Kulturë

“Java e Evropës” vjen online me ofertë të pasur aktivitetesh kulturore

Një gërshetim zhanresh sjell lista e artistëve që janë bërë pjesë e aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të “Javës së Evropës” prej 9 deri më 15 maj. Për dallim nga vitet e kaluara, sivjet aktivitetet do të mbahet online. Pjesa e kulturës është e pasur me emra si kitaristi me famë botërore Petrit Çeku, i cili do të performojë e deri te artisti Sislej Xhafa, që artin e quan gjithherë provokim, e që vjen me ligjëratë. Pianistja Ardita Statovci do të tregojë sesi ishte vetëm 15-vjeçare kur u pranua në “Mozarteum” të Salzburgut, e që atëherë luan nëpër alamet skenash. Me perfomancë vijnë sopranoja Arta Jashari, kantautorja Andrra, grupi “Sytë”, por vend ka edhe për pop-këngëtaren Dafina Zeqiri.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, ka thënë se ani pse programi do të jetë online, nuk është më pak i pasur e as nuk ka më pak ngjarje sesa do të ishin mbajtur në situatë normale. Ka thënë se në fakt është një program edhe më i pasur e që ofron një llojllojshmëri edhe më të madhe e që u mundëson njerëzve që të përzgjedhin çfarë ata dëshirojnë.

“Do të ketë ngjarje çdo ditë, edhe pse këtë vit jemi duke u përballur me një pandemi në të cilën jemi të gjithë së bashku. Për shkak të pandemisë e masave që janë vendosur nuk do të jemi në gjendje që të organizojmë ndonjë aktivitet ku ka kontakte fizike midis njerëzve, por kemi gjetur metoda të ndryshme”, ka thënë ai në konferencë online.

Në kategorinë “Kosovarët e suksesshëm evropianë”, artisti Sislej Xhafa do të shpalosë rrugëtimin e tij e po ashtu edhe pianistja Ardita Statovci. Xhafa është i njohur për veprat që mund të përshkruhen si “veprime” apo strategji konceptuale që i sfidojnë stereotipat kulturorë, paragjykimet e paramenduara dhe strukturat institucionale. Ka një karrierë të suksesshme ndërkombëtare që njihet nga shumë muze dhe institucione kryesore. “E humbur dhe e gjetur” (“Lost and found”) është titulli i veprës së tij, me të cilën më 2017 e përfaqësoi Kosovën në edicionin e 57-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie.

Pianistja Ardita Statovci, e lindur më 1982 në Prishtinë, që në moshën 8-vjeçare ka studiuar për piano me mësuesen Hadije Gjinali në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, duke përfunduar klasën e dytë dhe të tretë brenda një viti. Ishte vetëm 15-vjeçare kur u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri, nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë. Menjëherë u pranua në universitetin me renome botërore “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë, ku diplomoi në vitin 2004. Më 2007 mori titullin master në klasën koncertale të Christoph Lieskes. Më 2009 studioi me legjendarin Menahem Pressler në “Inidiana University” në Bloomington në ShBA. Në Itali ajo kompletoi studimet universitare në Imola Accademia Pianistica me Boris Petrushanskyn dhe Franco Scalan. Ka performuar në shumë vende në Evropë, ShBA, Azi e të tjera.