(E përditësuar 23:20) -
Edicioni i 70-të i Eurovisionit
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTransmetuesit publikë të Spanjës, Holandës, Irlandës, Islandës dhe Sllovenisë kanë vendosur të mos marrin pjesë në Eurovisionin e sivjetmë, duke bërë që ky të jetë edicioni me më së paku pjesëmarrës që nga viti 2003, me vetëm 35 shtete konkurruese. Bojkoti pritet të ndikojë edhe në shikueshmëri, pasi edicioni i kaluar kishte tërhequr rreth 166 milionë shikues në mbarë botën.
Atmosfera në Vjenë para nisjes së gjysmëfinales së parë është përshkruar si e tensionuar, megjithëse brenda sallës së koncertit pati brohoritje për Izraelin gjatë prezantimit të shteteve pjesëmarrëse e kualifikimit në finale dhe në publik u panë shumë flamuj izraelitë.
Kryetari i Vjenës, Michael Ludwig, reagoi ashpër ndaj protestuesve pro-palestinezë që ishin jashtë sallës, duke deklaruar se qyteti nuk do të “terrorizohet në heshtje”. Ai ka thënë se autoritetet janë detyruar të marrin masa të mëdha sigurie për shkak të protestave, por premtoi se Eurovisioni do të mbetet “festival i bashkimit”.
Nga ana tjetër, drejtuesja e Amnesty International Austria, Shoura Hashemi, kritikoi deklaratat e Ludwigut, duke i cilësuar si “të papranueshme, të pavërteta dhe përçarëse” ndaj protestuesve paqësorë.
Megjithëse gjatë javës janë paralajmëruar disa protesta pro-palestineze me deri në 3 mijë pjesëmarrës, protesta e së martës pasdite mblodhi vetëm rreth 30 persona, ndonëse fillimisht pritej pjesëmarrja e rreth 500 protestuesve.
Sipas autoriteteve izraelite, mbi 1.200 persona, shumica civilë, u vranë në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023. Ndërkohë, ofensiva ushtarake izraelite në Gaza ka shkaktuar mbi 72 mijë viktima palestineze, kryesisht civilë, dhe ka lënë pjesë të mëdha të territorit të shkatërruara.
Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, deklaroi për Reuters se shpreson që shtetet bojkotuese të rikthehen në garë në të ardhmen.
“Ata janë pjesë e familjes sonë. Na mungojnë”, ka thënë ai, duke shtuar se organizatorët po vazhdojnë dialogun për të gjetur mënyra për rikthimin e tyre në Eurovision.
Përfundojnë interpretimet e gjysmëfinales së parë në Eurovision
(E përditësuar 22:45) - Kanë përfunduar interpretimet e natës së parë gjysmëfinale të Eurovisionit, që po mbahet në Vjenë.
Artistë nga 15 shtete u ngjitën në skenën e Eurovisionit për të garuar për një vend në finalen e madhe të së shtunës.
Tani, publiku dhe juritë kombëtare do të vendosin për 10 shtetet që do të sigurojnë kualifikimin në finalen e Eurovisionit.
Sonte performuan Kroacia, Finlanda, Gjeorgjia, Greqia, Portugalia, Moldavia, Suedia, Belgjika, Estonia, Izraeli, Lituania, Mali i Zi, Polonia, San Marino dhe Serbia.
Nis nata e parë e Eurovisionit
(E përditësuar 21:10) - Ka nisur nata e parë e garës evropiane të këngës Eurovision, që po organizohet në Vjenë.
Sonte do të performojnë: Kroacia, Finlanda, Gjeorgjia, Greqia, Portugalia, Moldavia, Suedia, Belgjika, Estonia, Izraeli, Lituania, Mali i Zi, Polonia, San Marino dhe Serbia.
Sonte mbahet nata e parë gjysmëfinale e Eurovisionit
Sonte (e martë) nga ora 21:00 nis edicioni i 70-të i garës evropiane të këngës, Eurovision, i cili këtë vit mbahet në Vjenë.
Në këtë edicion do të marrin pjesë artistë nga 35 shtete, përfshirë Shqipërinë, ndërsa organizimi i garës në Austri vjen pasi këngëtari JJ fitoi edicionin e kaluar me baladën “Wasted Love”.
Megjithatë, këtë vit disa shtete kanë bojkotuar garën për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Edhe pse shumica e pjesëmarrësve janë vende evropiane, Australia vazhdon të marrë pjesë çdo vit, pasi ishte ftuar fillimisht në festimet e 60-vjetorit të Eurovisionit në vitin 2015. Megjithatë, Australia nuk ka të drejtë ta organizojë garën edhe nëse shpallet fituese.
Në gjysmëfinalen e parë, që mbahet sonte, do të performojnë: Kroacia, Finlanda, Gjeorgjia, Greqia, Portugalia, Moldavia, Suedia, Belgjika, Estonia, Izraeli, Lituania, Mali i Zi, Polonia, San Marino dhe Serbia.
Ndërkohë, gjysmëfinalja e dytë, që mbahet të enjten, do të sjellë performancat e Armenisë, Azerbajxhanit, Bullgarisë, Çekisë, Luksemburgut, Rumanisë, Zvicrës, Shqipërisë, Australisë, Qipros, Danimarkës, Letonisë, Maltës, Norvegjisë dhe Ukrainës.
Dhjetë shtetet më të votuara nga secila gjysmëfinale do t’i bashkohen pesë vendeve që janë kualifikuar automatikisht për finalen. Këto janë Austria si fituese e vitit të kaluar, si dhe Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca dhe Gjermania, shtete që japin mbështetje më të madhe financiare për organizimin e Eurovisionit.
Megjithatë, edhe këto shtete do të performojnë dhe votojnë në njërën nga gjysmëfinalet. Gjermania dhe Italia do të paraqiten sonte, ndërsa Austria, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do të performojnë në gjysmëfinalen e dytë.
Në këtë edicion, Shqipëria përfaqësohet nga kënga “Nan” e Alis.