Në vitin 2021, Elbenita Kajtazi do ta bënte të prekshme ëndrrën e saj të kahershme. Do të kalonte me sukses të gjitha fazat përzgjedhëse, në “BBC Cardiff Singer of the World” dhe në atë që konsiderohet si një nga ngjarjet më të njohura të muzikës operistike, Kosova u përfaqësua për herë të parë. Por, ky është vetëm një sukses i vitit të saj. Drithërimë – si një varg që ajo këndon – është fjala që përshkruan gjithë rrugëtimin e Kajtazit përgjatë gjithë vitit
Sopranoja Elbenita Kajtazi, më 2021 e çoi zërin e Kosovës në garën botërore të BBC-së. Ishte në mesin e 15 garuesve në “BBC Cardiff Singer of the World”. Në botën e muzikës klasike ajo është garë e mezipritur për këngëtarë operash e koncertesh. Nga “dyert” e këtij konkursi shpërthyen artistë me karriera të suksesshme. Nëpërmjet një videoje gjashtëminutëshe, mediumi i njohur britanik BBC do të sillte një shkëputje nga interpretimi mjeshtëror që sopranoja Elbenita Kajtazi i ka bërë operës “Roméo et Juliette” të Gounodit. Në mjedisin impozant të “St David’s Hall” të përshkuar nga një ndërndërrim ndriçimesh nga roze në të kaltër, artistja shqiptare do ta niste me një ton dramaciteti vargun e parë: “Dieu! quel frisson court dans mes veines?” (Zot! Ç’drithërimë po lëvrin në venat e mia). Drithërimë, është fjala që përshkruan gjithë rrugëtimin e sivjetmë të Kajtazit.
Brenda yjësisë së klasikes
Kajtazi i nisi vitin me lajmin se do të jetë pjesë e festivalit ku para pesë vjetëve u paraqit si artiste e re. Tashmë nga Festivali nuk konsiderohej një soprano e re me potencial të jashtëzakonshëm. Mori epitetin e sopranos së jashtëzakonshme që po lë gjurmë në skenën operistike.
Kajtazi ishte në mesin e emrave me të cilët Festivali i Salzburgut në Austri u krenua që i ka në programin me të cilin shënoi shekullin e parë. Për shkak të pandemisë, këtë vit u shfaqën vepra të edicionit që nuk u mbajt, por edhe të tjera duke e zgjeruar festimin prej 17 korriku deri më 31 gusht.
Kajtazi pati dy paraqitje si soprano, në uverturën “Egmont”, Op.84 të Ludwing van Beethoven dhe në veprën “Missa in tempore belli” të Thomas Hardyt. Me to mori zemrën e ndjekësve të ngjarjes që konsiderohet Festivali më i njohur i muzikës klasike, operistike.
Edhe
Elbenita Kajtazi në “sezonin e Verdit” nis vitin me duartrokitje në Hamburg
“Është një privilegj i madh dhe kënaqësi e madhe pasi që është një ëndërr që po më realizohet”, do të thoshte ajo për KOHËN. Atëherë do të shkonte për të ndjekur masterklasa e mësuar nga artistë të mëdhenj, këtë vit ishte pjesë e elitës së Festivalit.
Me duartrokitje të shumta u përcollën të dyja paraqitjet. Ndjekësve të saj në Kosovës, Kajtazi do t’u tregonte në rrjetet sociale edhe video të shumta nga atje.
“Më kishte marrë malli me të vërtetë shumë të këndoj për një sallë të mbushur plot”, thotë ajo kur pyetet për këtë eksperiencë. Tregon se vlerësimi i paraqitjes së saj nga kritikët e festivalit të Salzburgut ka qenë i mrekullueshëm.
“Ndihem jashtëzakonisht e lumtur që puna dhe përkushtimi im janë vlerësuar lart në këtë festival me yje nga e gjithë bota”, thotë ajo.
Para pesë vjetëve, pikërisht në kuadër të këtij Festivali, Kajtazi u ngjit në skenë përkrah tenorit me nam Plácido Domingo. Pati rolin e Crobyle në operën “Thias” të kompozitorit të periudhës së romantizmit Jules Massenet. Për paraqitjen e saj, Kajtazi mori komente pozitive edhe nga shumë kritikë të muzikës klasike. Qe një shtytje e madhe për sukseset që erdhën me pas. Pas dy vjetësh arriti në gjysmëfinale të garës së njohur “Operalia”, themeluar në vitin 1993 nga vetë Plácido Domingo për të promovuar dhe ndihmuar talentet e reja në botën e operës.
Realiteti i një ëndrre
Kajtazi do ta bënte të prekshme ëndrrën e saj të kahershme. Do të kalonte me sukses të gjitha fazat përzgjedhëse në “BBC Cardiff Singer of the World”.
Në një video të shkurtër të realizuar në hyrje të Wiener Staatsoper, në kryeqytetin austriak, në prill bëri të ditur lajmin tek shfaqej e lumtur që përfaqëson Kosovën në këtë garë me konkurrentë nga e gjithë bota.
“Uroj nga zemra që t’ju përfaqësoj sa më mirë e të ndahem edhe vetë e kënaqur nga kjo garë”, do të thoshte Kajtazi, duke shtuar që kishte qenë gjithmonë ëndërr e saj të ishte pjesë e këtij konkursi. Në edicionin e 20-të me radhë të kësaj gare virtuozja e lindur në Mitrovicë e ka ngjitur për herë të parë Kosovën në një nga ngjarjet më të njohura të muzikës operistike.
Për dy javë sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi do të mbetej e karantinuar brenda një hoteli në Cardiff të Walesit para se të niste garën. Kajtazi, do ta gjente veten në garë me konkurrentë nga vende si SHBA-ja, Britania, Koreja e Jugut, Venezuela, Gjeorgjia, Madagaskari, e të tjera.
Duke i bashkëshkrirë në mënyrë të harmonishme vokalet e saj dhe afinitetin aktoresk, nën shoqërimin e Orkestrës Kombëtare të Walesit, duartrokitjet e vetë instrumentistëve kanë qenë “pagëzimi në zjarr” për një sprovë të kaluar me sukses. Kajtazi kishte zgjedhur të konkurrojë në garën e këngës dhe atë të operës. Ani pse nuk fitoi, Kajtazi siç thotë tashmë kishte përmbushur misionin e saj: për herë të parë Kosova përfaqësohet aty ky synojnë emrat e mëdhenj.
Nëpërmjet repertorit e dërgoi edhe muzikën shqiptare. Këndoi “Agimet shqiptare” të kompozitorit shqiptar Avni Mula. Gjithashtu paraqitja e saj u vlerësua lart nga interpretues të njohur që përcollën këtë ngjarje.
Ndryshe, “BBC Cardiff Singer of the World” është një garë e çdo dyvjetshme që organizohet në bashkëpunim me Operën Kombëtare të Walesit, si dhe me mbështetjen e qytetit të Cardiffit. Sipas “analeve” të kësaj ngjarjeje, Kajtazi megjithatë, nuk është e para këngëtare shqiptare që pushton skenën në Cardiff. Më 1997, sopranoja Erla Kollaku e kishte përfaqësuar aty Shqipërinë.
Ylli në ngritje me koloraturë vezulluese
Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, gjatë vitit mori vëmendjen e një sërë mediumesh. Mes tyre, revista amerikane “OperaWire” që e cilësoi si “yll në ngritje”. Artikullin që i është kushtuar asaj, revista e kishte titulluar: “Artistja e javës: Elbenita Kajtazi”.
Edhe
“Erdhlezeti” rikthehet në ritëm me energjinë e muzikës që bashkon
Aty përshkruhej se si ajo do të debutojë në rolin e Ritës në operën njëaktëshe të Gaetano Donizettit. Vepra e titulluar “Deux hommes et une femme” njihet edhe me emrin që e mban personazhi kryesor që interpretohet nga Kajtazi. Premiera u dha më 1 shtator në sallën e koncerteve “Konzerthaus” në Berlin.
Sopranoja do të kthehej në Berlin, aty ku audienca e njeh për vite. Kajtazi ishte artiste e re në “Deutsche Oper Berlin” prej vitit 2014 deri më 2016 dhe ka interpretuar një numër rolesh duke përfshirë veprat e Verdit, Mozartit deri te Puccini dhe Janacek e Humperdinck. Debutimi i saj me rolin e Ritës, e riktheu përsëri në vëmendje të mediave ndërkombëtare.
"Sopranoja e re Elbenita Kajtazi nga Kosova, mahniti dhe magjepsi në rolin e Ritës me zërin e saj të mrekullueshëm, si dhe na bëri për vete me timbrin e saj sensual qysh para daljes së saj në skenë. Me humorin dhe temperamentin e saj të jashtëzakonshëm e mëshiroi rolin e saj bindshëm dhe në mënyrë simpatike. Në arien e saj, ajo nuk i mbeti borxh asnjë ngjyre, sepse ajo u dëgjua me kënaqësi të jashtëzakonshme”, do të shkruante medium online “Kultura Extra”. Sipas të njëjti nuk është aspak e çuditshme që Kajtazi këndon në shtëpitë e mëdha operistike si në Dresden, në Festivalin e Salzburgut si dhe është bartëse e shumë çmimeve në shumë gara. E sipas blogut “Klassik Begeistert”, sopranoja i jep banakieres Rita sharm e humor dhe sidomos zërin e saj të bukur dhe lirik.
E sipas revistës kulturore “Feuilletonscout” me më shumë se një dekadë traditë, të tre protagonistët mbërthyen publikun me zërat e tyre freskues. Por, do të theksohej sidomos gjallëria e Kajtazit. “Unë jam impresionuar sidomos nga gjallëria e Elbenita Kajtazit”.
Revista “Klassik” në kritikën e tyre do të shtonte se përveç gjallërisë edhe timbrin shumëngjyrës, “ishte një koloraturë vezulluese".
Me role të botës lirike
Lista e personazheve në repertorin e saj është e gjatë. Aty janë Pamina në “Flautin magjik”, Gretel në “Hansel and Gretel”, Musetta në “La bohème”, Liù në “Turandot”, Violetta në “La Traviata” e Adele në “Die Bat” e shumë të tjera.
Edhe kur erdhi në Kosovë, zgjodhi arie nga këto vepra operistike. “Kam menduar që koncerti duhet ta ketë një frymë të asaj që po performoj edhe jashtë vendit”, do të thoshte ajo për KOHËN sa i përket koncertit që dha në shtator në kuadër të Festivalit “Remusica” që shënoi edicionin e 20-të.
Për këtë sezon ka të planifikuar debutimin me katër role. E nisi mbarë pikërisht me Ritën. Dha premierën e “Dasmës së Figaros” e caktuar më 27 nëntor, dhe reprizën e saj të parë. Rrugëtimin me këtë rol njëherë ia ndali pandemia. Programi u shty për shkak të situatës me pandeminë.
Debutimi me konteshën bëri që ajo të përvetësojë rolin e tretë nga kjo operë. Debutimin e parë e kishte me rolin e Barbarinës në vitin 2016 në teatrin “Aalto, në qytetin gjerman Essen”. Rolin e dytë që këndoi ishte Susanna në vitin 2019 në Operën shtetërore të Hamburgut, ndërsa me konteshën u shfaq në “Theater Erufurt” në Gjermani.
“Jam jashtëzakonisht e kujdesshme në rolet që këndoj, kam shumë dëshirë që aty ku dëshiroj të arrij të ngjitem ngadalë dhe me hapa shumë të sigurt duke mos dëmtuar zërin dhe duke shijuar çdo rol, sado rol i vogël apo i madh të jetë”, thotë Kajtazi.
Rrugëtimin e saj lirik do ta vazhdojë me rolin Manonit nga opera “Manon” e kompozitorit francez Jules Massenet, në janar të 2022-s në “Staatsoper Hamburg”.
“Për mua karakteristik është fakti se po futem në një rrugëtim më lirik, soprano lirike, pasi që deri tani kam kënduar si soprano leggero ose ‘baby lyric’, kurse tash po i futem një repertori më lirik”, do të thoshte kur iu konfirmua roli. Do të theksonte se me shumë punë ka arritur deri të ky nivel për të kënduar role më lirike si është kontesha, Manoni, Mikaela, Violeta, Mimi e të tjera.
Pikërisht debutimin me rolin e Mimit nga opera “La Boheme” do ta ketë në qershor të 2022-s në “Semperoper Dresden”. Interpretimi i rolit është goxha emocionues, pasi në versionin që do ta portretizojë Kajtazi, ajo vdes në fund. Pavarësisht kujdesit të Rodolfos dhe miqve të tij, Mimi nuk i bën ballë sëmundjes. Kështu kasta sjell një interpretim plot pasion, por edhe pjesë që thyejnë zemrën.
Edhe
Një dialog elegant kornosh kulmon harmonishëm në shtyrje kufijsh
“Jam shumë e emocionuar dhe pres me padurim që të këndoj. Madje kam biseduar edhe me Ermonelën (v.j. sopranon Ermonela Jaho) që ta pyes se si të menaxhoj emocionet në fund kur Mimi vdes edhe kur në njëfarë mënyre shpirti i saj ngjitet në qiell, në një mënyrë shumë graduale, pasi që Puccini e ka kompozuar aq bukur. Pra, do të jetë pak sfidues për shkak të anës emocionale, por jo aq edhe asaj muzikore”, është përshkrimi i Kajtazit.
E sigurt është që drejt lirikës po shkon me hapa të sigurt. Me bindje se do të ngjallë mornica kur të dëgjohet. “Zot! Ç‘drithërimë”, do të shkruhet për interpretimet e saj, pa iu referuar kësaj radhe nisjes së operës “Roméo et Juliette” të Gounodit.