madh mes dy vendeve”, ka thënë ajo.
Muzeu Britanik ka organizuar ndër vite ekspozita shumë të suksesshme, si ato kushtuar Tutankhamunit, Ushtrisë së Terakotës të Kinës dhe qytetit antik të Pompeit. Megjithatë, shumë besojnë se ekspozita e tapicerisë së Bayeux mund t’i tejkalojë të gjitha për nga interesimi i publikut.
“Ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Shumë njerëz mezi presin ta shohin dhe janë rreshtuar për të blerë biletat sapo ato dolën në shitje. Besoj se interesimi do të jetë i jashtëzakonshëm”, ka deklaruar profesoresha.
Tapiceria e Bayeux do të ekspozohet për publikun e gjerë më 10 shtator 2026.