Shqipëria ia ka rikthyer Maqedonisë së Veriut njëzet ikona të humbura. Dorëzimi është bërë të premten në Muzeun Historik Kombëtar, si një akt simbolik mes ministres së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe ministres së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojchevska.
Duke shprehur falënderimet për bashkëpunimin e ngushtë me palën maqedonase për identifikimin dhe kthimin e këtyre ikonave, që datojnë midis shekujve XVII-XIX, ministrja Margariti ka theksuar se “për të ardhur në momentin e sotëm është dashur një rrugëtim i gjatë, prej gati një dekade, si dhe shumë bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar”.
Ministrja e Kulturës të Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska Stojchevska citohet ta ketë vlerësuar vlerësoi aktin e dorëzimit të këtyre ikonave nga ana e Shqipërisë.
Siç ka bërë të ditur Ministria e Kulturës e Shqipërisë, “fillesa e kësaj dite është aksioni i vitit 2013, kur Policia e Shtetit sekuestroi 476 vepra të dyshuara si trashëgimi kulturore dhe hapi procedimin penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”. Në vitin 2018, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut ngriti pretendimin për pronësinë e disa prej objekteve të sekuestruara. Raporti përfundimtar i grupit të punës konkludoi se ikonat e pretenduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut përputhen me ikonat e sekuestruara gjatë aksionit të vitit 2013, subjekte të zbatimit të dispozitave të Konventës së UNESCO-s të vitit 1970. Bëhej fjalë për njëzet të tilla. Marrëveshja për kthimin e tyre në vendin e origjinës u nënshkrua gjatë mbledhjes së dy qeverive në 14 nëntor 2022 në Shkup, ku u ekspozua në mënyrë simbolike ikona e “Shën Ilisë”.
“Kjo marrëveshje ishte e para e këtij lloji, jo vetëm në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajonin ballkanik, çka na vinte përballë një përgjegjësie të shtuar. Ndaj edhe konsultimet kanë qenë të një rrezeje edhe më të gjerë, duke ndjekur eksperienca të ngjashme nga vende që gëzojnë një status ekselence në fushën e trashëgimisë kulturore, si Italia”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti.