Ata njihen më së shumti për pikturat e tyre të gjalla me vaj në pëlhurë, por një ekspozitë që hapet në jugperëndim të Anglisë po fokusohet në vend të kësaj te aftësitë e holla të grafikës (printimit artistik) të artistëve si Édouard Manet, Vincent van Gogh dhe Paul Gauguin.
Më shumë se 50 grafika, të krijuara kryesisht nga impresionistë, post-impresionistë dhe kubistë, do të ekspozohen në muzeun “Holburne” në Bath.
Ideja e ekspozitës, e quajtur “Përtej impresionizmit”, është të theksojë se si artistët e njohur kryesisht për pikturat e tyre gjithashtu ndihmuan në ringjalljen e grafikës së shtypit, e cila kishte rënë nga moda në mesin e shekullit 19.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoChris Stephens, drejtori i muzeut “Holburne” deklaroi: “Jemi jashtëzakonisht të entuziazmuar që po sjellim një gamë kaq të gjerë artistësh të mëdhenj këtu. Pikturat e impresionistëve janë kaq të njohura, por duket se harrojmë se i njëjti brez artistësh, dhe pasardhësit e tyre, e ndryshuan rrënjësisht grafikën e shtypit. Ne donim ta pranonim këtë moment të madh në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20”.
Stephens e mori idenë për ekspozitën kur pa disa gdhendje në dru të Gauguinit në panairin ndërkombëtar të artit “Frieze Masters” në Londër. “U mahnita nga ndjesia e menjëhershmërisë së tyre”, tregoi ai.
Artistë si Rembrandti në shekullin 17 dhe më vonë Goya ishin grafistë të njohur, por Stephens tregoi se në shekullin 19 ky proces lidhej më shumë me riprodhime komerciale të veprave të famshme.
“Shumë nga piktorët kryesorë të shekullit 19 iu rikthyen mediumit të grafikës së shtypit, duke e ngritur statusin e saj si një formë e pavarur e shprehjes artistike”, tregoi ai.
Imazhi i përdorur në materialet promovuese të ekspozitës është litografia e Manetit e artistes së tij bashkëkohore Berthe Morisot nga viti 1872. Manet ishte një anëtar kyç i “Société des Aquafortistes”, e themeluar në Paris në vitin 1862 për të promovuar gravurën si një medium në të njëjtin nivel me pikturën dhe vizatimin.
Stephens ka thënë se natyra bashkëpunuese e grafikës së shtypit nxiti shkëmbimin e ideve mes artistëve të kohës. Ata gjithashtu u frymëzuan nga mjeshtrit e mëdhenj të grafikës japoneze.
Shumë nga veprat në ekspozitë, të krijuara nga vitet 1850 deri në vitet 1930, vijnë nga koleksione publike, përfshirë Galerinë “Courtauld” në Londër dhe Muzeun “Ashmolean” në Oxford, por disa janë huazuar nga koleksione private dhe rrallëherë janë parë nga publiku.
Stephens tregoi se ishte veçanërisht i impresionuar nga gravurat e James McNeill Whistlerit që paraqesin skena nga lumi “Thames” në Londër dhe nga Venecia.
Ai deklaroi: “Është interesante të shohësh se si ai përdor hijëzimin e butë që mund të arrihet në gravurë. Kjo krijon një efekt të ngjashëm me tonet blu, atmosferike dhe të mjegullta që ai arrinte në pikturat e tij”.
Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin veprën e Van Goghut “Kopshtari pranë një peme molle”, një skenë që ai e kishte vëzhguar dhe skicuar gjatë një vizite në një shtëpi të të moshuarve.
Ekspozita shqyrton gjithashtu se si përparimet në shtypjen litografike mundësuan prodhimin e grafikave të mëdha dhe me ngjyra të gjalla, si ato të Henri de Toulouse-Lautrec që promovonin jetën e natës në Paris.
Gjithashtu paraqiten një seri veprash të Pablo Picasso-s, përfshirë një grafikë të “The Frugal Meal” dhe disa nga gravurat e tij në miniaturë nga vitet 1930. Ekspozita shpjegon se si Picasso e përqafoi plotësisht këtë medium, shtyu kufijtë e tij dhe forcoi statusin e grafikës.
Stephens deklaroi: “Është e mrekullueshme të mund të tregojmë ringjalljen e gravurës, nga nokturnet veneciane të Whistler-it deri te minotaurët e Picassos, përkrah gdhendjeve të rralla në dru të Gauguinit dhe litografive të Toulouse-Lautrec”.