Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria digjitalizon artefaktet e konfiskuara nga grabitësit

Telashet me vjedhjet e veprave të artit Shqipëria nuk i ka të vogla. Vetëm viteve të fundit policia ka sekuestruar rreth 400 vepra të ndryshme që ishin grabitur ndër vite. Pos kësaj, digjitalizimi është parë si hap i nevojshëm.

Lajmin për digjitalizim e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, sipas të cilit laboratori, krahas digjitalizimit të objekteve trashëgimi kulturore të sekuestruara gjatë operacioneve të përbashkëta me policinë e shtetit, do të shërbejë edhe për digjitalizimin e objekteve që do t’i nënshtrohen restaurimit, e që sot gjenden në muze dhe lokalitete arkeologjike.

“Implementimi i teknologjisë së avancuar, të metodave RTI dhe 3D, në Njësinë Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore, projekt i mbështetur nga AADF, ‘Të fuqizojmë muzetë përmes teknologjisë’, ofron mundësinë jo vetëm për një dokumentim më të mirë të objekteve, por ndihmon në identifikimin e thelluar të elementeve, detajeve të fshehura apo prejardhjen e tyre duke ruajtur identitetin digjital të trashëgimisë së vyer kulturore”, ka njoftuar ministri Gonxhja.

Javën e kaluar pas përfundimit të procedurave gjyqësore, 10 nga 18 ikonat e denoncuara të vjedhura në vitin 2008 nga Kisha e Labovës së Kryqit në Gjirokastër, janë kthyer prapa.

Njoftimi është bërë nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

“Ikonat janë sekuestruar nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit policor ‘Cultural Heritage’ në vitin 2022 dhe sot janë në ruajtje në ambientet e krijuara nga institucioni ynë”, njoftoi institucioni.

Edhe Shqipëria restauroi 500 monumente për 5 vjet Kulturë Shqipëria restauroi 500 monumente për 5 vjet

Në nëntor të vitit 2022, Ministria e Kulturës, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Punëve Brendshme nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore, për të siguruar jo thjesht ambientet e përshtatshme për ruajtjen e tyre, por edhe për një trajtim të specializuar nga punonjësit e fushës.

Sipas IKRTK “ky është shembulli më i mirë i bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional, në luftën e pakompromis kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilën institucioni ynë e ka kthyer në një mision”.