Kulturë

Lokalitetet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri me 1.5 milion vizitorë më 2025

Blendi Gonxhja

Sipas shifrave të shpalosura nga ministri Gonxhja, lokalitetet e trashëgimisë arkeologjike, muzetë dhe kalatë në vend i kanë vizituar rreth 1,5 milion vizitorë, shifër kjo 16 për qind më e lartë krahasuar me vitin 2024

Rritja e numrit të vizitorëve në lokalitetet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri është një trend i vazhdueshëm, të paktën sipas të dhënave qeveritare. Nëpërmjet një konference për media, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja të martën ka shpalosur planet e sivjetshme të Ministrisë që drejton. Njëkohësisht ka paraqitur edhe statistika sa u përket vizitorëve në lokalitete e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. 

Sipas shifrave të shpalosura nga ministri Gonxhja, lokalitetet e trashëgimisë arkeologjike, muzetë dhe kalatë në vend i kanë vizituar rreth 1,5 milion vizitorë, shifër kjo 16 për qind më e lartë krahasuar me vitin 2024.

Ministri Gonxhja, gjatë konferencës për media në ambientet e Ministrisë së Turizmit Kulturës dhe Sportit ka deklaruar se janë “hapur disa atraksioneve të reja të artit e kulturës, si Galeria Kombëtare e Arteve; Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë...”. Sipas tij, janë rijetësuar tetë kinoteatro, shtëpia-muze “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Muzeu Arkeologjik në Durrës, Qendra e Vizitorëve në Apoloni, Pallati i Kulturës në Mat dhe dy kala të rijetësuara, si ajo e Borshit dhe Kaninës.

Sipas Gonxhes, kantieret në proces janë Teatri Kombëtar, MHK, Muzeu Hebre në Vlorë dhe Kalaja e Shkodrës, rijetësim e restaurim.

Ndërsa, projekte të tjera në proces ngelen Qendra e Vizitorëve Bylis, Qendra e Vizitorëve Butrint, Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, Biblioteka e re Kombëtare, Muzeu Etnografik në Berat, Muzeu i Pavarësisë në Vlorë, Muzeu “Besa”, Kalaja e Beratit dhe Elbasanit. Krejt këto presin rijetësimin 
“Do të ketë procese restaurimi dhe gërmime arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës, restaurimi i manastirit të Derviçanit dhe ringritja e konakëve, Kisha e Shën Ilias, Lekë dhe e Shën Dhimitrit në Senicë (pas zjarreve të vjetshme), Manastiri i Ungjëllizimit në Vanistër, Manastiri Shën Mërisë në Goranxi, Manastiri i Mingulit, Kisha e Shën Mërisë së Drianit, Zervat, Teqja e Koshtanit, Kisha e Shën Gjergjit, Roskovec, Kisha e Shën Shergjit dhe Bakut, Himarë, Kulla e Turanit, Korçë, Ujësjellësi Historik -Vranisht, Banesa e Oso Kukës, Kisha e Kalasë së Drishtit, Pasarela në Kalanë e Lezhës, Kalaja e Ali Pashës në Qesarat, ura e objekte në territor, plani i konservimit dhe gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin romak të Durrësit, Xhamia e Muradijes, Vlorë”, citohet të ketë thënë ai. 

Sipas ministrit Gonxhja, do të ketë dyfishim të buxhetit të institucioneve të artit dhe kulturës për kalendar dhe bashkëpunime, aktivitete dhe projekte, mirëmbajtje dhe konservim.