Turizmi kulturor në Shqipëri është duke avancuar nga viti në vit. Sipas të dhënave qeveritare, trendi i rritjes së numrit të vizitorëve ka ecur pozitivisht në tetë muaj e parë të këtij viti. Sipas shifrave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja janë 1 milion e 259 mijë e 774 vizitorë që kanë vizituar asetet e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë nga janari deri në shtatorin e këtij viti.
Ministria Gonxhja nuk ka krahasuar të dhënat me ato të vitit të kaluar por me vitin 2023. Sipas tij, bëhet fjalë për në rritje deri në 57 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
“Falë miradministrimit, të ardhurat nga biletat janë rritur me 84 për qind, krahasuar me vitin 2023”, ka treguar Gonxhja.
Sipas shifrave që ka ofruar ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, është Parku Arkeologjik i Butrint që prin me numrin e vizitorëve duke shënuar 257 mijë e 670 vizitorë, më pas Kalaja e Gjirokastrës me 253 mijë e 407 vizitorë, Parku Arkeologjik i Shkodrës me 150 mijë e 927 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me 147 mijë e 178 vizitorë dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë me 109 mijë e 669 vizitorë.
Turistët e huaj, por edhe ata vendas vizitojnë gjatë gjithë vitit qytetet e vendit që ofrojnë një gamë të vlerave historike dhe autentike, përmes aseteve të trashëgimisë kulturore.
Turizmi kulturor, është kthyer në një qasje gjithëvjetore që gjeneron të ardhura të konsiderueshme për ekonominë.
Pjesa më e konsiderueshme e turistëve përveç atraksioneve si plazhe, natyrë apo gastronomi, preferojnë të vizitojnë parqet e ndryshme arkeologjike, muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.