Tapiceria e Bayeux do t’i kthehet Mbretërisë së Bashkuar për herë të parë pas më shumë se 900 vjetësh, si pjesë e një marrëveshjeje huazimesh reciproke nga Keir Starmer dhe Emmanuel Macron. Pëlhura e qëndisur 70-metërshe e kallëzon pushtimin norman të vitit 1066 dhe Betejën e Hastingëve, gjatë së cilës William, që njihet edhe si “pushtuesi”, ia rrëmben fronin Harold Godwinsonit dhe bëhet mbreti i parë norman i Anglisë.
Do të ekspozohet në Muzeun Britanik prej shtatorit të vitit të ardhshëm, në këmbim të thesareve anglo-saksone të anijes së fundosur të Sutton Hoo, figurat e shahut “Lewis”, si dhe thesare të tjera. Huazimi pritet të shpallet zyrtar gjatë vizitës presidenciale të Macronit në Muzeun Britanik të mërkurën, gjatë së cilës do të jetë i mbyllur për publikun. Ekspozita gjigante do t’u japë mundësi vizitorëve ta shohin nga afër tapicerinë që i prek tokat angleze për herë të parë prej se është krijuar dhe pritet t’i ngrejë shifrat ekonomike të Londrës.
Tapiceria e Bayeux përbëhet nga 58 skena dhe thuhet se është realizuar në Angli gjatë shekullit XI, me shumë gjasë porositur nga peshkopi Odo i Bayeux. Sylvette Lemagnen, ruajtëse e tapicerisë, në librin e saj të 2005-tës “Tapiceria e Bayeux”, ka shkruar se mbijetesa e veprës për më shumë se nëntë shekuj ka qenë një mrekulli.
“Gjatësia e jashtëzakonshme e saj, harmonia dhe freskia e ngjyrave, thurja e mprehtë, si dhe gjenialiteti i shpirtit prijës kombinohen për ta bërë atë pafundësisht mbresëlënëse”, ka thënë ajo.
Në Francë, tapiceria ka qenë e ekspozuar në lokacione të ndryshme përgjatë historisë, duke e përfshirë atë të fundit, Muzeun Bayeux. Vizitorët tani kanë mundësi ta shohin në Galerinë e Ekspozitave të Sainsburyt brenda Muzeut Britanik prej shtatorit 2026 deri në korrik 2027. Ndërkaq muzetë në Normandi do t’i ekspozojnë thesaret Sutton Hoo, të cilat janë zbuluar më 1939 në Suffolk, në kuadër të anijes së fundosur anglo-saksone të shekullit VII, si dhe hedhin dritë në njohuritë për Anglinë e parapushtuar prej normanëve.
Nicholas Cullinan, drejtor i Muzeut Britanik, e ka quajtur tapicerinë “një nga artefaktet më të rëndësishme dhe më unike në botë, e cila i ilustron lidhjet e forta mes Britanisë dhe Francës, si dhe i mahnit popujt përtej territoreve dhe gjeneratave”. Ai ka shtuar se “është e vështirë të mos përmendet së tepërmi rëndësia e kësaj mundësie të jashtëzakonshme, që të ekspozohet kjo vepër në Muzeun Britanik dhe jemi pa fund falënderues ndaj secilit që ka qenë i përfshirë”.
“Kjo është hera e parë që Tapiceria e Bayeux shkel në Mbretëri të Bashkuar prej kur është krijuar, para gati 1000 vjetësh. Gjithashtu, e kemi kënaqësinë që në Francë t’i çojmë figurat e shahut ‘Lewis’, si dhe disa nga thesaret tona nga Sutton Hoo, zbulimi më i madh arkeologjik në Britani”, ka thënë ai.
Huazimi do të jetë pjesë e marrëdhënieve bilaterale të kulturës më 2027, e cila e shënon 1000-vjetorin e lindjes së William the Conquerer dhe të ashtuquajturës Grand Départ e Turneut Francez të vitit 2027 në Britani. Lisa Nandy, sekretarja e kulturës, ka thënë se “Tapiceria e Bayeux është prej veprave më ikonike të artit që janë prodhuar ndonjëherë në Britani dhe e kam kënaqësinë që do të kemi mundësi ta mirëpresim këtu më 2026. Ky huazim reciprok është simbol i historisë sonë të përbashkët me miqtë tanë francezë, një lidhje që është ndërtuar përgjatë shekujve dhe që vazhdon të qëndrojë e fortë”.
“Muzeu Britanik është prej muzeve më të vizituar botërisht dhe është vendi i duhur për të qenë nikoqir i këtij thesari për historinë e kombit tonë”, ka thënë ajo.
Presidenti Macron, gjatë fjalimit të tij në një ndejë shtetërore, që është mbajtur të martën mbrëma në Kalanë Windsor, e ka vlerësuar lart këtë këmbim. Ai ka thënë se “për herë të parë pas 900 vjetësh, Tapiceria e Bayeux do të shkojë hapave të luftëtarëve, historitë e të cilëve i paraqet ajo, e të mbërrijë në tokat britanike”.
“Edhe nëse nuk janë krijuar kurrë, apo kanë humbur, kësaj vepre i mungojnë skenat e fundit. E konsideroj si një simbol akoma më të fuqishëm në muralin e madh të historisë franko-britanike, që fundi mbetet të shkruhet në vazhdim”, ka thënë ai.