Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“SYTË” në Zagreb me koncert nga artistët e vendit të izoluar

Grupi kosovar “SYTË” këtë të premte do të ngjitet në skenën e klubit “Močvara” në Zagreb të Kroacisë, në një koncert i mbështetur nga Ministria e Kulturës e Kosovës.

Një grup tashmë i njohur për skenën e muzikës lokale, tani ka marrë hapat edhe në njohje ndërkombëtare. Në vitin 2019, “SYTË” u shfaq me performanca edhe në festivalin “Popkultur” në Berlin dhe “Localize Festival” në Potsdam të Gjermanisë, ku gjithashtu ka performuar edhe në shtete tjera të rajonit.

“Jemi shumë të lumtur që kemi mundësinë të përfaqësojmë Kosovën në vende ku ndoshta nuk ka shumë informata ose dijeni për vendin tonë. Ta bësh këtë përmes muzikës, është një gjë shumë e bukur dhe në të njëjtën kohë përçohet edhe një mesazh shumë i rëndësishëm – ai që arti nuk ka kufij dhe se kështu fillon njohja e artistëve shqiptarë në një nivel ndërkombëtar”, ka thënë Nita Kaja, vokaliste e grupit “SYTË”, bashkë me Drin Tashin në kitarë e klaviaturë, Fatlind Feratin në bas dhe Granit Havollin në bateri.

Është hera e parë që klubi “Močvara” bëhet nikoqire e grupit kosovar të indie-pop ‘SYTË’, një prej grupeve kosovare më me perspektivë, i cili me melodi që mbesin në mendje dhe me koncerte të fuqishme e energjike, ngadalë e sigurt po i bën për vete kritikët e muzikës dhe publikun”, është paralajmërimi që nikoqiri ia bën koncertit. “Močvara”, siç shkruhet në historik, është fytyra alternative e Zagrebit. “Është më shumë se një klub. I vendosur në një ish-fabrikë socialiste në bregun e lumit Sava, është pikëtakim midis pjesës së vjetër e të re të Zagrebit dhe vendndodhja përcakton thelbin e asaj që ka të bëjë me ‘Močvaran’. Dikush mund ta përshkruajë si një vend muzikor, por neve na pëlqen të mendojmë për veten si një qendër kulturore e hapur për të gjitha format e artit”, shkruhet në historikun e kësaj qendre. Po aty, shkruhet se me kalimin e viteve, “klubi është bërë një lloj parajsë e kulturës alternative”, ku kanë performuar grupe lokale e botërore, ndër të cilët edhe kolektivi i njohur amerikan “The Residents” më 2016.

“SYTË” debutoi në vitin 2018 me këngën “Pink Roses”, ndërsa albumin e parë “Divine Computer” e lansoi në vitin 2020.

Edhe “Sytë” në platformën evropiane “Gigmit” Kulturë “Sytë” në platformën evropiane “Gigmit”

Një mesazh tjetër që “SYTË” duan ta përçojnë përmes veshjeve të tyre është izolimi që shtetasit e Kosovës vazhdojnë ta përjetojnë, ku vokalistja e grupit në koncertin në Zagreb do të ketë të veshur një bluzë me mbishkrimin “Isolated Since 1998”. Kjo vjen si një lloj deklarate për të treguar se si artistët e Kosovës shumë herë nuk mund të udhëtojnë dhe të jenë të pranishëm në shfaqjet e tyre, që shpeshherë rezulton edhe me anulimin e pjesëmarrjes. E gjithë kjo për shkak vizave, të cilat janë ende të nevojshme për të udhëtuar jashtë vendit.

Grupi “SYTË” kishte planifikuar të mbante edhe një turne evropian këtë vit, por u anulua për shkak të pandemisë.