Në platformën prestigjioze takohen muzika e profesionistët e zhanrit. Atje mysafir është “Mitrovica International Jazz Days” e përfaqësuar nga drejtuesja e tij, kantautorja Rona Nishliu. Festivali i jazzit nga qyteti verior i Kosovës ka edhe një tjetër qëllim nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë aktivitet, anëtarësimin në Rrjetin Evropian të Jazzit. Është hera e parë që Festivali Ndërkombëtar i Jazzit në Mitrovicë merr pjesë në këtë ngjarje, me ftesë të Konferencës Evropiane të Jazzit
Midis katërqind personalitetesh a organizatash të jazzit, edhe skena vendore e Kosovës do të përfaqësohet në Konferencën Evropiane të Jazzit. Në platformën prestigjioze takohen muzika e profesionistët e zhanrit. Atje mysafir është “Mitrovica International Jazz Days” e përfaqësuar nga drejtuesja e tij, kantautorja Rona Nishliu. Festivali i jazzit nga qyteti verior i Kosovës ka edhe një tjetër qëllim nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë aktivitet, anëtarësimin në Rrjetin Evropian të Jazzit.
Është hera e parë që Festivali Ndërkombëtar i Jazzit në Mitrovicë merr pjesë në këtë ngjarje, me ftesë të Konferencës Evropiane të Jazzit. Jo veç si pjesëmarrëse, por edhe me qëllime të qarta. Drejtoresha e saj, Rona Nishliu, në një bisedë për KOHËN ka bërë të ditur se festivali ka aplikuar për anëtarësim në Rrjetin Evropian të Jazzit.
“’Europe Jazz Network’ është një rrjet ndërkombëtar që përfshin mbi 180 organizata nga më shumë se 35 vende evropiane, duke përfshirë festivale, qendra kulturore, institucione të muzikës kreative. Ftesa për pjesëmarrje është një sinjal për një anëtarësim të Mitrovica International Jazz Days në një të ardhme të afërt. Përmes kësaj platforme do të jemi edhe më afër bashkëpunimeve ndërkombëtare që kanë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të skenës së xhazit në Evropë”, ka thënë Nishliu në një përgjigje me shkrim.
Ajo ka qëndruar në Bari të Italisë, ku edhe është mbajtur edicioni i 11-të i Konferencës. Ftesa nga Karolina Juzwa, presidente e “Europe Jazz Network”, është tregues për jehonën e ngjarjes në skenën ndërkombëtare, ndërsa anëtarësia aty do të krijonte mundësi për rrjetëzim të festivalit.
“Kosova përmes ‘Mitrovica International Jazz Days’, për herë të parë është pjesëmarrëse në Konferencën e 11-të Evropiane të Xhazit, me ftesë të veçantë si mysafire, në ngjarjen kryesore vjetore të Rrjetit Evropian të Xhazit, në shërbim të zhvillimeve të fundit në këtë sektor. Konferenca sjell panele të shumta diskutimesh, prezantimin e grupeve muzikore të përzgjedhura nga juria e Rrjetit Evropian te Xhazit, ndarja e tri çmimeve të përvitshme dhe aktivitete rrjetëzimi”, ka thënë Nishliu.
“European Jazz Conference” është takimi vjetor më i rëndësishëm për profesionistët e jazzit në Evropë, ku mblidhen drejtues të festivaleve, muzikantë, kuratorë dhe organizatorë nga mbarë bota për të ndarë ide, për të bashkëpunuar dhe për të avancuar këtë muzikë si formë bashkëkohore e artit. Konferenca përfshin sesione diskutimesh, koncerte të kuruara dhe aktivitete rrjetëzimi. Edicioni i 11-të u mbajt në Bari të Italisë nga 25 deri më 28 shtator nën moton “Somewhere called home”.
Konferenca organizohet në kuadër të Rrjetit Evropian të Jazzit.
“Si i vetmi aktivitet i këtij lloji në Evropë, konferenca nxit marrëdhënie profesionale afatgjata, projekte dhe bashkëpunime të reja, ndarjen e njohurive dhe njohuri mbi trendët më të fundit në këtë fushë. Ajo gjithashtu nxjerr në pah skenat globale muzikore dhe praktikat më të mira, duke përfshirë ato përtej Evropës”, shkruhet në prezantimin e ngjarjes.
Kanë mjaftuar tri edicione që Festivali Ndërkombëtar i Jazzit në Mitrovicë të zgjerohet e të bëhet pjesë e ngjarjeve ndërkombëtare, me fokus në ato që i dedikohen muzikës jazz. E ka bërë duke sjellë figura të shquara në kalendarin e ngjarjeve të saj edhe madje qysh në edicionin e parë, me sjelljen e ikonës Richard Bona dhe jo vetëm.
Sivjet pos programit të pasur që ka sjellë me edicionin që u mbajt më 8, 9 e 10 gusht, festivali gjithashtu ka shënuar një tjetër sukses, duke u anëtarësuar në rrjetin ndërkombëtar “Green Touring Network”, në prill të këtij viti.
“Green...” është rrjet ndërkombëtar që promovon praktikat e qëndrueshme për mjedisin. Sipas prezantimit, “Green Touring Network” funksionon që nga viti 2020 dhe synon rritjen e muzikës dhe entuziastët e mjedisit, si dhe inkurajon industrinë e muzikës që të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit.
Që në edicionin e parë, në qytetin e Mitrovicës kishin zbarkuar emra të mëdhenj të muzikës që shkojnë deri tek ata të vlerësuar me “Grammy”. Bas-kitaristi e këngëtari me prejardhje afrikane, Richard Bona, kishte ngjitur skenën e festivalit, duke e bërë edhe hapjen e atij edicioni. Laureatët e pesëfishtë të “Grammyt” që performuan në “Mitrovica International Jazz Days” ishin dhe britaniku Bill Laurance e amerikani Michael League, të dy kompozitorë, producentë dhe poliinstrumentistë.