Kulturë

Elbenita Kajtazi – prej izolimit drejt skenës së garës botërore të BBC-së

Për dy javë sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka mbetur e karantinuar brenda një hoteli në Cardiff të Walesit. Të premten ka dalë nga karantina dhe është duke realizuar provat e para për garën prestigjioze të botës së muzikës. Ani pse garon për çmimin e këngës dhe atë kryesor, Kajtazi ka theksuar se tashmë ka përmbushur misionin e saj: për herë të parë Kosova përfaqësohet aty ky synojnë emrat e mëdhenj

“Jam rrugës për provën e parë”, ka thënë për KOHËN sopranoja Elbenita Kajtazi. Prej Hamburgut, më 30 maj ishte nisur për në Cardiff. Aty ka qëndruar e karantinuar për 12 ditë. Të premten ka dalë nga karantina. Ka nisur provat, pasi të dielën e 13 qershorit do të ngjitet në skenë për konkursin e Këngës e pastaj më 16 qershor do të garojë për çmimin kryesor në garën botërore të BBC-së. Përveç këtyre dy çmimeve, gara e mezipritur për këngëtarë operash e koncertesh ndan edhe çmimin e publikut.

“BBC Cardiff Singer of the World” mbahet tash e 38 vjet, çdo dy vjet. Nga “dyert” e këtij konkursi shpërthyen me karriera të suksesshme edhe emra të tillë, si Karita Mattila, Dmitri Hvorostovsky, Bryn Terfel, Anja Harteros dhe Jamie Barton. Edicioni i sivjetmë i kësaj gare – që mbahet prej 12 deri më 19 qershor në Cardiff – do të ketë konkurrentë nga 16 vende të ndryshme.

Kosova përfaqësohet për herë të parë. E Kajtazi, e cila garon për çmimin e këngës dhe atë kryesor, ka theksuar se detyra e saj më e rëndësishme është që të prezantojë vendin e saj në mënyrën më të denjë të mundshme.

“Nuk jam një person që e stresoj veten. E dua aq shumë këndimin, saqë çdoherë në situata stresuese mendoj për kënaqësinë që do të ndiej kur të dal në skenë për të interpretuar ato vepra që i kam përzgjedhur. Pritshmëritë tashmë i kam arritur, pasi që Kosova për herë të parë përfaqësohet në këtë garë”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se vetë fakti se vetëm 16 garues janë përzgjedhur, për të është një arritje e madhe.

“Mundohem që ta shijoj çdo moment në skenë dhe të prezantoj Kosovën në mënyrën më të denjë të mundshme, pasi që nuk është prezantuar më parë dhe tani këtë e kam synim”, ka theksuar Kajtazi.

E sa i përket karantinimit ka thënë se i ka ndihmuar që të pushojë e të rigjenerojë mendjen, shpirtin, zërin dhe të fokusohet. Ani pse ka theksuar se për dikë mund të ketë qenë e vështirë periudha e karantinimit, për të ishte diçka e mirëseardhur.

“Më pak se një orë në ditë kam kënduar, pasi që nuk kam dëshirë që të sforcohem para një konkursi. Por kam ushtruar jashtëzakonisht shumë para se të vij këtu. Ka pasur ditë kur kam kënduar deri në pesë orë, pra ushtrime tepër intensive dhe kur kam ardhur këtu, jam përkushtuar që të bëj rikuperim të forcës e të zërit”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka përzgjedhur këngë në tetë gjuhë të ndryshme, prandaj kohën në karantinë e ka kaluar duke u siguruar që po e shqipton mirë çdo fjalë.

Repertori i saj për këtë garë përbëhet nga aria “Mesicku na nebi hlubokem” e veprës “Rusalka” të kompozitorit çek Antonin Dvorak, aria “E strano!...Ah forse lui...Sempre Libera” të “La Traviata” nga Giuseppe Verdi pastaj “Le mer est plus belle” të Claude Debussy , “Die Lorely” të Franz Liszt, “ Flickan kom ifrån sin älsklings möte” të Jean Sibelius, “Sleep” të Ivor Gurney dhe “Spring Water” të Sergei Rachmaninoff dhe veprën “Agimet shqiptare” të kompozitorit shqiptar Avni Mula.

Ani pse aktiviteti brenda katër mureve mund të jetë i vështirë, Kajtazi ka arritur që ta mbajë ritmin. Çdo ditë ka bërë 8 kilometra vrap ani pse brenda dhomës.

“Kur i bën 10 mijë hapa brenda dhomës ke marramendje dhe menjëherë bie në krevat”, ka treguar Kajtazi duke qeshur gaz. Gjatë kësaj kohe ka bërë shumë joga dhe ushtrime për frymëmarrje.

“Jam munduar që të jem në formë me frymëmarrjen, pasi që kur interpreton ajo është më e rëndësishmja në profesionin tonë”, ka thënë ajo gjersa ka shtuar se çdo ditë ka mbajtur ushtrime me sopranon Ermonela Jaho dhe me Carloline Isabel Merz. Problemin e vetëm e ka pasur me ushqimin, pasi që gatimin e ka pasion dhe shumicën e kohës i pëlqen që vetë ta përgatisë ushqimin.

E vetmja këngëtare shqiptare që deri tani ka marrë pjesë në këtë garë është sopranoja nga Shqipëria, Erla Kollaku. Debutoi aty më 1997.

Pos sopranos 30-vjeçare nga Kosova, në edicionin e sivjetmë të “BBC Cardiff Singer of the World” marrin pjesë: Christina Gansch, soprano 31-vjeçare nga Austria; Chuan Wang, tenor 32-vjeçar nga Kina; Nicolai Elsberg, bass 31-vjeçar nga Danimarka; Stephganie Wake-Edwards, mexosoprano 27-vjeçare nga Anglia; Natalie Kutateladze, mexosoprano 29-vjeçare nga Gjeorgjia; Álfheiður Erla Guðmundsdóttir, soprano 27-vjeçare nga Islanda; Michael Rakotoarivony, bariton 28-vjeçar nga Madagaskari; Ankhbayar Enkhbold, bariton 32-vjeçar nga Mongolia; Gihoon Kim, bariton 29-vjeçar nga Republika e Koresë; Jusung Park, bass-bariton nga Republika e Koresë; Evgeniia Asanova, mexosoprano 26-vjeçare nga Rusia; Masabane Cecilia Rangwanasha, soprano 27-vjeçare nga Afrika e Jugut; Reginald Smith Jr, bariton 32-vjeçar nga Amerika; Maria Brea, soprano 30-vjeçare nga Venezuela, si dhe Sarah Gilford, soprano 29-vjeçare nga Walesi.

Ndryshe, “BBC Cardiff Singer of the World” është një garë që organizohet në bashkëpunim me Operën Kombëtare të Walesit, si dhe me mbështetjen e qytetit të Cardiffit.

Kjo garë është e hapur për të gjithë ata këngëtarë që janë në fillimet e karrierave të tyre profesionale, nga mosha 18 deri në 32 vjeç. Pas një procesi përzgjedhës në tri faza, konkurrentët e zgjedhur, zakonisht deri në 20 syresh, ftohen të garojnë në Cardiff për të performuar muzikë operistike e koncertale përballë një jurie me emra të shquar. Kjo garë ka filluar nga “BBC Wales” më 1983 në nderim të hapjes së sallës “St David” në Cardiff, ku ndodhet Orkestra Kombëtare e Walesit.