Georges Seurat njihet si pionieri i pointilizmit, një teknikë artistike që përdor pika ngjyrash në vend që të përziejë ngjyrën në paletë. Një ekspozitë e peizazheve të tij bregdetare, shpesh të anashkaluara nga galeritë dhe kritikët, është hapur në Londër. E titulluar “Seurat and the Sea”, ajo bashkon 26 vepra me të njëjtën temë
Një shkëmb shfaqet madhështor mbi vijën bregdetare. Formacioni shkëmbor i njohur si “Le Bec du Hoc” ndodhet në lindje të fshatit francez të peshkatarëve, Grandcamp. Dhe është pikërisht ky vend që rrëmbeu imagjinatën e Georges Seuratit kur kaloi verën e tij të parë duke pikturuar në bregun e Kanalit (La Manche) në vitin 1885.
Skena si kjo, së bashku me porte piktoreske dhe plazhe, përbëjnë një ekspozitë të veprave të artistit francez në galerinë “Courtauld” të Londrës. E titulluar “Seurat and the Sea”, ajo bashkon 26 vepra me të njëjtën temë. Kur i shikon nga afër, teknika e tij karakteristike e përdorimit të pikave të ngjyrës mbi kanavacë, e njohur si pointilizëm, bëhet qartë e dukshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKuratorja e pikturave në galerinë “Courtauld”, Karen Serres, ka thënë se ekspozita dokumenton verat e shumta që artisti i kaloi larg kryeqytetit francez.
“‘Seurat and the Sea’ paraqet peizazhet e mrekullueshme bregdetare që piktori francez, Georges Seurat, i realizoi gjatë pesë verave radhazi larg Parisit. Çdo vit ai shkonte në bregdet për, siç thoshte vetë, të pastruar sytë nga ditët e kaluara i mbyllur në studio në Paris. Ishte një mënyrë për t’u rikthyer te paraqitja e dritës natyrore, në kontrast me dritën më artificiale që ishte mësuar të paraqiste në Paris, me skenat e muzikantëve dhe valltarëve të rrugëve. Këtu në bregdet, në bregun e Kanalit, ai vëzhgonte varkat dhe detin, dhe kjo ishte gjithashtu një mënyrë për të eksperimentuar me teknikën e tij shumë radikale të këtyre pikave të vogla me ngjyra të pastra”, ka thënë ajo.
Seurat u frymëzua nga piktorët impresionistë që erdhën para tij. Por ai zhvilloi stilin e tyre, duke krijuar pointilizmin ose Neo-impersionizmin.
U largua nga teknika e përzierjes së ngjyrës në paletë dhe ngjyrosja me furçë, duke aplikuar pika ngjyrash drejtpërdrejt në kanavacë, të cilat bashkohen kur shihen nga larg.
Pushimet e tij buzë detit ishin thelbësore për këtë teknikë eksperimentale dhe novatore.
“Meqenëse Seurat vdiq në moshën 31-vjeçare, ka shumë pak kanavaca prej tij, vetëm rreth 45 sosh. Ai njihet më shumë për pikturat shumë të mëdha monumentale si, ‘A Sunday on La Grande Jatte’. Kështu që nuk e mendojmë si piktor të peizazheve bregdetare, por në fakt ato përfaqësojnë më shumë se gjysmën e krijimtarisë së tij dhe ishin shumë të rëndësishme për të. Megjithatë, ato anashkalohen për shkak të popullaritetit të këtyre veprave të tjera të mëdha. Por për artistin, ato ishin po aq të rëndësishme”, ka thënë.
Veprat e ekspozuara në Londër nuk janë piktura të një njeriu që po bën pushim nga puna e përditshme – ato tregojnë një artist punëtor që gjithmonë dëshironte të merrte brushën në duar dhe ta kapte botën sipas këndvështrimit të tij.

“Seurat ishte një figurë shumë interesante. Ishte jashtëzakonisht i rezervuar. I pëlqente të pikturonte vetëm, kështu që ai kurrë nuk shkonte në bregdet për pushime. Nuk mund ta imagjinoj me rroba banje. Në fakt, ai punonte gjatë gjithë kohës. Por thelbësore është se në ekspozitë ne kemi jo vetëm këto piktura të mëdha ekspozitash, siç i quante ai, por edhe disa skica më të vogla, të cilat i realizonte me ngjyrat nga kutia e tij e vogël e udhëtimit, që e merrte me vete nëpër shkëmbinj dhe në plazh; madje kemi gjetur kokrra rëre të përziera me ngjyrë”, tha Serres.
Kjo është ekspozita e parë e veprave të Georges Seuratit në Britaninë e Madhe, pas pothuajse 30 vjetësh, dhe është koleksioni më i madh i peizazheve bregdetare i mbledhur ndonjëherë në një vend.
Përfshin piktura të huazuara nga galeri të tjera londineze, si dhe nga galeri në mbarë Evropën, SHBA-në, Australinë dhe koleksionet e tjera private.
“Mendoj se shumë njerëz janë të njohur me punën e Seuratit, sepse menjëherë u shkon mendja te pikturat, ‘Bathers at Asnières’, e ekspozuar në Galerinë Kombëtare ose ‘Sunday Afternoon at the Grande Jatte’, e ekspozuar në Chicago, dy veprat e tij më të mëdha. Por nuk besoj se njerëzit e kuptojnë që ka shumë më tepër gjëra që e përfaqësojnë atë si njeri apo artist, dhe gjithashtu faktin që në të vërtetë nuk prodhoi aq shumë piktura. Mendoj se njerëzit e shohin si të pranishëm në skenën e artit, por nuk ka aq shumë vepra të tij, kështu që është një mundësi mjaft e rrallë për t’i parë kaq shumë piktura të Seuratit në një vend”, ka thënë kritiku i artit, Tabish Khan.
Për dashamirësit e artit, kjo është një mundësi për të shqyrtuar një artist vërtet origjinal dhe për të parë evolucionin e stilit të tij gjatë pesë verave në bregun francez.
“Ajo që ai bën, që është kaq unike dhe e guximshme, është se merr ngjyrat e tij dhe është pothuajse sikur po shikojmë një kuti bizhuterish. Çdo pikë duket sikur ke hapur një kuti të mrekullueshme, të ndritshme e me gurë të çmuar. Të bardhat duken si perla, të gjelbrat si smeralde dhe të kuqet si rubinë. Duken sikur ndriçohen nga prapa. Që sigurisht është mënyra si jemi mësuar ta shohim botën sot, përmes një ekrani të ndriçuar nga prapa. Dhe ai ishte disi si një profet për mënyrën se si e shohim botën”, ka thënë kritikja e artit, Estelle Lovatt.
Ekspozita e titulluar “Seurat and the Sea” do të qëndrojë e hapur në galerinë “Courtauld” në Londër, deri më 17 maj 2026.