Për tri ditë me radhë, prej datës 8 deri më 10 gusht, zemra e Mitrovicës do të rrahë me ritmet e tingujve të jazzit, teksa nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës do të sjellë çaste të paharrueshme përmes performancave të artistëve me renome botërore. Ky edicion i tretë i “Mitrovica International Jazz Days” vjen me moton “MitroLove”, nën misionin e promovimit të muzikës jazz, e me thirrje për përfshirjen e të rinjve në krijimin e muzikës alternative
Pas dy edicioneve të suksesshme, qyteti në veri të Kosovës, Mitrovica, ka hapur dyert për organizimin e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica International Jazz Days”, i cili tani ka krijuar një themel të fortë në botën e festivaleve, duke e përfshirë Mitrovicën, e bashkë me të edhe Kosovën, në frymën e muzikës dhe të performancave të zhanrit xhaz në rajon dhe në botë. Për tri ditë me radhë, prej datës 8 deri më 10 gusht, zemra e këtij qyteti do të rrahë me ritmet e tingujve të jazzit, teksa nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës do të sjellë çaste të paharrueshme përmes performancave të artistëve me renome botërore.
Ky edicion i tretë vjen me moton “MitroLove”, nën misionin e promovimit të muzikës jazz, e me thirrje për përfshirjen e të rinjve në krijimin e muzikës alternative. Ka bërë thirrje për muzikantët e rinj që luajnë jazz, rock, alternative, hip-hop, punk, metal, new wave, fusion, pop dhe zhanre të tjera moderne, të cilët do të kenë mundësi të performojnë si solistë ose si grup deri në pesë muzikantë.
Në të parin edicion, në qytetin e Mitrovicës kishin zbarkuar emra të mëdhenj të muzikës të cilëve rrugëtimi u ishte shkruar edhe në skena famëlarta si ajo e “Grammy”. Baskitaristi e këngëtari me prejardhje afrikane, Richard Bona, kishte ngjitur skenën e festivalit, duke e bërë dhe hapjen e atij edicioni. Bashkë me të, laureatët e pesëfishtë të “Grammyt” që performuan në “Mitrovica International Jazz Days” ishin dhe britaniku, Bill Laurance, e amerikani Michael League, që të dy kompozitorë, producentë dhe poliinstrumentistë.
Edicioni i dytë, i cili kishte vazhduar në avazin e të parit, tash më fuqishëm se parapraku, kishte sjellë po ashtu emra të njohur ndërkombëtarisht të muzikës jazz, energjinë e jashtëzakonshme dhe profesionalizmin e kantautores e muzikantes suedeze, Gunhild Carling, interpretimet e artistes Kinga Glyk nga Polonia, si dhe paraqitja e jazz-artistes italiane, Francesca Tandoi. Përveç tyre, këtë edicion e kishte karakterizuar edhe ansambli “Western Balkans Band”, i cili kishte ardhur si iniciativë edukativo-kulturore, e që kishte bërë bashkë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia e Maqedonia e Veriut.
Ky edicion tani do të vijë me emra të njohur të këtij zhanri muzikor. Përgatitjet veçse janë në përfundim dhe ndonëse nuk ka qenë një vit i lehtë, sipas Rona Nishliut, drejtoreshë e festivalit, me ndihmën e institucioneve e organizatave kjo është bërë e mundur.
“Jemi shumë të lumtur që po arrijmë ta sjellim për ata që e pëlqejnë muzikën jazz dhe audiencën në gjithë vendin tonë, një program i cili është mjaft dinjitoz. MIJF po bëhet tre vjeç, përgatitjet i kemi bërë, nuk ka qenë një vit i lehtë, ka qenë një vit i vështirë, normal që me jazz nuk është asnjëherë e thjeshtë, por gjithsesi ne e kemi fatin që e kemi besimin e institucioneve, të ambasadave e të një pjese tepër të vogël, por të rëndësishme të sektorit privat, kështu që ia kemi dalë”, ka thënë ajo gjatë një bisede në emisionin “Express Summer” të KTV-së të mërkurën.
Në natën e parë të festivalit, më 8 gusht do të performojnë Mike del Ferro nga Holanda, anglezja Emma Smith, “Eyrie” nga Japonia, si dhe “Hakan Başar Trio” nga Turqia, emra të njohur të muzikës jazz.
Nata e dytë do të sjellë “Sheki Hoxha and Friends” nga Kosova, e në këtë edicion do të vijë edhe diçka e re, në natën e dytë të festivalit: një kombinim ku muzika jazz takon muzikën hip-hop, Mc Kresha dhe Lyrical Son do ta sjellin këtë krijim origjinal. E gjatë natës së tretë, që është edhe mbyllëse, do të performojnë Gianluca Petrella nga Italia, treshja “HAEZZ” nga Austria, si dhe Ilir Bajri, Visar Kuçi e Enes Beu me grupin “Introspective” nga Kosova. Katër koncerte janë paralajmëruar për hapjen e festivalit sivjet.
“Këtë vit, për dallim prej dy vjetëve të kaluar, festivali është hapur me koncertin e Big Bendit, me një mysafir të ftuar, këtë vit e hapim festivalin më datë 8 gusht në Parkun e Qytetin me katër koncerte”, ka shtuar ajo.
Gjatë këtyre tri ditëve do të ketë edhe programe të tjera, si “Jazz4Kids”, punëtori me artistin Mike del Ferro e gjithashtu edhe një program të skenës alternative duke përfshirë bende të reja lokale të muzikës jazz dhe asaj alternative nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Kemi dashur të bëjmë një ndryshim këtë vit, jemi zgjeruar edhe me dy skena të tjera alternative, kemi ftuar muzikantët nga të gjitha zhanret e mundshme që u takojnë moshave të reja që të vijnë në Mitrovicë dhe të luajnë një program të shkurtër. Kemi edhe punëtori tradicionale, një punëtori me pianistin holandez, i cili hap festivalin këtë vit, i cili do t’i mbledhë të rinjtë dhe do t’i ndihmojë me përvojën e tij shumë të gjatë në fushën e vetëmenaxhimit të artistëve si individë”, ka thënë Nishliu.
E tërë kjo bëhet që Mitrovica të frymojë në listën botërore të festivaleve të muzikës alternative dhe jazz. Prania e muzikantëve prej më të mirëve në këtë festival është edhe arma e fortë e tij.
“Ideja është që Mitrovicës t’ia sjellim një frymë botërore, ndërkombëtare, perëndimore, traditë lindore, e të tjera, që ta bëjmë botën bashkë në Mitrovicë, pa dyshim që dëshirat janë shumë të mëdha dhe kemi shumë qejf që programin ta pasurojmë dhe ta zgjerojmë mirëpo, siç dihet, nuk është e lehtë në kuptimin financiar që ëndrrat të bëhen tërësisht realitet. Gjithsesi, mendoj se për tre vjet me radhë vërtet kemi sjellë muzikantë nga mbarë bota”, ka shtuar Rona Nishliu, e cila është edhe themeluese e këtij festivali.
Për tri ditë me radhë ky festival do t’i japë një tjetër pamje qytetit të Mitrovicës dhe pritet të dëshmojë profesionalizmin e organizimit të festivaleve, tok me dëshirën e madhe për të dëgjuar tinguj jazz. Andaj, sado e vështirë të jetë, ai veç po shkon drejt të të bërit traditë e qytetit, krahas festivaleve dhe ngjarjeve të tjera që ndodhin aty.