Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Java e Evropës” për diversitet me artin që thyen izolimin edhe virtualisht

Evropa, e gati krejt bota i kanë mbyllur kufijtë si pasojë e masave të marra për parandalimin e virusit COVID-19. Por muzika është ajo që s’i përfill rregullat. Edhe virtualisht bashkon artistët. Një “shkelje” e këtillë po bëhet edhe gjatë “Javës së Evropës”, e cila qëllim parësor ka manifestimin e diversitetit në Kontinentin e Vjetër. Grupi kosovar “Sytë” është në mesin e “shkelësve”, njëlloj si sopranoja kosovare Arta Jashari e tenori italian Piero Mazzocchetti.

Performancat e tyre janë dhënë online. Në këtë mënyrë do të mbahen të gjitha aktivitetet në kuadër të këtij organizimi që nisi më 9 maj e zgjat deri më 15 maj.

“Sytë” ka interpretuar të dielën. Fillimisht instrumentisti i ri Granit Havolli është ulur në bateri dhe ka nisur të luajë. Nëpërmjet ndriçimit është krijuar një ambient goxha miqësor e pak edhe ëndërrues, i përshtatur mirë “dream pop” që luan grupi. Pas disa sekondash ekrani është ndarë në dy pjesë, e hapësira është mbushur nga Nita Kaja në vokal dhe Drin Tashi (kitarë, sint). Një ndarje e tretë ia ka lejuar inkuadrimin edhe bas-kitaristit Fatlind Ferati. Anëtarët e grupit – të cilit i është pamundësuar realizimi i turneut të parë zyrtar në Evropë që do të niste më 29 prill – nga shtëpitë e tyre kanë luajtur copëza nga albumi i tyre i ri “Divine Computer”, lansuar më 20 mars të këtij viti. Pos këngës që ia dha emrin albumit, grupi ka interpretuar edhe “Venus” dhe “Crystal Floor”, si një përzgjedhje për të bërë një prezantim sa më të mirë të realizimeve të reja.

“Nuk ka diçka që ne duam më shumë sesa të lëmë shtëpitë tona, të vizitojmë vende të ndryshme dhe ta lëmë veten tonë të eksplorojë kultura të ndryshme duke performuar këngët tona për publikun”, ka thënë vokalistja Nita Kaja pak para performancës. Ka shtuar se anëtarët e grupit besojnë se udhëtimet dhe shkëmbimet kulturore janë shumë të rëndësishme për artistët. Sipas saj, arti është ai që i bashkon të gjithë, raporton KOHA.

“Për shkak të pandemisë ne duhet që të gjejmë mënyra të reja për t’u lidhur me audiencën dhe me njëri – tjetrin, turneu jonë i parë zyrtar evropian është shtyrë për shkak të pandemisë, por jemi shumë të lumtur që mund të performojmë për publikun dhe të lidhemi me ta duke qëndruar të sigurt në shtëpitë tona”, ka thënë Kaja pak para se të niste performanca. Ajo dhe Drin Tashi janë themeluesit e grupit. Qenë takuar në Prishtinë gjatë verës së vitit 2016, nisën një lidhje romantike dhe kuptuan se mund t’i lidhte edhe muzika.