Që prej vitit 2003, Iraku ka gjetur më shumë se 40 mijë artefakte të vjedhura, shumë prej të cilave ishin kontrabanduar më parë jashtë vendit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë për agjencinë e lajmeve DPA, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës.
Zëdhënësi i ministrisë, Ahmed Al-Aliavi, ka thënë se ambasadat irakiane janë aktive në kërkimin e artefakteve të kontrabanduara, veçanërisht atyre që janë vjedhur nga lokalitetet arkeologjike nga rrjete të organizuara grabitësish.
“Ministria jonë ka një departament të veçantë për të ndjekur këto rrjete dhe për të gjurmuar vendndodhjet e objekteve të kontrabanduara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar efektiv”, ka shtuar ai.
Ndër thesaret e gjetura, kthimi i fundit i një statuje të dhisë së egër, e vjetër mbi 4500 vjet, tërhoqi vëmendje të veçantë.
Artefakte të tjera të rëndësishme përfshijnë një pllakë me Epin e Gilgameshit. “Kjo arritje thekson punën e organizuar të ekipeve tona dhe ne vazhdojmë përpjekjet për ta rikthyer trashëgiminë kulturore të vendit”, ka thënë Al-Aliavi.
Grabitja e trashëgimisë kulturore të Irakut u intensifikua pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, dhe mijëra artefakte u zhdukën nga Muzeu Kombëtar në Bagdad dhe nga vende të tjera të trashëgimisë.
Shumë objekte u shkatërruan gjatë ngritjes së Shtetit Islamik prej vitit 2014 e tutje.
Pavarësisht këtyre sfidave, autoritetet irakiane vazhdojnë përpjekjet për rimëkëmbje, duke synuar mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë së pasur historike të vendit.