Kulturë

“Sytë” në platformën evropiane “Gigmit”

Pas anulimit të turneut të parë zyrtar nëpër Evropë, grupi “Sytë” do t’i rikthehet skenës ndërkombëtare. Sot (e enjte) duke filluar prej orës 19:25 do të performojnë online në kuadër të edicionit të tretë të “Indoor Inspired”. “Sytë” janë në mesin e dhjetë pjesëmarrësve në festivalin dyditor që organizohet nga platforma “Gigmit”. Platforma me nam që merret me promovimin e artistëve, ka në databazën e vet më shumë se 110 mijë profesionistë të muzikës, grupe dhe DJ. Përmes projekteve të ndryshme ajo u mundëson artistëve të rinj që të realizojnë karrierë ndërkombëtare, duke promovuar muzikën e tyre nëpër gjithë Evropën.

Thirrja për edicionin e tretë që nisi të mërkurën, ishte e hapur për këdo. Këtë herë, përkrah grupit kosovar të njohur për stilin e veçantë, do të luajnë edhe artistë të njohur që në thelb e kanë muzikën pop. Nata e parë e Festivalit nisi më këngëtaren e njohur Geiste që veçohet për përzierjen e tingujve elektronikë me ritëm dhe me tekste të fuqishme. Pop-muzika e saj e errët është rezultat i influencimit që artistja ka pasur nga artistët e tjerë si Grimes, Aurora e Lord. Dita e dytë, më kantautoren Ange nga Barcelona e që jeton në Sydney e njohur për stilin pop. Në mesin e performuesve, veçohet edhe duoja e indie-popit, “Vaarwell” nga Lisbona, që do të performojë pas grupit kosovar.

“Indoor Inspired” është një seri e performancave online e iniciuar nga platforma “Gigmit”, me bazë në Berlin. E lansuar në mesin e pandemisë së virusit COVID-19, qëllimi i saj sipas përshkrimit në faqen zyrtare, është që t’u ofrojë artistëve një skenë dhe t’i ndihmojë ata që të shfaqin muzikën e tyre në një kohë kur udhëtimi nuk është i mundshëm. Ndalimi i udhëtimeve dhe mbajtja e koncerteve për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë, ishte edhe arsyeja që la grupin “Sytë” pa realizuar turneun evropian që do të niste më 29 prill.

Anëtarët e grupit, që njihet për “dream pop”, të ngjyrosur me vokale shpirtërore dhe melodi marramendëse kanë thënë se kjo performancë është një mundësi e mirë që publiku të dëgjojë këngët e tyre. Nita Kraja (vokal) dhe Drin Tashi (kitarë, sint) janë themeluesit e grupit. Qenë takuar në Prishtinë gjatë verës së vitit 2016, kur i vunë edhe themelet e grupit. Më vonë në “Sytë” u bashkuan edhe bas-kitaristi Fatlind Ferati dhe bateristi Granit Hovolli. “Sytë” në korrik të vitit 2018 lansoi EP-në me emrin e grupit, e më 20 mars të këtij viti albumin “Divine Computer”. Në koncertin 20-minutësh ku publiku mund të ndërhyjë duke bërë pyetje dhe komente, “Sytë” do të luajnë këngë pikërisht nga këto dy albume.

“Duke marrë parasysh që ‘Gigmit’ është një ndër platformat kryesore në Evropë që lidh artistët dhe organizatoret e festivaleve dhe eventeve të ndryshme, atëherë presim që ky koncert mund të jetë një mundësi për zgjerimin e audiencës sonë”, kanë thënë anëtarët e grupit për KOHËN. Sipas tyre, kënaqësia për këtë pjesëmarrje është edhe më e madhe, pasi që është hera e parë që një artist apo grup shqiptar prezantohet në një platformë të tillë. Diçka e tillë nuk ishte e lehtë as për nga cilësia e muzikës, por as nga aspekti teknik.

“Kur kemi aplikuar në fillim nuk kemi pasur mundësi që të zgjidhnim Kosovën si shtet të origjinës, por ne kemi insistuar shumë që edhe Kosova të jetë pjesë e shteteve të cilat e kanë të mundshme pjesëmarrjen”, kanë treguar ata. Të gjithë ata që dëshirojnë që të blejnë biletat të cilat kushtojnë 2 euro, mund të regjistrohen në faqen e Festivalit.